Shën Kristofori me kokë qeni, një vepër  e rrallë në ikonografinë shqiptare

Nga Kristaq BALLI/Midis disa mijëra ikonave bizantine e pasbizantine  të fondit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë (ku edhe unë punoj),  gjenden edhe dy ikona pasbizantine të Shën Kristoforit, njëra prej të cilave është paraqitur në ekspozitën e muzeut dhe ngjall kureshtje e  interes të veçantë pamor e interpretues, pasi ajo ndryshon nga gjithë ikonat e tjera për faktin se “kryepersonazhi” i saj, Shën Kristofor (Martiri), paraqitet si një njeri me kokë qeni, çka për shumicën e atyre që e shohin shkakton stepje, befasi e  habi e, le të themi një lloj intrigimi të trishtë, misteri e deziluzioni shpirtëror, madje edhe për besimtarët. E si mund ta nderosh e t’i lutesh këtij shenjtori humanoid me kokë qeni, që shpesh paraqitet, madje edhe joafektiv e jomiqësor?

Ikona, me origjinë nga qyteti apo rajoni i Përmetit, (Inv. 6045) e pikturuar në vitin 1812 sipas modeleve “klasikë” të manualeve ikonografike nga një piktor anonim relativisht i kultivuar në mjeshtërinë e tij ka dimensione 110cm x 45cm,  pra duhet të jetë ikonë e destinuar për ikonostasin e ndonjë kishe. Ai paraqitet si një ushtar romak i veshur me të gjitha pajimet dhe aksesorët ushtarakë si mburoja (prapa), parzmorja, hushta në dorën e majtë, një kryq dhe një pendë në dorën e djathtë, pelerina e kuqe valavitëse dhe çizmet. Mbi flokët si prej njeriu gjenden dy fjongo të kuqe të kryqëzuara lavdërimi që lidhin  flokët e tij.  Përveç tij, në miniaturë, në këndin e majtë sipër vendoset Krishti me globin e Universit mbi një qerthull resh që drejton një tufë rrezesh bekimi drejt fytyrës së Shën Kristoforit, sytë si prej njeriu të të cilit janë drejtuar kah tyre, çka do të thotë se Shën Kristofori ka qenë një besimtar i devotshëm i Krishtërimit dhe një martir i tij. Ndërkaq, në qoshen e djathtë lart një engjëll është duke i vendosur kurorën e martirit. Brerorja e praruar vërteton se ai është shenjtëruar pas martirizimit të tij.  Shën Kristofori paraqitet në pikturë si figurë e plotë monumentale i vendosur mbi një kodër, poshtë së cilës  shtrihet një peizazh thuajse natyralist i  një fushe të gjerë e të thellë në perspektivën lineare që mbizotërohet nga dimensionet e mëdha të statujës së shenjtorit martir.

Emri Kristofor nuk përmendet në emrat e Testamentit të Vjetër e të Ri. Ai rrjedh nga togfjalëshi grek Christoforos që do të thotë Bartës (Mbajtës) i Krishtit. Pra, vetë etimologjia e emrit ia atribuon njohjen e  përhapjen e bëmave të tij liturgjisë së krishterë të Lindjes, më saktë Greqisë, e cila u përhap më tej edhe në Krishtërimin Perëndimor, së pari në Francë në shekujt IX. Ekzistojnë disa legjenda që lidhen me jetën dhe vdekjen e Shën Kristoforit, midis të cilave më e popullarizuar është ajo e shek  XIII e quajtur “Golden Legend” ( Legenda Aurea – Legjenda e Artë) e shkruar nga Jakobus de Voragine (Volume 4) në shek XIII : Sipas saj fillimisht Kristofori quhej Reprobus, ishte pagan, me origjinë nga  rajoni  Canaan, shërbente si ushtar romak, u kap  rob dhe  u çua në Lycia (në Azinë e Vogël) ku  sundonte perandori romak Decius ( gjatë viteve 249-251), apo në kohën e  perandorit Diocletian (fillimi i shek IV). Reprebus (që nënkupton “zullumqari”, “i ligu” “i shëmtuari”) ishte një njeri gjigant rreth 2.3 m. i gjatë dhe me fytyrë të frikshme. Ka jetuar rreth 320 vjet  Reprobus u largua prej mbretit që i shërbente dhe u nis për t’i shërbyer “një tjetër mbreti më të madh që mund të ekzistonte aso kohe”. Ai e gjeti këtë mbret që konsiderohej më i madhi, por  një ditë ai konstatoi se ky mbret kishte frikë nga djalli. Atëherë ai u nis të gjente djallin. Rrugës u përball me një skotë plaçkitësish, një prej të cilëve u deklarua se ishte Djalli. Kështu Reprobus u vu në shërbim të tij. Por kur padroni i tij, Djalli, iu shmangej rrugëve dhe shfaqte frikën nga Krishti, ai e la atë dhe pyeti njerëzit ku mund ta gjente Krishtin. Ai takoi një heremit i cili i predikoi për besimin e krishterë. Ai e pyeti heremitin se si mund t’i shërbente Krishtit. Kur heremiti i sugjeroi atij lutje dhe kreshmë, Reprobus u përgjigj se ai nuk mund ta kryente dot këtë shërbim. Atëherë asketi i propozoi që për hir të shtatlartësisë dhe fuqisë së tij ai mund t’i shërbente duke ndihmuar njerëzit të kapërcenin një lumë të pote0rshëm ku ata rrezikoheshin nga mbytja dhe të ftohtët. Heremiti i premtoi që ky shërbim do ta kënaqte Krishtin.

Në kohën që Reprobus kryente këtë punë për disa kohë, një fëmijë i vogël iu lut  ta ndihmonte për të kapërcyer lumin. Gjatë kalimit lumi u fry e u egërsua dhe fëmija i dukej atij i rëndë si plumb, aq shumë sa me shumë mundim, si asnjëherë, e ndjeu veten në një vështirësi dramatike. Kur arritën bregun tjetër,   ai i tha fëmijës: “Më ke vënë në rrezikun më të madh të jetës. Edhe  bota nuk  mund të ishte më e rëndë se ti mbi shpatullat e mia”. Fëmija iu përgjigj: “Ti mbajte mbi shpatulla jo vetëm gjithë botën por atë që e bëri botën. Unë jam Krishti, mbreti yt, të cilit ti po i shërben me punën tënde.” Dhe fëmija, më pas, u zhduk.

Kësaj legjende ndoshta i korrespondon më besnikërisht ikona me variantin më popullor të paraqitjes së Shën Kristoforit.

I konvertuar në kristian dhe me emrin e ri Kristofor (Mbajtës i Krishtit), më vonë ai vizitoi  Lycia-n ku preheshin të krishterët e martirizuar. I sjellë para  guvernatorit vendas të Antiokut,  Kristofori refuzoi të sakrifikojë për perënditë pagane. Guvernatori u përpoq ta joshte me pasuri dhe më pas i dërgoi dy vajza të bukura, Aquilina dhe Nicaea ta argëtonin atë. Kristofori jo vetëm nuk u tundua, por  i konvertoi gratë në të krishtera, ashtu siç edhe konvertoi qindra të tjerë në atë qytet. Të dy gratë u martirizuan për besimin e  tyre të ri. Atëherë mbreti urdhëroi të vrisnin. Shumë tentative dështuan, Kristoforin e lidhën fillimisht në një fron prej hekuri dhe e vendosën mbi turrën e zjarrit,  por froni u shkri, ndërsa ai mbeti i paprekur…Edhe tentative të tjera dështuan. Përmendet se në përpjekje për ta torturuar me hushta, një prej tyre aksidentalisht  qëlloi mbretin në sy dhe e verboi atë. Kristofori i sugjeroi mbretit të merrte pak gjak nga trupi i tij i vrarë, ta përziente me baltë dhe ta vendoste këtë masë në sytë e tij. Përfundimisht Kristoforit iu pre koka. Mbreti përmbushi propozimin e Kristoforit dhe ai rifitoi shikimin e tij duke deklaruar “Në emër të Krishtit dhe Kristoforit!”.

Supozohet se, ndër të tjerë, Peshkopi Pjetër i Attalias që e kishte pagëzuar mori eshtrat e tij dhe i çoi në Marmarica (Egjipt) në vitin 311.

Supozohet, gjithashtu se, sot, reliket dhe kafka e tij ruhen në ishullin  Rab të Kroacisë, si dhe disa relike të tjera në Francë e shtete të tjerë.  Kujtimi i tij në kishën ortodokse  kremtohet më 9 Maj, ndërsa në liturgjinë e martirologjisë romane ai kujtohet më 25 Korrik të çdo viti. Ai konsiderohet si shenjti mbrojtës i udhëtarëve, kalorësve, karvanëve, pelegrinëve,  marinarëve, shoferëve, astronautëve, të sëmurëve, tregtarëve dhe i disa qyteteve evropiane; është një nga 14 shenjtorët mbrojtës të njerëzimit.

Antropologjia arkeologjike, mitologjia  dhe burime transhendentale

Aparenca fizike e Shën Kristoforit në agjiografinë dhe ikonografinë e krishterë ka dy tipare specifike që nuk i kanë shenjtorët e tjerë kanonikë: 1) Ai është me trup gjiganti dhe 2)Koka e tij ka formën e një koke qeni. Këto veçori autentike sakaq të joshin për të gërmuar dhe gjurmuar nga njëra anë në historinë e humanitetit planetar, madje edhe në kozmologjinë antropologjike  ndërplanetare dhe nga ana tjetër në spiritualitetin dhe traditën e mitologjisë, gojëdhënave dhe prurjeve të tjera legjendare të racës njerëzore, të bazuar kryesisht në shkrimet biblike, nga e cila po veçojmë fillimisht faktin që Bibla dhe mësimet e saj e çojnë fillimin e krijimit të Universit dhe posaçërisht të humanoidëve vetëm 7.000 vjet përpara lindjes së Krishtit. Në zbërthimin e kontekstit fetar të Shën Kristoforit me Kokë Qeni duhen marrë në konsideratë të dyja këto teza, pasi integrohen dhe interferojnë qoftë me pohime apo divergjenca me njëra-tjetrën.

Sipas arkeologëve dhe   shkencëtarëve antropologë, nga gjetjet që ata kanë bërë, është konstatuar fakti që kanë ekzistuar qenie humanoide gjigante prehistorike, madje janë gjetur edhe vegla pune që për nga madhësia u korrespondojnë këtyre krijesash humane vigane thuajse në të gjitha kontinentet. Tregimet për gjigantët derivojnë nga mbetjet e qytetërimeve të mëparshme. Saxo Gramaticus (1150—1220, historian, teolog, dhe autor danez), p.sh, argumenton që gjigantët kanë ekzistuar sepse asgjë tjetër nuk mund të shpjegojë muret e mëdha, monumentet dhe statujat prej guri që ne njohim janë mbetje nga ndërtimet greko-romake. Po kështu anglo-saksoni Safarer flet për mure të lartë guri ciklopikë që janë ndërtuar nga gjigantët. Teoritë e ndërtimit të piramidave dhe shembujve të tjerë monolitikë të ndërtimeve antike takojnë gjigantët si një mundësi përgjigjeje. Ndërtimeve të mëdha u takojnë ndërtuesve të mëdhenj. Ekzistojnë një numër skeletesh, kafkash të gjigantëve të gjatë rreth 9 m. Gigatopithecus dhe Meganthropus janë emra që iu korrespondojnë humanoidëve gjigantë të gjetur nga paleontologët, por përderi sa ata nuk  i përqasin në zinxhirin evolucionar imagjinar, atyre nuk ju kushtohet një vëmendje e posaçme. (http://en.ëikipedia.org/ëiki/Giant_%28mythology”). Edhe teoritë e sotme kozmologjike shpesh paraqitin alternativa dhe dilema që, të bazuara në zbulime shkencore, vihen shpesh në vështirësi sa i takon racave gjigante prehistorike në udhëtimin  përgjatë kohës, madje deri aty sa të supozojnë edhe praninë e alienëve gjigantë që “kanë ndihmuar civilizimin tokësor”, madje sot, sipas teorive të reja të pavërtetuara,  mund të jenë edhe krijesa që  kanë ardhur në Tokë nga e ardhmja. (Fotot e ilustrojnë këtë realitet virtual).

Mirëpo nëse këta humanoidë gjigantë kanë qenë mutacione sporadike monstrash, apo entitete të mëdha,  të përqendruar e të organizuar, kjo është një enigmë që ndoshta mund të anojë nga e para. Ndërkaq nuk mund të vërtetohet nëpërmjet zbulimeve arkeologjike që ndonjë nga këto krijesa humane vigane të ketë tipare, apo fragmente fizike kafshërore, në rastin tonë kokë qeni, si ajo e Shën Kristoforit etj.

Nga pikëpamja transhendentale e religjioze “realiteti virtual” i ekzistencës së krijesave njerëzore gjigante, madje edhe hibride me tipare faciale kafshësh, është relativisht më e thjeshtë për t’u “gëlltitur”. Kjo, sepse besimet pagane, fetare politeiste e monoteiste e minimizojnë faktorin fizik, lëndor, material dhe çdo synim i tyre është spiritualiteti, shpirti, shpëtimi i tij dhe jeta e përtejshme. Burimi dogmatik i ekzistencës në Tokë të njerëzve gjigantë me fytyrë kafshësh kanë qenë shkrimet e historianëve antikë, të bazuara kryesisht në traditën e lashtë, mitologjinë, gojëdhënat, folklorin, udhëtimet e eksploratorëve për zbulimin e tokave të reja, shkrimet agjiografike e biblike, që të gjitha të kushtëzuara nga primitivizmi,  empirizmi,  niveli i pamjaftueshëm i dijeve “shkencore”, mungesa e komunikimeve, si rezultat, i nënshtrimit nga ritualet rajonale të Zotit të tyre shpirtëror.  Në këtë kuadër, në një sërë tekstesh të autorëve  antikë grekë-romakë si Herodoti (484-425 Para Krishtit, që konsiderohet si “Ati i Historisë” që ka shkruar veprën “Histories” – “Historitë”. Sipas tij  pjesa perëndimore e Libisë ku jetojnë fermerë është e mbushur me male, pyje dhe me kafshë të egra. Në këtë vend  ka gjarpërinj gjigantë, luanë, elefantë, arinj, nepërka, kokëqenër dhe njërës pa kokë të cilët i kanë sytë në gjoks,siç thonë libianët dhe burra e gra të egër…: (Herodotus, Histories 4.191.3).

Ctesias (shek V Para Krishtit) , një fizikan  grek  shkruante: “Në male jetonin njerëz të cilët kishin kokën e një qeni, ata visheshin me lëkurë kafshësh të egra dhe nuk flisnin ndonjë gjuhë, por lehnin si qen dhe me  këtë mënyrë kuptonin njeri-tjetrin. Ata kishin dhëmbë më të mëdhenj se të një qeni…, ata e kuptonin të folurin e  Indianëve, por nuk mund  t’ju përgjigjeshin dot atyre; ata lehnin dhe sinjalizonin me duart e gishtërinjtë e tyre siç bëjnë memecët… Të gjithë ata, burra e gra kanë një bisht në fund të shpinës, si qentë por më të gjatë e më të butë. Ata kanë marrëdhënie me gratë e tyre si qenër dhe  e dallojnë njeri-tjetrin në marrëdhënie nga ndjenja e turpit. Ata janë më jetëgjatët e racave  njerëzore duke jetuar 160-200 vjet.

Megasthenes (350 – 290 Para Krishtit, etnograf dhe eksplorues ),  shkruan që “Në disa male të Indisë ekzistojnë disa fise njerëzish me kokë qeni, të pajisur me kthetra, të veshur me lëkurë, të cilët flasin jo sipas akcentit të gjuhës humane, por  vetëm lehin dhe kanë zgërdheshje nofullash… Ata që jetojnë pranë burimeve të lumit Gang, që nuk kanë pretendime në ushqim, jetojnë me mollë kutërbuese dhe  kur shkojnë në udhëtime të gjata, ata i marrin këto me vete për sigurinë e jetës së tyre për të thithur “parfumin” e tyre… Nqs ata thithin ajër, vdekja e tyre është e paevitueshme.”

Sipas James Vandale i cili i referohet Plinit (Plini 23 – 79, vepra e tij kryesore “Naturalis Historia”):   këto raca ishin eklektike në dukje dhe shoqërorë, ndërsa të tjerët dukeshin mizorë. Gjigantët, xhuxhët, panotët (me veshë gjiganti), astomët (pa gojë), antrofagët (kanibalët), amazonët  etj., etj,. Por, më të rëndësishmit – Cynocefalët, ose Kokë qenët ishin një nga racat monstruoze të njohura më mirë.  Ata kishin trupin e një njeriu dhe kokën e një qeni. Sipas Plinit ata jetonin në malet e Indisë dhe komunikonin me lehje. Jetonin në shpella dhe visheshin me lëkurë kafshësh. Ata gjuanin shumë mirë dhe përdornin shtizat, harqet dhe shpatat.) Në Enciklopedinë e tij, Plini citon nga  Megasthenes’ Indica humanoidë, të cilët i referoheshin krijesave aliene që jetonin në Indi.

Burime të tjera që qarkullonin në mesjetë, të tilla si ato të aventurave të  Aleksandrit të Madh në Indi të tillakrijesa përshkruheshin më të frikshëm: me dhëmbë të tmerrshëm e frymëmarrje zjarri. Të tjera të dhëna i konsideronin ata kanibalë. Të gjitha burimet theksonin që ata kombinonin natyrën humane me atë të bishave. Klaudius Aelian (175 – 235, veprat kryesore e të cilit është “De natura Animalium” – “ Natyra e Kafshëve”, “Varia Historia” – “Disa Histori”),  promovon ekzistencën e Kokëqenve apo edhe deviacione të tjera më monstruoze. Njerëzit me kokë qeni raportohen gjithashtu në mesjetë nga eksploruesit  Marko Polo (1254-1324),  Kristofor Kolombi (1450-1506, ka emrin e Shën Kristoforit), apo edhe nga eksploruesi dhe hartografi i shquar turk Piri Reis (1465/70 – 1553, autor i “Kitab-i Bahriye” –  “Libri i Lundrimit”).

Më në fund, Kokëqenët shfaqen edhe në legjendat kineze, siç duket në shkrimet e quajtura “Historia e Dinastisë Liang”. Misionari budist Hui-Sheng përshkruan një ishull në lindje të Fusang i cili banohej nga krijesa Kokëqensh. Ky ishull i referohet Japonisë, ose Amerikës. Historiani Li Yanshou, gjithashtu përshkruan një mbretëri qensh në “The History of Northern Dinasties” -” Historia e Dinastive Veriore”.

Por, ndoshta, më të pranueshme e më të asimilueshme janë shkrimet konservatore agjiografike e biblike. Sepse çdo gjë e pamundur është e mundshme në Bibël. Gjigantët në Bibël dhe traditën e krishterë interpretohen si pasardhës të Kainit, barbarë, monstruozë, kanibalë, të cilët për nga trupat e tyre shumë të mëdhenj përfaqësojnë ekstremin e vetë trupëzimit. Në librin  “City of God” – “Qyteti i Zotit”, të shkruar nga filozofi dhe teologu Augustine nga Hippo (354 – 430), në Librin XIV, kapitulli 8, konfirmohet se të krishterët kishin historinë e “Abominable” – “I neveritshmi”, i cili kishte fytyrën e një qeni dhe jetonte në qytetin e kanibalëve. Po ashtu ata konsiderohen si “pasardhës të degjeneruar të Adamit”. Madje në ilustrimet e ikonave  pikturave  murale të “Gjyqit të Fundit” shumë nga këto kafshë gjysmë humanoide shfaqen si “prokurorë”, “gjykatës” dhe persekutorë ekstremë ekzekutues të racës mëkatare njerëzore.

Paul Deacon (Paulus Deaconus,  720 – 799) në librin e tij “Historia gentis Langobardorum” aparenca e kokëqenve konsiderohet jokristiane edhe pse mund të jetë e vërtetë, ashtu si edhe tregimet e Mbretit Artur, ushtarët e të cilit luftuan me krijesa kokëqeni, apo kokëçakalli. Këto legjenda konsiderohen si trajtesa negative të trashëguara dhe të abandonuara në shoqërinë e sotme.

Photius (810 – 893, patriark ekumenik i Kostandinopojës 858-867 dhe 877-886, i cili njihet edhe si Shën Foti i Madh) pranon  si të mirëqena krijesat gjigante me trup njeriu e kokë kafshe.

Ndërkohë sipas burimeve tradicionale, një legjendë  nga  Qipro  e trajton legjendën e Shën Kristoforit me Kokë Qeni në këtë version erotik:  Ai ishte aq i fisnik e i bukur sa tërhoqi vëmendjen e vajzave të reja. Kur ai u pagëzua, iu lut Zotit që t’ia ndryshonte fytyrën në mënyrë që ato të mos tundoheshin prej tij.  Zoti iu përgjigj lutjeve  dhe i dha fytyrës së tij pamjen e një Kokëqeni.

Nga të gjitha asociacionet e mësipërme duket se krishtërimi  ka reflektuar në shkrime dhe imazheri pozitivisht faktin mitologjik të ekzistencës së njerëzve gjigantë me fytyrë kafshe (kryesisht qeni apo çakalli) që jetonin në fund të botës, në fund të vetë  njerëzimit  dhe  e ka shfrytëzuar atë në kontekstin fetar për interesat e saj shpirtërore ndaj besimtarëve.

Në të vërtetë paraqitja e  njerëzve me kokë qeni shfaqet në ikonografinë ortodokse të Lindjes e në mënyrë të pavarur, së pari në një sërë ikonash të Pentekostit (Ikona tregon apostujt të ulur si në Malin Sion, që përfaqësojnë komunitetin e Parë të Kishës, fillimin e Kishës së Krishtere. Ata formojnë një gjysmë rrethi për të shprehur unitetin e Kishës,  Trupin Mistik të Krishtit. Ikona nuk është  përshkrim i ngjarjeve historike të Pentekostit, por ajo tregon që kjo është një ngjarje e madhe për të gjithë kohën.);   dukshëm në dorëshkrimet armene, por edhe në imazhet perëndimore. Madje në ikonën Pentikosti, ndonjëherë, ky njeri hibrid vendoset në qendër të derës, ose më vete nga se ai konsiderohej si raca më e vjetër (më e largët) paraardhëse e njerëzimit. Fjalët e Krishtit në Ungjillin e Joanit (10-16) tregojnë se kanë qenë shumë turma jo të krishtere nëpër botë që kishin nevojë të baritoheshin. Madje  ekziston edhe një ilustrim pamor  që përshkruan Krishtin duke i  predikuar një njeriu me kokë qeni.

Por ka edhe disa imazhe të tjera ku njerëzit me kokë qeni paraqiten si armiq barbarë që kanosin Krishtin. Madje disa herë ata shihen si raca që ndeshen në misionin e apostujve. Ndërkaq  në historinë e  Shën Merkurios (Merkurit, edhe ky një kokëqen që u konvertua në kristian dhe mori pamje të plotë njerëzore) këto  krijesa vigane u zgjodhën nga vetë Merkuri për të luftuar mbi armiqtë e Perandorisë Romake, në kontekstin se si romaket dhe kristianët e mëvonshëm përdorën Barbarët për të stopuar avancimin e Islamit në Evropë, ose se si princi i Kievit i konvertuar në kristian siguroi perandorin në Kostandinopojë me një roje personale varingiane (monstruoze).

Të gjitha këto realitete virtuale dhe imagjinare transhendentale janë mitra nga lindi kulti i Shën Kristoforit me kokë qeni, i cili u shpërnda pothuajse në të gjithë aeralin kristian të mesjetës së hershme dhe më vonë. Kumti i tij alegorik kristian u bë ndihma që ai i dha Krishtit (fëmijë), birit të Zotit për të kapërcyer lumin e stuhishëm, pas të cilit hapej bota e tërë për të shpërndarë mesazhin e Tij. Narracioni religjioz i krishterë bën edhe disa paralele të tjera në retrospektivë duke jua atribuar ato disa prej ngjarjeve të rëndësishme biblike si: konfirmimit që Krishti ishte një njeri material (prej mishi dhe gjaku);  përmbytjes apokaliptike në kohën e Noes (Bibël – Gjeneza), ndërtimit të arkës së tij shpëtuese dhe fillimit të një bote të re humane të pakorruptuar; kapërcimit të Detit të Kuq nga izraelitët; zhvillimit të disa betejave dhe eventeve biblike pranë lumenjve; simbolit të ritit  të pagëzimit si parambrojtje nga mëkatet shpirtërore në lumin Jordan, etj. Pra në një fare mënyre tradicionale mistika fetare e konsideroi të arsyeshme për ta  bërë të qenësishëm e  të  pranueshëm Shën Kristoforin me kokë qeni si një personazh që mund t’i shërbente asaj në propagandën për  përhapjen e krishtërimit dhe konvertimin e shumë “kombeve nën kupën e qiellit” (edhe atyre gjysmëhumanoidë) në të krishterë. Ky pranim u reflektua edhe në mjetet e mënyrat e predikimit, ku ikonat zinin një vend të posaçëm besimi, devocioni e veneracioni, sidomos në krishtërimin ortodoks lindor. Në këtë mënyrë reflektuan edhe ikonografët bizantine e pasbizantinë duke krijuar modelin e paraqitjes së Shën Kristoforit,  duke e futur atë në manualet e tyre profesionale dhe duke e përhapur atë në të gjitha skajet e perandorisë së krishterë. Nga ana tjetër, besimtarët, si praktikues të përpiktë e të përulur të adhurimit shpirtëror  të ikonave, por jo plotësisht të informuar për të vërtetat relative, e pranuan këtë shenjtor martir, kalorës të krishtërimit dhe një prej 14  protektorëve të shumë situatave të vështira në jetën e tyre. Aq sa sipas një gojëdhëne, ai që shkonte në kishë dhe falej para Shën Kristoforit nuk mund të vdiste atë ditë, çka i bënte njerëzit të shkonin e të faleshin para tij sa më dendur.

Një tjetër argument që kulti i Shën Kristoforit u pranua dhe u përhap gjerësisht është fakti që emri i tij, edhe si rezultat i kultit të tij fetar, u popullarizua në mënyrë ekstensive, aq sa edhe  sot mijëra e mijëra njerëz mbajnë dhe trashëgojnë emrin e tij në të gjithë botën kristiane të të dy krahëve në versionet  lokale si Christopher, Hristoforos, Kristofor (shqip), Kristof, etj.

Por, ndër të tjera, teologët dhe studiuesit ekumenikë të agjiografisë dhe ikonografisë së krishtere kanë konstatuar se me kalimin e kohës, si rezultat edhe i evolucionit të njohurive shkencore mbi botën dhe presionit të besimtarëve të rinj më të ditur se  më të vjetrit, kishin filluar të mos e suportonin vizualisht dhe emocionalisht paraqitjen e Shën Kristoforit me kokë qeni, po ashtu si edhe një shpurë kritikësh të moderuar të Shënjtologjisë kristiane. Në mënyrë të heshtur e natyrale kërkesat ndaj ikonografëve dhe freskorafëve për këtë version Kristofori me kokë qeni ardhën duke u pakësuar vetiu, apo u shmangën qëllimisht nga patriarkët ekumenikë. Kështu dihet që “Sinodi i Shenjtë Ekumenik” në vitin 1722 e mënjanoi Shën Kristoforin me kokë qeni nga  shenjtorët kanonikë formalë,  duke e rikonsideruar atë si një shenjt periferik e provincial të lirë për t’u nderuar nga besimtarët kudoqofshin ata. Madje ky vendim ngjalli një reaksion nga besimtarët e vjetër konservatorë duke u vlerësuar si një persekutim i “status quo” -së së Kishës, të cilët e vlerësuan këtë vendim si  një lëvizje antikrisht.  Ata vijuan ta pikturojnë e nderojnë atë edhe më tej. Sidoqoftë, version i shenjtorit me kokë qeni u rrallua dhe vendin e tij e zuri version i tij që sot ikonizohet si një njeri gjigant me fytyrë humane duke mbajtur në sup Krishtin fëmijë midis ujërave të një lumi, mesazhi i të cilit nuk  devijon spiritualisht.

Nga gjurmimet dhe referencat tona  të shumta mbi kultin e ikonës së Shën Kristoforit me kokë qeni dhe posaçërisht për ikonën e rrallë të Muzeut të Artit Mesjetar, Korçë, duke iu referuar gjerësisht e thellësisht argumenteve shkencore kontemporane, kozmologjisë dhe  mitologjisë tradicionale dhe eklisiastike na rezulton se zanafilla e krijimit të kultit të Shën Kristoforit me kokë qeni ka më shumë gjasa ta ketë burimin tek besimet pagane e  politeiste të Afrikës Veriore. Atëherë ky vend konsiderohej një realitet i panjohur, pra në fund të Botës dhe Njerëzimit, ku jetonin humanoidë gjigantë monstruozë e me tipare qeni apo çakalli. Nga kjo periudhë vijnë disa foto të Zotit Anubis me kokë qeni apo çakalli si shprehje e një kulti, i cili ishte i lidhur me procesin e vdekjes,  mumifikimit dhe jetës pas vdekjes. Pra pas vdekjes së dikujt, ai duhej të mumifikohej, të kapërcente lumin Styx për të arritur në Duat, një shpellë nën tokë. Këtu, në Korridorin e Dy të vërtetave, Anubis duhej të peshonte zemrën e të vdekurit si një gjyq  i fundit. N.q.s zemra e dikujt ishte më e rëndë se e atit të Ma’at, symbol i së vërtetës, Anubis mendonte padenjësinë e pavdekshmërisë dhe e  hidhte mumjen në një liqen zjarri ku do ta shqyente krokodili me kokë demoni Ammit. Në  artin hieroglifik Anubis vendoset zakonisht poshtë peshores së gjykimit.

Alibi linguistike…?

Por si mund të shplekset misteri, apo enigma e Shën Kristoforit me Kokë Qeni nën këndvështrimin e gjithë këtyre narracioneve të traditave  mitologjike, legjendare e religjioze?

Së pari:fenomeni jo rastësor  i njerëzve me kokë qeni njihet që në lashtësi me termin “Cynocephaly” i cili është marrë nga fjala latine “cynocephalus” që përkthehet “kokë qeni” dhe  i ka rrënjët nga greqishtja “???????????”. Parashtesa  ‘cyno’ vjen nga greqishtja ‘????’ që do të thotë ‘qen’. Prapashtesa ‘cephalic’ rrjedh nga fjala latine ‘cephalicus’, që përkthehet “kokë”me prejardhjen e saj nga greqishtja  ‘?????????’ (kefalikos)  nga ‘?????? (kefali)  d.m.th “kokë”. Etimologjia e tillë e zbërthimit të termit cynocephali mund të përbëjë një prej çelësave të zbërthimit ikonës së Shën Kristoforit me Kokë Qeni.

Së dyti: Siç është përmendur edhe më lart Reprobus (Shën Kristofori) e kish prejardhjen nga një regjion që quhej Canaan (në shkrimet e Hebrejve, por edhe në Testamentin e Ri ky vend  përmendet shumë herë dhe i referohet Tokës së Premtuar, Levantit Jugor në Lindjen e Mesme  Antike (aeralit Izrael, Phonecia, Philistia, apo sipas Librit të Gjenezës ky rajon shtrihej midis Libanit jugor në Përroin e Egjiptit dhe në lindje të Luginës e Lumit Jordan. (Wikipedia: Caanan, ose sipas Biblës d.m.th Toka e Izraelit, rajon që për një periudhë kohe ka qenë koloni e Mbretërisë së Egjiptit). Sipas studiuesve e linguistëve modernë  të shkrimeve të vjetra kishtare fjala Canaan (vendorigjina e Reprobusit dhe e varrimit të Shën Kristoforit) në legjendën e Shën Kristoforit është konfonduar në transliterim, përkthim apo interpretim me fjalët ‘canine’ ‘cyno’ ‘????’ që përkthehen si “qen”.  Ky keqkuptim, keqpërkthim apo keqinterpretim i mundshëm, sipas kritizerëve të “Shën Kristoforit me Kokë Qeni” duhet të korrigjohet, që do të thotë një revizionim në ikonografinë e “Shën Kristoforit”

Së treti: Për koincidencë gjatë kohës kur  jetoi,  predikoi, u martirizua dhe u varros Shën Kristofori, në Egjipt u krijua edhe kulti i një shenjtori tjetër të quajtur Shën Menas (Mina) (L~ 280) , i cili po ashtu ishte ushtar romak, bir asketësh i konvertuar më vonë në kristian, mbrojtës i shitësve e pelegrinëve e zanatçinjve, i cili pasi u martirizua po në Antioch (ashtu si Shën Kristofori), ia çuan eshtrat në vendlindje, Egjipt dhe e varrosën brenda një kishe koptike. Për hir të kësaj rastësie u krijua një interferencë, apo mbivendosje ekuivokë  e këtyre dy shenjtorëve dhe ata u identifikuan si një i vetëm, ku predominoi ai i Shën Kristoforit, pra i Krishtmbajtësit, epitet gjinisor që iu atribuua edhe Shën Minait, i cili, sidoqoftë vijoi të venerohet ikonografikisht  në kishat e Lindjes, Perëndimit, por sidomos në kishën koptike të Egjiptit..  (“The Origin of the Cult of St. Christopher”.) (D.H. Farmer, The Oxford Dictionary of Saints (3rd ed.: Oxford, 1992), 97-98; or the note by V. Saxer in A. di Berardino (ed.), Encyclopedia of the Early Church I (Neë York, 1992), 165.).  Pra ky konfondim ambiguin krijoi tek patriarkët e narratorët eklisiastikë të mëvonshëm një premisë dyshimi e amullie në historinë agjiografike të Kristoforit me Kokë Qeni, patriarkëve “kundërshtarë” të të cilit u krijoi dyshime mbi këtë shenjt superman e Kokëqen që “shqetësonte shpirtrat e tyre” e që duhej të krijonin këtë alibi etimologjike.

Dhe historia e Kishës së Krishtere në mënyrë të pakumbueshme e graduale, por jo dogmatike e zbehu kultin e imazhit cynocefalitik të Shën Kristoforit, aq sa në “Sinodin e Shenjtë Ekumenik” të vitit 1722 e zbriti nga hierarkia e shenjtëve kanonikë, por nuk e ndaloi nderimin e kultit të tij që, më tej, vijoi të predikohej vetëm në kisha periferike e famulli të vogla e të largëta dhe kjo ndikoi që ikona e tij me kokë qeni të rrallohej së pikturuari derisa shteri thuajse fare.

Ja pse ikona e Shën Kristoforit me Kokë Qeni e Muzeut të Artit Mesjetar, e pikturuar në vitin 1812,  mbetet një vepër e rrallë ekzotike e artit pasbizantin në Shqipëri e më gjerë. Ajo është një vlerë e shtuar e ikonografisë shqiptare, një gur mozaiku në artin  tonë të vyer  kristian,  që imponon një vendqëndrim kureshtjeje të posaçme për të gjithë vizitorët e studiuesit dhe përbën një pikë reference në historiografinë e artit zyrtar të Perandorisë Bizantine.

SHKARKO APP