Sevdaja ripushton Shqipërinë, në vitin e Skëndërbeut

Lavdrim Lita

Vërshimi i telenovelave turke në kanalet kryesore televizive të Ballkanit është një “ripushtim” i butë i gjithë rajonit pa dhunë, me intrigë dhe dashuri.  Përmes ekranit të vogël të televizorit, Turqia ka hyrë në shtëpitë e gadishullit duke kaluar përmes kuzhinës, dhomës së ndenjes apo dhe dhomës së gjumit e duke përhapur kështu aromën e ndikimin e saj. Ironi e historisë është përkimi fiks me vitin e Skëndërbeu, familjet shqiptare konsumojnë orë të tëra  dhe sytë e tyre në produktin e kulturës së madhe turke.

Përpos shumë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, mes të cilave në Maqedoni, Bullgari, Serbi, Kroaci, Çeki, Rumani, Poloni dhe Hungari telenovelat turke transmetohen edhe në Lindjen e Largët – Malajzi, Indonezi, Tajlandë, Singapor, Japoni dhe Vietnam. Televizioni japonez madje edhe ka bërë një dokumentar për telenovelat turke dhe ndikimin e tyre mbi turizmin dhe eksportin.

Sipas portalit turk “Hurriyet” më shumë se 100 telenovela turke janë parë në mbi 20 vende të ndryshme këtë vit, duke fituar më shumë se 60 milion euro. Revista Time së fundmi e përshkroi eksportin e telenovelave turke si një ‘sekret të presidentit turk, “Rexhep Taip Erdogan”. Duke qenë Turqia një vend turistik, ato janë shndërruar në reklama të mrekullueshme të vendit të tyre dhe fytyrat e personazheve të telenovelave turke i sheh kudo nëpër emisionet televizive.

Shikueset më të rregullta të këtyre telenovelave janë femrat të grupmoshave të ndryshme. Shumë telenovela pëlqehen në rajon për shkak të ngjashmërive me shoqëritë turke. Më saktë tek gjurmën që kanë lënë kultura e pushtuesit osman në vendet e administruara prej tyre. Ka sociologë ballkanas që mendojnë se femrat ballkanase tërhiqen prej këtyre telenovelave jo vetëm prej substratin kulturor, por dhe pse hyn romanca e dashurisë. Në fjalorin e gjuhëve sllave dhe asaj shqiptare ekziston fjala me prejardhje turke sevda, që shpjegon plotësimin e nevojave shpirtërore të jetës së përditshme edhe përmes ekranit.

Telenovelat në thelb janë të lehta që kuptohen prej një mase të madhe njerëzish sepse këto minifilma me seri janë me personazhe klishe, pa ndonjë karakter, pa ndonjë mesazh të qartë social të realitetit ku jetojmë, që mundohen të stimulojnë një gjendje emocionale pa frymë, duke ngacmuar dobësitë sentimentale të njerëzve.

Psikologë dhe sociologë të ndryshëm turq e kanë marrë shumë seriozisht këtë ndikim të telenovelave në mentalitetin dhe mënyrën e jetesës së turqve. Gjatë dy dekadave  të fundit Turqia vetë ka përtypur një fetë të vogël të kulturës perëndimorë ( jo vetëm hollivudiane) dhe mund të thuhet se ajo kreu edhe një lloj revolucioni shumë të fuqishëm seksual që vendet e tjera të Lindjes as që mund ta kishin imagjinuar.

Turqia duke qenë e pozicionuar edhe vetë mes Lindjes dhe Perëndimitgjeografikisht ka luajtur gjithmonë rolin e një ure lidhëse mes këtyre dy pjesëve të botës. Dhe eksportimi i telenovelave nga ana e kulturës turke është pjesë e asaj që quhet soft power, “fuqi e butë,” që është e kundërta e fuqisë së fortë që matet ndërmjet indekseve të sasisë: GDP, kapacitet ushtarake reale, popullsi.

Fuqia e butë është e matshme nëpërmjet cilësisë së vlerave të që ndan një kulturë (ose një individ) me një tjetër. Dhe duam a s’duam ne Turqia ka një prezencë pesë shekullore në gadishullin Ballkan, që po rivitalizohen nëpërmjet kësaj fuqie të re dhe mund të hapë horizonte të reja pjekjeje. Faktor.al

SHKARKO APP