Shkencëtarët zbulojnë “nënshkrimin” e COVID-19 në organizëm

Sëmundjet e mushkërive mund të jenë vetëm maja e ajsbergut për të sëmurët me COVID-19, hulumtimi i ri australian tregon se virusi lë një “nënshkrim” biokimik të përzier diabeti, mosfunksionimi të mëlçisë, inflamacioni akut dhe rreziqesh kardiovaskulare të shtuara.

Studimi u krye nga Qendra Kombëtare Australiane Phenome (Anpc) e Universitetit “Murdoch” në Perth, në bashkëpunim me spitalin “Addenbrookes” të Kembrixhit, nga ku u morën mostrat e pacientëve për të ndjekur fazat e shërimit dhe ndikimet afatgjata të COVID-19.

“Studimi identifikoi një nënshkrim shumë të fortë biokimik në pozitivitetin ndaj virusit, i cili nuk lidhet drejtpërdrejt me sëmundjen e mushkërive”, ​​shpjegoi drejtori i Qendrës dhe pedagogu i Universitetit “Murdoch”, Jeremy Nicholson.

“Biokimia e personave të infektuar tregon diabet, mosfunksionim të mëlçisë dhe një ndryshim masiv në lipoproteinat e identifikuara si të lidhura me sëmundjen koronare të zemrës dhe rreziqet kardiovaskulare”, shtoi ai.

Sipas Nicholson, përqendrimi është në frontin e parë të kësaj sëmundjeje, në diagnostikimin dhe trajtimin e saj, si edhe në problemet serioze të mushkërive që ndodhin te disa pacientë.

Miliona njerëz në të gjithë botën janë infektuar me COVID-19, shumë nuk e dinë që janë të infektuar dhe shumë mund të përjetojnë efekte serioze shëndetësore afatgjata, si rezultat i infeksionit.

SHKARKO APP