Shkurt ‘91, zbardhet raporti sekret për sindikatat

Rezistenca përballë pushtetit të kohës, ja historia e lëvizjeve të para të punonjësve të udhëhequra nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë

Nga Luan Shtëpani

“Solidaritet dhe sakrificë në emër të lirisë dhe demokracisë”. Kështu mund të përkufizohen lëvizjet e para të punonjësve të udhëhequra nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare. Sipas historikut  të BSPSH-së më 4 janar të vitit 1991, si rezultat i shtypjes së egër nga diktatura, kushtet e këqia të punës dhe të varfërisë ekstreme, në minierën “Demokracia” në Valias, filloi revolta e parë e punonjësve të kësaj miniere. Në ditën e parë të grevës, e cila ishte e para protestë në historinë e punonjësve shqiptarë gjatë 50 viteve të regjimit komunist, u kërkua: Të ngrihet paga 100 për qind; Shkatërimi i plotë i ish Bashkimeve Profesionale, që ishin rripa transmensioni të partisë në pushtet.; përmirësimi i kushteve të punës; largimi i administratës komuniste.  Në ditën e dytë u solidarizuan edhe minierat e tjera të Tiranës. E gjithë industria e nxjerrjes së qymyrit u paralizua. Përballë kësaj situate të rëndë, Qeveria u detyrua të realizojë kërkesat e minatorëve. Kjo grevë, tashmë, ka hyrë në “historinë e artë” të lëvizjes punëtore në Shqipëri. Ajo u mësoi  për herë të parë punonjësve shqiptarë se çfarë është protesta dhe i dha kurajon të ngrihen për të drejtat e tyre. Me themelimin e BSPSH, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë  (SPMSH) bëhet shtylla e saj kryesore, gjë që influencoi fuqishëm në krijimin e federatave të tjera të profesioneve.

 

 

Ngjarjet e shkurtit

Viti 1991, dimër i ashpër në Shqipëri, e megjithatë shqiptarët nuk do të përkuleshin përpara vështirësive. Rrëzimi i murit të Berlinit dhe momenteve dramatike që kulmonin në vendet ish- komuniste transmetonin erën e lirisë dhe të demokracisë edhe në Shqipëri. Lëvizja studentore i dha impuls të paparë fillimit të pluralizmit politik në vend. Kjo lëvizje frymëzoi  gjithë popullin, por shteti komunist nuk donte të dinte për asgjë. Ai e ndiente veten akoma të fortë. Kishte çdo gjë në dispozicion; pushtetin, ushtrinë, policinë dhe sigurimin e shtetit. Diku hapur e diku fshehur po vazhdohej  me metoda të sofistikuara. Kishte ardhur momenti  më delikat në historine e kombit shqiptar.

Raporti sekret drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH

Sipas një raporti sekret drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH për ngjarjet e 20 shkurtit ndodhur në qytetin e Tiranës, Drejtoria e Policisë informon se “në mbrëmjen e 19 shkurtit 1991 në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës sapo kishte përfunduar mbledhja e sindikatës së pavarur ku u vendos që të nesërmen të ndërpritej puna në ndërmarrje në shenjë solidariteti  me studentët grevistë, ku dhe do të shkohej në qytezën e tyre”.

Drejtues të sindikatës, për këtë ditë, kanë pohuar se kjo mbledhje u organizua për t’i dhënë karakter mbarëpopullor, ku morën pjesë prindër dhe të afërm të studentëve të cilët me diskutimet e tyre elektrizuan sallën. Të gjithë ishin të preokupuar për fatin e studentëve, sepse ato  nuk i përkasin vetëm familjes së tyre, por gjithë popullit dhe kombit shqiptar. Ato do të ishin  politikanët dhe qeveritarët e së nesërmes, të zhvillimit të vendit dhe bashkimit të kombit. Në këto momente u bë thirrja që të gjithë të mblidhen tek studentët me slloganin “do t’i shpëtojmë ata, se nuk ka forcë për të ndaluar ecjen përpara”. Pasi kanë vëzhguar me kujdes situatën (sipas raportit), mblidhen menjëherë drejtuesit e ministrisë së Brendshme dhe të policisë së Tiranës. Raportohet se punëtorët mund të linin  punën, dhe se gjendja bëhej më serioze nëse nuk do të punonin ndërmarrje të tilla si ajo e mjellit, e bukës, qumshtit etj. Në raport shkruhet se grumbullimet e mëparshme në qytetin studenti ishin shqetësuese dhe se mund të ndodhte që të bëheshin thirrje për të bërë manifestime para Presidencës, Kuvendit dhe Kryeministrisë. Për këtë policia kishte vendosur të mbylleshin me forca të përqëndruara, të gjithë rrugët që lidhnin rrugën “Labinoti” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  dhe sheshin “Skenderbej”. Kalimi do të lejohej vetëm për individë dhe grupe të vogla njerëzish. Ndërsa punëtorët që do të largoheshin nga  puna për të shkuar tek studentët që ishin në grevë, të lëviznin në mënyrë të detyruar në drejtime të caktuara, pa u dhënë mundësi të përqëndroheshin në sheshin “Skënderbej” dhe pranë objekteve të përmenduara me lart. Po sipas këtij raporti, punonjësit që braktisën punën filluan të lëviznin qetësisht  drejt qytezës së studentëve me përjashtim të punëtorëve të Valiasit të cilët hidhnin parrulla politike me përmbajtje fyese dhe  shpifëse. Sheshi u tejmbush, ndërsa kolonat e njerëzve që vinin nga ndërmarrjet vazhdoninn të ngjiteshin për tek ky shesh. U hodhën parrulla politike, ku folësit shprehën solidaritet me studentët, kritikuan Qeverinë dhe kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sipas policisë, në ballkonin e konviktit pas thirrjeve për qetësi dhe që të ruheshin nga provokacionet u shfaq një banderolë ku shkruhej “ Drejt sheshit Skenderbej”. Policia raporton me detaje të gjithë intenerarin e protestuesve, përplasjet me policinë, deri në mbërritjen e qytetarëve para Muzeut Historik Kombetar. Tregohen veprimet e policisë dhe tubuesve deri në rrezimin e bustit të  E. Hoxhës. Policia për tu justifikuar, shprehet se shtatorja kishte kohë që mbrohej me shërbim për të evituar shkatërrimin me dinamit ose rrëzimin me tërheqje me automjete të tonazhit të madh. Edhe më 20 shkurt  qëndronte i gatshëm veç forcave dhe një oficer xhenier, ndërsa hyrja e automjeteve ishte bllokuar. Për policinë ishin shumë faktorë që ajo dështoi në mbrojtjen e bustit.

Mbledhja e 22 shkurtit 1991

Në procesverbalin e mbledhjes së këshillit të ministrave e 22 shkurtit 1991 që drejtohej nga ish -presidenti i ndjerë R. Alia shkruhet se do të krijohej këshilli presidencial dhe një qeveri e punës.  Këshilli presidencial do të ishte një këshill konstruktiv pranë kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, por në të njejtën kohë ka nevojë që të formohet edhe një qeveri e re pune deri në zgjedhje. Pranohet se në këtë situatë do të shkelen disa norma dhe rregulla. Këshilli presidencial nuk është parashikuar në Kushtetutë megjithëse është një organ konstruktiv pranë kryetarit të presidiumit të kuvendit popullor, pra nuk ka karakter normativ dhe legjislativ. Po kështu, bie  ndesh me kushtetutën edhe cështja e qeverisë.

E kështu do të vazhdonin ditët me tension. Tashmë fatet e ndryshimeve do t’i merrnin në dorë sindikatat. Faktet treguan se sa e vështirë do të ishte për përfaqësuesen e punonjësve e cila survejohej në çdo hap deri në detaje(raporti sekret).Por asgjë nuk e ndali BSPSH -në deri në dorëheqjen e qeverisë.

 

 

Greva e përgjithshme e 16 Majit

Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e popullit tonë, si edhe nga më të rrallat në botë me këtë shtrirje dhe kohëzgjatje. Nga kjo grevë iu drejtuan qeverisë 17 kërkesa. Këto kërkesa iu drejtuan për dijeni edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në deklaratën e botuar nga BSPSH lidhur me grevën e përgjithshme thuhet: “Burokracia në pushtet duke mbuluar paaftësinë, mungesën e dëshirës dhe pamundësisë për të rregulluar gjendjen tonë, me thirrje, deklarata dhe studime që as janë zbatuar dhe as do të zbatohen, na detyroi të përdorim armën tonë të fundit, grevën”..

Më 16 Maj mbi 800.000 punonjës në mbarë vendin ndërprenë punën për të qenë pjesëmarrës në grevën e përgjithshme. BSPSH  shprehet e vendosur deri në fund në plotësimin e kërkesave të saj . Tirana, Shkodra, Kavaja, Korça, Vlora, Fieri, Berati, Laçi, Krasta, Batra, Puka, minierat e Pogradecit, etj, kërkojnë me ngulm zgjidhjen e kërkesave.

Më 18 Maj një manifestim paqësor me pikënisje fushën e Aviacionit Tiranë ku morën pjesë 250.000 punëtorë tronditi kryeqytetin dhe mbarë vendin . U bënë protesta masive ndaj Televizionit Shtetëror për disinformimet keqëdashëse që bënte në dëm të lëvizjes sindikaliste dhe protestave mbarë popullore të drejtuara nga BSPSH. Greva e përgjithshme vazhdonte, por nuk shihej ndonjë reagim serioz nga Qeveria. Mbase duhej diçka më e fuqishme për të vënë në lëvizje , mbase zgjedhjet e parakohshme do të ndryshonin situatën. Punëtorët e paguar me 80% pa punuar po rrënonin të ardhurat e vendit .  Reagimet e shtypit ndërkombëtar në mbështetje të grevës së përgjithshme ishin të shumta. Ata shprehnin solidaritetin e sindikatave të ndryshme me sindikatën shqiptare dhe jepnin vlerësime maksimale për kurajon, guximin dhe synimet që kërkonte të arrinte greva e përgjithshme.

Pas lodhjes nga greva e tejzgjatur, të varfër nga ana ekonomike, pas një qëndrimi indiferent të qeverisë, greva filloi të tronditej. Eshtë për tu cilësuar, se gjatë grevës së përgjithshme të majit të vitit 1991, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë luajti rolin kryesor për fitoren e forcave demokratike. Më 25 maj 1991, 49 minatorë të pellgut qymyrguror të Tiranës ( atëhere 13800 minatorë) ngujohen në grevën e urisë në nëntokë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe realizimin e 17 pikave të kërkuara nga BSPSH.  Pas një qëndrimi heroik, në këtë grevë, qeveria u detyrua të japë dorëheqjen. Kjo grevë e zhvilluar në nëntokë, bëri të mundur afrimin e zgjedhjeve 3 vjet përpara dhe i hapi rrugën forcave demokratike për marrjen e pushtetit. Ndërmjet të tjerave në kërkesat që shtronte BSPSH dhe lëvizja sindikaliste greviste ishin; Rritja e pagave dhe pensioneve, garantimi nga qeveria i tallonave të ushqimit, demaskimi i krimeve të diktaturës, miratimi i ligjit për kontratat kolektive, shteti të respektojë pavarësinë e sindikatës, sigurimi i mbrojtjes së punëtorëve në punë, organizatat e partisë të pushojnë së ekzistuari në ndërmarrje, etj. Ndërsa në kërkesat drejtuar Kuvendit Popullor u insistua që në projektkushtetutën që do të aprovohej të sanksionoheshin  me ligj: E drejta për punë dhe për grevë, kujdesi për jetesë në pleqëri, sëmundje apo humbje të aftësisë për punë, kujdes i veçantë për invalidët e luftës anifashiste, e drejta për të organizuar në sindikatë, shteti të marrë përsipër të zbatojë standarde ndërkombëtare të punës dhe normat e KSBE(OSBE), ndalimi i punës së detyruar. Kjo lëvizje sindikaliste u përpoq të sabotohej e pengohet nga forcat në pushtet dhe organet e saj. Shumë drejtues sindikalistë u ndaluan dhe u keqtrajtuan nga policia. Ndërkohë duke ndjerë forcën dhe pushtetin e medias dhe për të vënë në kontakt anëtarësinë me informacionin e nevojshëm, BSPSH nxorri gazetën e saj “Sindikalisti”, e cila do të luante rol të madh në informimin sindikalist.  Numri i parë i Sindikalistit do të botonte kryeartikullin me temë:  “Me një punë të çliruar nga diktatura dhe një shpërblim të drejtë për të, duart tona dinë të bëjnë atë që bën Europa dhe ne do të dimë të jetojmë si ajo

 

 

 

 

27 vjet gazeta “Sindikalisti”

.27 vjet më parë, në një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë u themelua gazeta e pavarur “Sindikalisti” organ i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kjo gazetë në rrugtimin e saj shumëvjecar ka  përçuar vlerat e një medie të lirë dhe të pavarur, Një mbijetesë 27 -vjeçare në tregun mediatik falë kontributit të të gjithë atyre që e drejtuan këtë gazetë që punuar pa u lodhur për një kauz të madhe, atë në shërbim të interesave sociale dhe ekonomike të punonjësve. Teksa shfleton numrin e parë të kësaj gazete, të bie në  sy optimizmi me të cilën ajo përçon lajmet, ku padyshim në vend i vecantë i kushtohet dy përshëndetjeve.

 

Pater Zef Pllumi: “Të gjithë punët fillojnë me bekimin e zotit”!

“Të gjithë punët që fillojnë me bekimin e zotit, tregojnë vullnetin e mirë të atyne që duhet t’i punojnë. Mjerisht në vendin tonë, tash disa kohë fjala punëtor, e aq më tepër sindikatë, sillte me vete  pothuaj edhe nënkuptimin e një veprimi kundër zotit. Por, kohët ndryshuan. Prandaj e pranova me gëzim të madh në zemër rastin e parë që mu shfaqë për t’i dhënë bekimin e zotit organizatës suaj sindikale. Në qoftë se puna juaj do të ketë më të vërtetë qëllime të mira ndaj shoqërisë dhe atdheut tone, në qoftë se keni për të ecur duke u drejtuar gjithmonë për në rrugën e mirë që ka urdhëruar zoti, pa shkarë as djathtas as majtas për interest e individëve dhe grupeve të caktuara atëherë me siguri organizata juaj do të rritet e forcohet me bekimin e perendisë për t’i dhënë popullit e atdheut tonë paqe, drejtësi, dashuri, kulturë, mirëqenie e përparim. Bekimi i zotit të gjithëfuqishëm qoftë me ju!

Dritero Agolli:  “Zë i veçantë i papërsëritshëm”

“Qielli i shtypit shqiptar priste fluturimin e një zogu tjetër lajmëtar, një zog me një zë të veçantë e të papërsëritshëm, priste gazetën “ Sindikalisti’. Dhe ardhja e Sindikalistit e pasuron kulturën e qytetërimit të epokës së pluralizmit me një fjalë të re dhe me një mendim të ri intelektual të pjesës më vitale të shoqërisë, të punëtorisë dhe të njeriut punonjës. Horizonti nga del kjo fjalë e re dhe ky mendim i ri është i freskët dhe i bukur. Ai nuk kufizohet nga sinorët partiakë, por është i gjerë dhe i begatë që të jep mundësi të mëdha shprehjeje për të sotmen dhe për të nesërmen e botës shqiptare. Në faqet e Sindikalistit kemi bindjen e plotë se do të pasqyrohet jeta e gjithanshme e njeriut punonjës, puna, veprimtaria, morali dhe kultura e tij, do të respektohet mendimi i lirë dhe me ndjenjë të lartë qytetarie, do të mbrohet ky njeri plot halle dhe i shumëvuajtur, por fisnik dhe shpirtëmadh. Edhe një gisht sikur t’i pritet këtij njeriu do ta ndiejnë përnjëherësh të gjithë shkronjat e “Sindikalistit”.

“Historia e BSPSH së, për nga rëndësia dhe kontributi në lëvizjen për liri dhe demokraci, për modernizimin e lëvizjes punëtore në Shqipëri, për arritjet e saj të rëndësishme, për vlerat që i ka dhënë dhe i jep dialogut social, marrëveshjeve dhe kontratave kolektive, për besueshmërisë që ka krijuar te anëtarësia sindikaliste dhe qytetarët shqiptarë është pa diskutim një vlerë kombëtare”. Është ky deklarimi i Presidentit të BSPSH Gëzim Kalaja. Sipas tij,  që nga koha e themelimit të saj BSPSH nuk ka dështuar as edhe një herë të vetme. Strategjia, aksionet e ndërmarra në shkallë rajonale dhe kombëtare, dialogu në tavolinën e bisedimeve kanë sjellë rezultatet që kemi kërkuar. Po sipas tij, këto arritje janë bërë të mundura në saj të vitalitetit të institucionit të BSPSH, të korrektësisë dhe qëndrimit të vendosur për të realizuar me sukses aksionet e ndërmarra në shkallë rajonale dhe  kombëtare, të  veprimit dhe mendimit inteligjent të lidershipit dhe strukturave, të besueshmërisë së anëtarësisë ndaj lidershipit, të shfaqjes së solidaritetit si arma më efikase për arritjen e suksesit dhe të mbështetjes solidare të organizatave ndërkombëtare sindikaliste ku ajo është anëtare. Ndërsa gazeta “Sindikalisti” është zëdhënësja kryesore e problemeve sociale dhe ekonomike që shqetësojnë punonjësit. Misioni i saj vazhdon.

SHKARKO APP