Sa para “cash” do të lejohen bizneset e zyrat e këmbimit të mbajnë në arkë! Transferimi çdo ditë në llogari

Projektligji i fiskalizimit që tashmë ndodhet në proces konsultimi publik, parashikon ndër të tjera edhe rregullimin e pagesave me para në dorë apo para ‘cash’. Referuar nenit 37 të projektligjit,  tatimpaguesi që lëshon faturë detyrohet që paratë që ka grumbulluar gjatë ditës mbi çfarëdo baze, që tejkalojnë nivelin e caktuar maksimal të arkës  t’i depozitojë në llogarinë bankare në të njëjtën ditë, dhe jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.

Tatimpaguesi që lëshon faturë, të cilit i janë bllokuar llogaritë e biznesit për mospagim të detyrimeve, nuk mund të paguajë me para në dorë ose të mbajë para në arkë, por duhet që këto para t’i depozitojë menjëherë në llogarinë bankare për veprimtarinë e rregullt të biznesit, dhe jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.

Sa i përket limitit të arkës, në nenin  38 të projektligjit parashikohet se tatimpaguesi që lëshon faturë mund të mbajë para ‘cash’ (kartëmonedha dhe monedha), në fund të ditës së punës, deri në shumën maksimale të arkës. Shumën maksimale të parave ‘cash’ e përcakton tatimpaguesi që lëshon faturë, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi i përcaktuar.

Kriteret për përcaktimin e shumës së maksimumit të arkës së tatimpaguesit që lëshon faturë, janë madhësia e tatimpaguesit që lëshon faturë, në përputhje  me legjislacionin tatimor. Bazuar në këtë kriter, tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të caktojë shumën maksimale të parave kesh në arkë, në mënyrën e mëposhtme:

-tatimpaguesit me qarkullim vjetor në vitin e kaluar deri në 2 milionë lekë deri në 50 mijë lekë;

-tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 2 milion deri në 14 milion lekë deri në 300 mijë lekë;

-tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milion lekë deri në 800 mijë lekë.

Maksimumi i arkës përcaktohet për tatimpaguesin që lëshon faturë në tërësi, dhe brenda kësaj shume, tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të përcaktojë maksimumin e parave në arkë, sipas njësive të organizimit.

Ndërkohë, zyrat e këmbimit valutor mund të përcaktojnë maksimumin e arkës deri në shumën prej 1 milion e 700 mijë lekë.

Tatimpaguesi që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune, dhe para lëshimit të faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur me administratën tatimore, lidhje të cilën e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave në dorë në arkë (depozitave), për çdo pajisje elektronike të faturimit, në përputhje me udhëzimin e Ministrit përgjegjës për financat.

SCAN

SHKARKO APP