Shengeni Ballkanik! Ku po shkojmë?

Nga: Pano Soko

Kjo puna e Shengenit Ballkanik më kujton një shprehje popullore “Të zinjtë kolonjarë, vanë për bar, e morën trarë..” Po pavarësisht të gjithave. Hajde për një moment abstragojmë nga fakti që Rama po e bën këtë si kundër-përgjigje për mos-hapjen e negociatave nga BE (të cilat realisht nuk u hapën si përgjegjësi e plotë e Qeverisë shqiptare). Dmth po i thotë Europës “Ju s’më merrni në Bruksel, unë shkoj në Novi Sad nga inati.”

Gjithsesi le ta shohim të zhveshur nga kjo. Pyetja që unë kam është “Ku po shkojmë?” Iniciativa të tilla më shqetësojnë vërtet.  E para sepse jam i paqartë. Është një projekt i paqartë, peng i një tog-fjalëshi shabllon, por aspak transparent.

-Kush është qëllimi i këtij operacioni?
-Sa i thellë do të jetë fuzioni mes vendeve? A flitet për një union doganor, apo shkon edhe më thellë?
-A ka një projekt të qartë nga A-ja te ZH-ja apo është një gjë “Të dali ku të dali”?
– A ka një shqiptar që e njeh gjithë projektin?
Në thelb po shesim pjesë të sovranitetit ekonomik kombëtar, a jemi të qartë për këtë?Nëse po, a po përfitojmë gjë nga kjo?
A ka dikush që e di t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve?

E dyta. A e kanë të qartë ata që e mbështesin këtë projekt se qendra e gravitetit ekonomik të rajonit është Serbia?

Të jesh qendra e gravitetit ekonomik do të thotë të kesh shifrat më të mëdha ekonomike dhe të kapitalit të dislokuar, popullsinë më të madhe dhe më të pasur, popullsi me “know-how”-n më të lartë dhe me moshën më të re.

Serbia ka GDP 3 herë më të madhe se e jona, ka 2.5 herë më shumë banorë, dhe e ka GDP për frymë 130% sa e jona. Marrveshje të tilla FTA, natyrshëm që favorizojnë më të madhin në kurriz të më të dobtëve. Sillni në mend Gjermaninë në Europë. Në këtë lojë, size does matter (madhësia ka rëndësi).

Logjikisht, nëse një bulldogu dhe një chihuahua, nuk i ushqen më në tasa veç e veç, por racionin e të dyve ua hedh në një tas të përbashkët, është bulldogu ai që do të hajë dhe nga racioni i chihuahua-s. E kundërta s’ka shance të ndodhë.

E treta. Ku po shkojmë? A e dimë se ku po shkojmë? Personalisht më duket sikur po i hyjmë një rruge qorre, që një dreq e di se ku na nxjerr. Varësia ekonomike, sjell ndërvarësi politike, thotë një postulat. Nuk do të doja të ishte ky rasti që do ta provonte këtë..

E katërta kush u pyet për një operacion të tillë? A u hap diku një debat publik për këtë? A u pyet populli a do, a s’do? Për vendime të tilla strategjike, nuk mjafton autoriteti i një Kryeministri apo qoftë edhë një mazhorance. Këto janë orientime strategjike. Duhet konsensus kombëtar.

Projekti ynë i qartë duhet të jetë fuqizimi i ekonomisë tonë. Kaq! E rëndësishme është mirëqënia e shqiptarëve. Këtë a e bëjmë dot? Ky është misioni. Hajde mos ngatërrohemi kot me projekte të mëdha me ekuacione të komplikuara matematikore që s’kemi veshka t’i mbajmë. Se unë për një gjë jam i sigurtë: – Vuçiçi, kur e prezantoi këtë projekt si propozim disa vjet më parë, është e sigurtë që nuk e bëri se mendonte më të mirën e shqiptarëve. Nuk e di a mendonte për të keqen e tyre apo jo, por që e mira e shqiptarëve nuk ishte ajo që kishte në mendje, për këtë jam i sigurtë. Kështu që Rama duhet të mendohet mirë kur jep mbështetje pa kushte. Shqiptarët duan të shkojnë në Europë. Nëse Rama ka plane të tjera, për ndonjë destinacion tjetër, të marri gruan dhe kalamajtë e vet dhe të shkojë vetë aty. Kalamajtë e mi dua t’i çoj në Europë.

SHKARKO APP