Shkrimi shqip në fillimet e shekullit XVIII

Nga Renata Smaçi/Populli shqiptar është nga më të lashtët në Europë duke krijuar gjatë shekujve kulturë të pasur shpirtërore. Qindra vite luftë penguan dhe e vështirësuan rrugën e zhvillimit të letërsisë së shkruar që ndryshe nga fusha te tjera dokumentohet relativisht vonë. Nuk është e lehtë të hartohet një histori duke pasqyruar me hollësi procesin e zhvillimit të saj. Historia e letërsisë së vjetër shqipe njihet përmes veprave që kanë mbijetuar për shkak të veçorive te zhvillimit letrare të kohës. Shkrimet e kësaj periudhe pasqyruan zhvillimin kulturor dhe mendor te vendit. Në zhvillimin e këtyre veprave luan rol niveli i zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturor i vendit,  si dhe fakti që Shqipëria ishte nën ndikimin e pushtuesve. Me përfshirjen e trojeve tona në hartat e perandorisë së sulltanëve, u bë shkëputje nga zhvillimet e mëtejshme. Pushtimi osman ndikoi dhe në ndërprerjen e rritjes së shoqërisë shqiptare, të rritjes së nivelit arsimor. Rol të rëndësishëm luajnë jo vetëm kushtet historike, por edhe zhvillimi ekonomik-shoqëror. Sistemi feudal dhe pushtuesit osman patën ndikim negativ që çuan ne ndërprerjen e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Gjatë kësaj periudhe populli kishte arritur të shprehte kulturën përmes shkrimeve te vazhdueshme. Kërkimet e studimet që kanë të bëjnë me dukuritë kulturore e gjuhësore gjatë gjysmës së parë të shek XVIII janë gjallëruar më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Gjatë fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shek XVIII fillon një periudhë e re marrëdhëniesh mes shqipes dhe turqishtes. Një ndër faktorët që përcaktoi tiparet e këtyre marrëdhënieve, ishin ndryshimet ne jetën ekonomiko-shoqërore. Popullsia e qyteteve ndryshoi strukturën e saj duke e vënë në lidhje të drejtpërdrejtë e komplekse me jetën, kulturën turko-orientale. Kjo ndikoi në gjuhën tonë sidomos te leksiku i shqipes, ku huazimet nga turqishtja u bënë pjesë e gjuhës sonë. Depërtimi i turqizmave në gjuhën e folur e të shkruar të qyteteve të Shqipërisë sidomos në shek XVIII, duke e vështruar edhe në lidhje me zhvillimin e rrymës letrare që u quajt ”letërsia shqipe me shkronja arabe “ ose letërsia e bejtexhinjve e cila arriti kulmin e zhvillimit ne shek XVIII. Nga fundi i shekullit te XVII dhe fillimi i shekullit te XVIII filloi vërshimi i dukshëm i turqizmave, këtu përfshihen turqizmat e mirëfillte, por edhe fjalët me burim arab e persian që kanë hyrë në shqipen nëpërmjet turqishtes. Po te shohim si kriter historik për fillimet e depërtimit të turqishtes në gjuhën tonë janë që nga të folmet e arbëreshëve të Italisë, vihen re disa turqizma që kishin hyrë në gjuhën tonë, përpara sundimit osman në Shqipëri.

Këto turqizma i përkasin kryesisht fushës së orendive shtëpiake dhe nga terminologjia ushtarake. Qëndresa aktive e popullit tonë, kushtet historiko-shoqërore ku jeta e qyteteve ishte e paralizuar ndaj me të drejtë shekujt XV-XVIII janë quajtur periudha e parë e hyrjes së turqizmave në shqip1 A Krajni (Studime filologjike,1965).   Ka qenë periudha kur turqizmat kanë hyrë pothuajse vetëm nëpërmjet gjuhës së folur. Jeta ekonomike, politike në qytetet e Shqipërisë, nevojat e zhvillimit te zejtarisë e të tregtisë duke ndryshuar strukturat e popullsisë duke e vendosur në lidhje komplekse me kulturën turko-orientale. Gjatë kësaj periudhe numërohen rreth 1700 turqizma, 1500 arabizma dhe 500 persizma.

Pjesa më e madhe e veprave ka përmbajtje fetare, por u krijuan dhe vepra me karakter laik që e gjallëruan kulturën e qyteteve. Krijimi i gjuhës shqipe përbënte çast historik nga pikëpamja e zhvillimit te gjuhës se shkruar. Tingëllojnë dhe nota patriotizmi që paraqesin ndërgjegjësimin e masave popullore. Për të ndriçuar anën kulturore-letrare dhe atë gjuhësore nuk mund të nisemi vetëm nga kushtet që ndihmuan për zhvillimin e letërsisë së bejtexhinjve dhe me pas shuarjen e saj. Ne kohën kur Perandoria Osmane po merrte tatëpjetën duke forcuar trysninë gjuhësore mbi popujt e Ballkanit në veçanti popullit shqiptar. Krahas forcës së armëve e cila sa vinte e dobësohej përballe rritjes së qëndresës së popujve të robëruar e zgjimit te vetëdijes së tyre. Këto shkrime të fillimit të shekullit të XVIII ishin mozaik përzierjesh heterogjene, me huazime herë të përvetësuara thellë nga shqipja e herë të sipërfaqshme. Kjo periudhë njihet si më e vështira, pushtimi osman sistemi feudal ushtarak rrënoi zotërimet feudale duke u bëre pengesë në zhvillimin e vendit. Nga shekulli XVI- XVIII kultura ishte në duart e klerit. Pushtimet po shkatërronin me shpejtësi çdo themel të dijes, në veçanti kultura e krishterë po haste vështirësi. Shkollat katolike të ngritura në ndonjë fshat ose në ambiente kishash përgatisnin vetëm klerikë të cilët njihnin mirë gjuhën latine dhe italiane dhe jo gjuhën shqipe. Vatikani në kuadër të Kundërreformës nis reforma të cilat ndikojnë në fuqizimin e katolicizmit në vendet e Ballkanit dhe në Shqipëri duke lejuar të flitej dhe të shkruhej gjuha vendase. I gjithë materiali gjuhësor i përkiste shërbesave fetare, duke zëvendësuar gjuhën latine. Kjo gjuhë do të shërbente për të përhapur fenë prandaj veprat e fillimit të shek të XVIII kanë karakter fetar. Këto shkrime fetare do u vinin ne ndihmë edhe klerikëve. Ndaj te gjitha veprat që u përkthyen gjatë kësaj periudhe ishin me përmbajtje fetare në shërbim të riteve fetare, fesë. Katekizma nga latinishtja ose italishtja u zhvillua kryesisht ne Shqipërinë e Veriut duke i shërbyer gjuhës, pasurimit të saj duke u mbështetur te gegërishtja veriore. Gjate shekujve XV-XVII  panë dritën e botimit librat e shqipes së shkruar, ” Meshari” i Gjon  Buzukut (1555) dhe” E mbsuame e kreshtere “(1592) e Lekë Matrëngës. Në shekullin XVII ky prodhim letrar mori vrull të vërtetë me autorë si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani. Për të vazhduar me botimin shqip e latinisht të akteve të mbledhjes së parë të klerit katolik shqiptar, i njohur si “Kuvendi i Arbenit” (1706), më pas me vepra të tjera “Gramatika e parё e shqipes nё dorёshkrim 1710” dhe   ”Gramatika e Da Leçes 1716”. Të gjithë autorët janë pjesë e formimit të kulturës latine dhe italiane prandaj alfabeti latin është baza për një numër të konsiderueshëm fjalësh sidomos ato të natyrës fetare.

Nga një serë dokumentesh nga viti 1701 zë vend dhe Gramatika Da Leçes, ku pohohet që përveç gramatikës ka dhe një fjalor italisht-shqip madje një katekizëm dygjuhësh italisht-shqip. Mendohet që Da Leçe e mësoi shqipen në gjashtë muaj.

Zhvillimin e letërsisë fetare e ndihmoi dhe nevoja për dorëshkrime fetare në gjuhën shqipe, për t’i ardhur në ndihmë klerit. Gjatë kësaj kohe u përshtaten vepra me përmbajtje fetare, në shërbim të fesë dhe riteve të saj sidomos katekizmi nga italishtja. Nxënësit e shkollave fetare të Kurbinit dhe të Lezhës duhet që të fitojnë njohuri të plota në gjuhën latine dhe shqipe. Tekstet synojnë të nxisin jo vetëm formimin gjuhësor të lexuesve të tij, por edhe përdorimin e shqipes me funksione të reja sociale. Nuk mungojnë as raste kur teksti ka nxitur që në fillim lexues të tij për t’u marrë konkretisht edhe me njohjen dhe studimin shkencor të shqipes. Dhjetë vjet me vonë do të shpërndahet në Shqipëri gramatika e parë e gjuhës shqipe që hartoi at Francesco Maria da Leçe (1716). Në parathënien, Da Leçe shkruan se libri i tij nuk do t’u vlejë vetëm misionarëve italianë që të mësojnë gjuhën shqipe, por edhe popullit shqiptar. Në historinë e albanologjisë ai mund dhe duhet të vlerësohet edhe si finalizim i dëshirës së gjithhershme të klerit shqiptar për ruajtjen dhe përkujdesin e gjuhës dhe lëvrimin e shkrimit shqip. Këtë dëshire dhe synim e ndeshim thuajse në të gjitha tekstet e hershme të traditës letrare shqipe, duke filluar që nga teksti i Gjon Buzukut.

Gjuha dhe shkrimi dëshmojnë një bashkëlidhje të natyrshme me tekstet e mëhershme të letërsisë së vjetër shqipe të Veriut2 (Bardhyl Demiraj).  Një sërë dokumentesh nga viti 1701 në vijim, përfshirë dhe një autobiografi të shkurtër pohohet që Da Leçe ka shkruar një gramatikë të shqipes, një fjalor italisht-shqip si dhe një katekizëm dygjuhësh italisht-shqip. Sipas dokumenteve thuhet që Da Leçe e mësoi shqipen në gjashtë muaj. Në 300 vjetorin e gramatikës së parë shqipe shohim se si u shpreh Da Leçe për gjuhën shqipe  Gjuha shqipe ngjan pothuajse në çdo fjali me gjuhën italiane, pasi i dhanë të njëjtin kuptim gjuhës së folur si autorët toskanë: që do të thotë, është pasuri, ose art të flasësh dhe të shkruash mirë: mbështetur  në arsye, duke u përdorur nga autoritet e shkrimeve të shenjta,  së pari kanë rregulla me të shkruarin, apo të folurin mirë.

Që atëherë, gjuha shqipe ka ngjashmëri me shprehjen moderne, ndaj nuk e konsiderojmë të nevojshme të vendosim paralajmërimet e zakonshme për gjuhën moderne: duke qenë se mendimi im është vetëm zbatues  i studimit te zellshëm  plot dashuri, të punës së tanishme (aktuale): Jap ide, gjykoj me dëshirë ata të cilët dëshirojnë të mësojnë (këtë gjuhë) shprehjet me ndërtim të veçantë; të paktën duhet di të flasë mirë edhe italisht, atëherë lehtë mund të kthejë, të shfletojë nga mendimi gjuhësor në gjuhën shqipe. Ndërkohë le të fillojë nga shkronjat e para të alfabetit.

Këtu merr nismën për t’u studiuar dhe analizuar më gjatë gramatika e parë shqipe.

SHKARKO APP