Shitjet me pakicë – U rritën me 3.2% për tremujorin I

Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën me 3.2% në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, rritja me bazë vjetore e shitjeve me pakicë ishte në të njëjtin nivel me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Megjithatë, po të përjashtojmë segmentin e karburanteve, rritja e shitjeve me pakicë ka qenë më e lartë. Duke përjashtuar hidrokarburet, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me 3.5%, nga 2.6% që kishte qenë rritja në tremujorin e tretë. Kjo tregon se shitjet e karburanteve dhanë një efekt frenues te rritja e tregtisë me pakicë në ekonomi. Ndërkohë, ndikimin kryesor pozitiv e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet jo-ushqimore, me një rritje vjetore 3.8%.

Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total. Megjithëse në tërësi rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë më e ulët se vitin e kaluar, duket se kontributi i konsumit është në përmirësim, të paktën për tremujorin e parë.

Rritja e shitjeve me pakicë tregon një tendencë në përmirësim të konsumit privat, i mbështetur nga ulja e papunësisë, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë për këtë qëllim.

SHKARKO APP