Shkupi dhe Tetova me Shqipërinë, ndizen qirinj (FOTO)
Në Shkup dhe Tetovë mbrëmë janë ndezur qirinj për ata që humbën jetën në Durrës dhe vendbanime tjera që u përfshinë nga tërmeti në Shqipëri.
“Nga Dardania për Durrësin” ishte aktiviteti që u organizua në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ku u ndezën qirinjë në shenjë përkujtimi për viktimat dhe të pësuarit nga tërmeti në zonën bregdetare të Adriatikut në Shqipëri, përcjell INA. Dijana Toska nga këshilli organizativ ka theksuar se me këtë aktivitet kanë ndarë dhimbjen, kurajën, shpresën duke ndezur qirinj për ata që humbën jetën nga tërmeti në Durrës.
“Dardania është me Shqipërinë dhe gjithë ata që pësuan nga tërmeti i 26 Nëntorit”, ka nënvizuar Dijana Toska. Një aktivitet i ngjajshëm është zhvilluar edhe në sheshin e Tetovës me moton “Të mos përsëritet”, në shenjë solidarizimi dhe për të shprehur dhimbjen përmes ndezjes së qirinjëve.
“Duke u solidarizuar me familjarët e viktimave të tragjedisë së fundit në Shqipëri dhe për nderim të ditës së Flamurit, si dhe duke përcjellë me dhimbje gjendjen në Shqipëri, disa aktivistë nga OJQ të ndryshme, si dhe qytetarë të rastit nga Tetova përkrahëm moralisht dhe ndamë dhimbjen me banorët e Durrësit, Thumanës dhe mbarë Shqipërisë. Me këtë rast u ndezën qirinj në shenjë respekti dhe kujtimi për viktimat” ka theksuar Naim Iljazi nga këshilli organizativ. Në shumë komuna në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen aktivitetet e grumbullimit të ndihmave për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.