Shengeni i Vogël apo Hileja e Madhe?

Nga Arian Galdini –

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

1. Presidenca Juncker.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që ditën e parë kur sapo mori detyrën e tij si President i Komisionit Europian, z. Juncker deklaroi se gjatë Presidencës së tij nuk do të ketë zgjerim të BE.
Dhe ashtu ndodhi.

Swiss Digital Mobile Reklama

2. Proçesi i Berlinit.

Si alternativë administruese ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa portat e Europës u ishin mbyllur, Krerët e BE vendosën të krijojnë një mirazh europian të cilin e quajtën Proçesi i Berlinit.
Nuk u kujdes më askush në Europë për të gjetur shtigjet dhe mekanizmat që do ti përafronin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me BE, por u shpik Proçesi i Berlinit për të shëtitur 6 liderë të korruptuar ballkanas, me dosje pune në duar, nëpër Kryeqytetet e Europës.

6 liderët e korruptuar ballkanas u pëdorën nga Europa, për të krijuar iluzionin e një ndihmese ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimit dhe përshpejtimi të Integrimit.

E vërteta është se Proçesi i Berlinit ishte fillimi i Limbos, as në BE e as jashtë Europës, për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

6 liderët e korruptuar fituan legjitimitet nëpërmjet marrëdhënies speciale me Kancelaren Merkel dhe fotove të rastit që u jepeshin si shpërblim për rolin e tyre si pezullues vullnetarë të Integrimit të vendeve të tyre në BE.

Me fotot me Merkelin dhe liderë të tjerë të BE dhe vendeve të BE, me deklaratat e pakursyera mbështetëse si shpërblim për rolin pezullues, 6 liderët e korruptuar të Ballkanit a dolën ti mbysin krejtësisht të gjithë zërat kritikë dhe opozitarizmin në vendet e tyre.

6 autoritarë të korruptuar të shëtitur si arlekinë në barkën e Proçesit të Berlinit, nëpër kryeqytetet europiane ia dolën ta shuajnë e zhbëjnë demokracinë në vendet e tyre dhe bënë çfarë deshën me të tjerat.

Psh, Edi Rama mbolli kanabis sa deshi, krijoi Oligarkët që deshi, e mbyti ekonominë shqiptare me taksidarë shteti e bandash, e mbërtheu çdo pushtet me horra, cuba e kriminelë, e zhyti Shqipërinë në borxhe të paimagjinueshme me PPP e Konçensione, u bë garanti i malavitës dhe dyndi Europën me azilantë shqiptarë të dëshpëruar dhe me kanabis, kokainë e heroinë, i ngjiti shkallët e korrupsionit në përmasa të paimagjinueshme, e ka bërë Qeverinë dhe qeverisjen si kuplaranë e tij personale, e përsëri, mbështetja europiane për të ka qenë e padrojë e shpesh e pacipë.

3. Shkëmbimi i Kufijve.

Kur Proçesi i Berlinit po dilte boje sepse nuk po jepte asnjë zgjidhje, asnjë shpresë e asnjë ndihmë, u aktivizua plani tjetër.

Iu kërkua arlekinëve të korruptuar të Ballkanit që të zihen mes tyre.

Këtu hyri në lojë Hashim Thaçi i pari e pastaj Vuçiçi dhe patjetër edhe vëllami i tyre Edi Rama.

Askush nuk e ka pasur ndonjëherë realisht dhe seriozisht tezën e shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të gjithë e dinë se është e pamundur dhe e vdekur si ide.

Por plani është tjetërkund.

Spiralja e konfliktualitetit të lartë me fjalë e përplasje mes mbështetësve të shkëmbimit të kufijve dhe kundërshtarëve të saj, do të ndihmonte në disa fronte.

Si fillim do krijohej vetëpezullimi kombëtar i këtyre vendeve drejt Europës, sepse marrja e rolit mbështetës për tezën e shkëmbit të kufijve nga Mogherini dhe Hahn, do ta përvijonte BE si armik të çështjes kombëtare për shqiptarët, psh.
Më tej, fabula do të ishte e thjeshtë.
Franca dhe Macron do të mbështesnin Serbinë dhe shkëmbimin e kufijve, ndërsa Gjermania dhe Merkel do ta kundërshtonin tezën, duke u shfaqur si mbështetës të shqiptarëve.

Në këto kushte, të 6 vendet e Ballkanit, nuk do të flisnin e as aspironin më për Integrimin Europian, por do të kaurdiseshin me nevojën e tyre ekzistenciale për mbijetesë.

4. Macroni bllokon Integrimin.

Nën këtë frymë dhe plan, Europa vendosi të ndajë rolet mes policit të mirë dhe policit të keq.

Macroni mori rolin e policit të keq dhe Merkel mori rolin e policit të mirë.

Merkeli u bë luftëtarja e Integrimit kur Macroni u shndërrua në Antiheroin e Bllokimit.

Dhe ja ku jemi. Presidenca Juncker u përmbyll pa zgjerim të BE.

E tillë do të përmbyllet edhe Presidenca e re e BE, e ish-Ministres së Merkelit.

Faktet janë kokëforta.

Presidencën e BE e ka disenjuar dhe kontrollon Kancelarja Merkel.

Nëse Presidentja e BE nuk e ka në programin e saj të punës dhe në axhendën e saj, zgjerimin e BE, nuk do të ketë zgjerim të BE.

Të tjerat janë lojëra dhe fjalë.

Merkeli dhe Macroni janë duke bërë të njëjtën lojë, thjesht kanë ndarë rolet, polici i mirë – polici i keq.

5. Shengeni i Vogël.

Për sa kam shkruar sa më sipër, unë mendoj se Shengeni i Vogël është vijimësi e të njëjtës lojë.

3 vendet nënshkruese, kanë marrëveshje të tregëtisë së lirë, e kanë të gjithë mundësinë që me marrëveshje dypalëshe ti lehtësojnë pafundësisht barrierat tregëtare, doganore, kufitare, etj, etj. Hyrja në një territor termash pakuptim e projektesh pa asnjë qartësi e objektiv, tregon se loja vazhdon.

Pikësëpari, Shengeni i Vogël e ka kthyer KM e Shqipërisë në Drejtor të Marketingut të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçit.
Së dyti, Shengeni i Vogël është rrethimi dhe izolimi i radhës i Kosovës.
Së treti, rezulton se taksa 100% e Ramushit paska qenë prishje e lojës. Ndaj Shengeni i Vogël është masë sigurie e Serbisë, Ramës e të tjerëve për të rrethuar Kosovën e për ta bërë atë më të brishtë.
Me shumë gjasa edhe fitorja e VV dhe LDK në Kosovë e ka prishur përsëri lojën.
Për këtë, Shengeni i Vogël vjen si lak trysnie që shtrëngohet në fytin e Qeverisë së Kosovës.

Jo më kot Hashim Thaçi rendi dje të deklaronte se ai dhe Macroni biseduan për rinisjen e samëparshme të Dialogut Kosovë – Serbi.
Tek Macroni bllokues i Integrimit, Hashim Thaçi gjeti interlokutorin zhbllokues të Dialogut.

Me pak fjalë, 3 apo 6 arlekinët e korruptuar të ballkanit po përdoren kundër popujve të tyre.

Duhet ti themi të vërtetat dhe të ballafaqohemi me dinjitet me këdo.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?