Shkencëtarët e Barcelonës po përgatisin testimin e COVID-19 brenda 30 minutave, mes tyre dhe një shqiptar
“Gjendja në Spanjë është e rëndë” thotë doktor Arben Merkoçi, profesor dhe drejtor i një grupi shkencor mbi nanobiosensorët në institutin katalan të Nanoteknologjisë në Barcelonë në një lidhje me skype me gazetaren Beti Njuma në studion e TV Ora.
Numri i të infektuarve në Spanjë po i afrohet 100 mijë, ndërsa i viktimave ka kaluar në 8200.
“Shpresë janë shërimet. Numri i personave të shëruar ka kaluar 19 mijë dhe këto shifra “japin shpresë për një normalizim të gjëndjes në 1 apo 2 muajt e ardhshëm.” thote doktor Merkoçi.
Pikërisht çfarë po kalon Spanja dhe të gjitha shtetet e tjera tregojnë sesa i rëndësishëm është diagnostikimi, pikërisht fusha ku ai punon
Grupi shkencor pjesë e të cilës është dhe Merkoçi po punon për realizimin e një testi masiv me kosto të ulët dhe që do të bëjë identifikimin dhe diagnostikimin e infektimit në më pak se 30 minuta. Ky projekt i është dorëzuar Komisionit Europian.
Rëndësia e diagnostikimit
Arben Merkoçi: “Në Spanjë pati një luhatje të të dhënave statistike. Në fillim u fol për një rënie të infektimeve më pas u fol për një rritje dhe të gjitha vinin ndoshta nga diagnostikimet, pasi u bënë më shumë teste që bënë të mundur të shihej se kishte më shumë raste të infektimit. Dua të them në një situatë të tillë është shumë e rëndësishme testimi në mënyrë që të ndalohet përhapja e infektimit. Diagnostikimi është shumë i rëndësishëm pasi të nuk mund të ketë trajtim dhe mjekim të të sëmurëve.”
Testet me kosto të ulët
Merkoçi zbulon se po punohet për të pasur teste me kosto të ulëta dhe të ngjashme me testet e shtatzanisë
Arben Merkoçi: “Ne po mundohemi të shkojmë përpara për të pasur teste me kosto të ulët. Ka nevojë për një numër të jashtëzakonshëm testesh, miliona. Llojet e testeve aktualisht kanë problemet e tyre pasi kostoja është e lartë. Po flas për teste me kosto të ulët të ngjashëm me teste të shtatzanisë. Ka teste të lira por kanë probleme të mëdha dhe duhet ende punë për tu bërë të besueshme”
A duhet dhe Shqipëria të bëjë testimin masiv?
Merkoci nënvizon se analizat masive janë shumë të rëndësishme por kuptohet që kostot duhet të jenë të përballueshme
Arben Merkoçi: Patjetër, këtu në Spanjë ka testime në të gjitha drejtimet, edhe ato masive. Këto testime janë më të lira por që kanë të bëjnë me testimin e disa antikorpeve që krijohen pasi pesoni është infektuar. Është e nevojshme të standartizohen metodat dhe të ofrohen platforma që bëjnë një analizë shumë komplekse për të parë të gjithë parametrat.
Në Spanjë ka një kontroll të të gjitha këtyre por ka shumë gjëra për të përmirësuar. Edhe në Shqipëri ka shumë gjëra për tu përmirësuar . Analizat masive janë shumë të rëndësishme, kuptohet nëse ka dhe teste të cilat janë me një kosto të përballueshme dhe nuk e di nëse ka të tilla.
Projekti per testimin e COVID-19 ne 30 minuta
Doktori nënvizon nevojën për bashkëpunim global dhe diagnostikim të standartizuar dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve në këtë fushë. Pikërisht në këtë kuadër është dhe projekti që grupi shkencor mbi nanobiosensorët në institutin katalan të Nanoteknologjisë në Barcelonë ka dorëzuar sot
“ Sot dorëzuam një projekt të madh europian për detektimin e COVID e cila nëse do të jetë e sukseshme do të financohet nga KE dhe Organizata Europiane farmaceutike. Ne nuk duam të krijojmë pritshmëri falso përpara qytetarëve.Mendojmë që kjo do një praktikë shumë të kujdesshme. Për tju dhënë një shembull, për këtë projekt që sapo dorëzuam, sot ishte afati i fundit, KE kërkon një zgjidhje për 3 vjet por në fazën e parë që është më pak se një vit ne kemi premtuar që nëse do na japë financimin të japim një pjataformë që bën amplifikimin dhe dedektimin e shpejtë. Ajo që tani bëhet nëpër spitale për 3-4 orë dhe duke përfshirë dhe marrjen e kampioneve që mund të shkojë dhe në 2 ditë ne duam ta bëjmë për më pak se 30 minuta, bëhet fjalë për pjesën gjenetike. Ndërsa të tjerat duam të ofrojmë pjataforma të cilat janë multiparametrike, në mënyrë që kur të bëhet një analizë të shikohet në mënyrë globale gjëndja e të sëmurit dhe të personit të infektuar dhe të merren masat e duhura pasi tani merren analiza individuale. Ne duam të ofrojmë pjataformë multiparametrike që është shumë e rëndësishme për një diagnostikim korrekt të infektimit”