“Shoku Enver, po na e prishin kishën ku asht Shenjtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, prandaj ju…”/ Letra e Ipeshkvit të Shkodrës, në ’66-ën
Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore që i përkasin viteve 1965-‘66 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi aksionin për goditjen dhe prishjen e objekteve të ndryshme fetare të tre religjoneve, duke filluar nga kishat, seminaret, manastiret, katedralet, xhamitë, tyrbet, teqetë, etj., gjë e cila solli reagime të ndryshme jo vetëm nga drejtuesit e lartë të Klerit Katolik, si Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba që i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku protestonte për prishjen e objektit të kultit ku ndodhej Shenjtora e Zojës së Këshillit të Mirë, bri kalasë së Rozafatit, por edhe nga grupe të ndryshme besimtarësh, katolikë, myslyman dhe orthodoksë, si ata të qytetit të Elbasanit që në letrën e tyre e kërcënuan Enver Hoxhës, duke i shkruar se në rast se do prishej xhamia në Fushë-Mbret, ata do t’i shkonin në Tiranë…?!
Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet apo burgosjen e internimet në masë të qindra e qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit e filloi vetëm në vitin 1965. Ndaj vendimit që kishte marrë udhëheqja e lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha në atë kohë, për ndalimin e fesë dhe prishjen e të gjitha institucioneve fetare e objekteve të ndryshme të kultit, gjë e cila fillimisht u kamuflua, duke iu atribuar si një iniciative dhe kërkese të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazve të Tiranës e Durrësit, pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra si nga besimtarët ashtu dhe nga klerikët e lartë të tre besimeve fetare, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjioze në vendin tonë. Por reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan akoma dhe më shumë kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për prishjen e objekteve të kultit, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët filluan sulmet ndaj kishave e xhamive, duke ndërsyer fillimisht ndaj tyre nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë. Në atë kohë, kur sapo kishte filluar sulmi ndaj fesë dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë dhe besimtarë të shumtë kujtonin se ajo gjë ishte vërtet një iniciativë e organizatave të rinisë shkollore. Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t’i dërgonin letër pas letre Enver Hoxhës, ku denonconin veprimet që kishin ndërmarrë ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe, duke shpresuar se udhëheqësi kryesor do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do ta ndalonte atë gjë. Një pjesë e madhe e këtyre letrave dhe protestave që iu dërguan në atë kohë Enver Hoxhës, gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë dhe disa prej tyre, që redaksia jonë vendosi t’i botojë në këtë shkrim, bëhen publike për herë të parë.
Ipeshkvi Çoba i shkruan Enverit
Një nga ata klerikë të lartë katolikë, që reagoi ndaj vendimit të udhëheqjes së lartë të PPSH-së për prishjen e kishave, ishte Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, i cili me anë të një letre u ankua direkt tek Enver Hoxha për atë që po ndodhte. Në atë letër të shkurtër ai ka shkruar:
Urgjent shokut Enver Hoxha
Sekretarit të Parë të PPSH-së Tiranë
Ju drejtohem juve, udhëheqsit të popullit, si ma tutje: Në rrugën nacionale bri Kalasë Rozafat, gjindet Shenjtnorja e Devocionit mijvjeçare, Shenjtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, monument i vazhdueshëm i fesë dhe i atdheut.
Më 1.6.1966 na u komunikue nga Kryesia e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Shkodër se ajo në datën 6 të këtij muaji do të përfshihet në zonë ushtarake e prandej do të pezullohet funksionimi i saj. Na jemi të gatshëm të bajmë sakrifica për mbarëvajtjen e atdheut, kjoftë edhe me jetën tonë. Megjithatë, ju lutemi nxehtësisht që, për hir të besimit të tyne, të shqyrtoni dhe veproni për vazhdimin e funksjonit të shenjtores në fjalë”.
Me nderime të zgjedhuna,
Ernest M. Çoba,
Ipeshkëv, Kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë
Shkodër. Më 1.6.1966
Por kjo letër e Imzot Çobës, si duket, nuk i është dorëzuar Enver Hoxhës, pasi një nga funksionarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë, me anë të një informacioni që jep për këtë çështje, e konsideron të mbyllur atë problem. Në atë letër, që mban datën 16 korrik 1966, dhe që titullohet “Informacion mbi telegramin e Ernest Çobës”, shkruhet:
“Është kryetar i Kishës Katolike. Me anë të një telegrami që i drejton shokut Enver, shkruan se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit i ka lajmëruar se Shenjtorja e Zojës, që ndodhet në rrugën nacionale, bri kalasë Rozafat, do të përfshihet në zonën ushtarake e do të pezullohet funksionimi i saj, prandaj lutet të shqyrtohet kjo çështje. Për këtë u bisedua me një herë me shokun N. K., i cili njoftoi se Komiteti Ekzekutiv, në bazë të kompetencave që ka, ka vendosur që më parë që ai vend të caktohet zonë ushtarake. Ernest Çoba atëhere nuk tha gjë. Tani që ankohet, është lajmëruar të heqë plaçkat që kish brenda në kishë, pasi shokët e ushtrisë do të bënin disa shpërthime e do t’a izolonin atë vend. Shoku N. K. njoftoi gjithashtu se kur ishte shoku Enver në Shkodër e kishin vënë në dijeni për këtë vendim e nuk u kish bërë vërejtje. Për këtë telegram u vu në dijeni edhe shoku Haki, i cili bisedoi vetë me shokun L.D., që ta thërriste e ta sqaronte Ernest Çobën. Shoku L. D. e thirri dhe e sqaroi vetë Ernestin, por ai nuk është njeri i mirë dhe i ngatërron në punë. Mendojmë që çështja të konsiderohet e përfunduar”.
Komiteti Qendror: të gjendet autori i letrës
Letra e Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës dërguar Enver Hoxhës, duket se ka sjellë shqetësime për funksionarët e lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së të asaj kohe, pasi, sipas dokumenteve që gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë, aparatit i Komitetit Qendror në Tiranë i ka dërguar një letër Komitetit të Partisë në Shkodër, ku i kërkon që ajo çështje të shikohet nga ana e saj. Por më shqetësuese për Komitetin Qendror në Tiranë, duket se ka qenë letra anonime dërguar Enver Hoxhës nga një besimtar i qytetit të Shkodrës, pasi në përgjigjen e Komitetit të Partisë së Shkodrës (të firmosur nga Sekretari L.R.), dërguar Komitetit Qendror, në mes të tjerash, thuhet se autorin e asaj letre nuk kanë mundur ta gjejë dot. Në atë letër, e cila mban datën 20 prill 1965, shkruhet: “Gjegje shkresës tuaj Nr./33/1 Dt. 21.I.1965. Përsa kërkoni me të sipërmen, ju njoftojmë se për nevoja urgjente të ushtrisë dhe me aprovim edhe të Ipezhkvit katolik, është autorizuar ushtria të futet në qelën e kishës së Gurit të Zi. Por komanda ushtarake, duke marrë parasysh nevojat e mëdha që ka patur edhe nga ana tjetër kisha me qelën janë nën një çati, kështu që lëvizja e civilave aty afër nuk lejohet, e ka zënë edhe kishën. Neve kemi porositur komandën ushtarake që të marrë masa për ta liruar sa më parë kishën, megjithëse nga ana e tyre kjo paraqet vështirësi. Nga ana tjetër, ky problem është shtruar edhe me popullin, që kisha do të mbahet edhe për disa kohë sa të krijohen kushte për lirimin e saj. Për çështjen e daljes në punë për ditë të diela dhe në festa fetare, kjo është kërkuar vullnetarisht nga kooperativistët, duke marrë parasysh nevojat e punës në kooperativë dhe nuk është e vërtetë se janë marrë masa administrative për këtë çështje. Autorin e letrës nuk kemi mundur ta gjejmë”.
Letra anonime nga Shkodra: “Shoku Enver, ja çfarë marrinash po ban drejtuesi i partisë”
Në një nga letrat e tjera të dërguara në adresë të Enver Hoxhës, nga një besimtar me banim në qytetin e Shkodrës, e cila është pa emër, shkruhet:
“Partia si organizatore dhe inspiruese e të gjitha fitoreve të popullit tonë, ka dhënë prova vetëmohimi në çdo drejtim. Unë në këtë letër e kam fjalën për disa masa të pavend që po merren nga Komiteti i Partisë. Gjatë luftës N.ÇL. armiku dhe në radhë të parë Kleri, kanë pas zhvillue nji luftë dhe propogand shumë të madhe kundër Partisë sonë, duke thanë se komunistat nuk besonin Zotin, prishin kisha e xhamia etj. Mir po në atë kohë kjo tez e tyre asht kundërshtue me të madhe, për ma tepër jan marrë edhe masa kundrejt atyre komunistave që janë çfaqë si ateistë. Çka ngjet sotë? Po me keq ardhje sot po vërtetohen fjalët e Klerit, sepse në fakt në qytetin tonë janë prishë kisha dhe xhamia dhe disa jan kthyer në depo shtetërore dhe ajo që e ka irrituar më tepër popullin e Shkodrës asht udhëheqja e Komitetit të Partisë të qytetit tonë me në krye P.T., i cili e ka shum të zhvillue kultin dhe çka thotë P.T. do të bahet ose të ndryshe të morri djalli. Ai ka arrit pikën kulminante për mendimin tim në çështjet fetare, ai sot kërkon të dalë si reformator i ri kundrejt fesë, duke përdor disa forma dhe metoda të papërshtatshme që me bindje të plotë ju si udhëheqës Partie nuk ia keni dhanë një udhëzim të tillë. Ja se çka ba ky personalitet i shquar: ka urdhëru të bahen formular të veçant që të plotësohen nga sekretarët e Partisë në qendrat e punës në këto pika:
- Kush mban ikona nëpër shtëpi dhe a do t’i mbani a do t’i hiqni.
- Në rast se do të vdes ndonji nga pjestarët e familjes do t’i varrosni me prift ose me hoxhë.
- Kush nga punonjësit ose pjestarët e familjes festoi festat fetare si bajram, këshëndella e tjer.
- Kush agjinon ramazanin dhe a do t’i bani me i prish nanat dhe baballarët.
- Ka urdhërue drejtorat e shkollave që të pyesin fëmit deri në klasën e 9 nëse janë të bamë synet dhe a do të bahen.
- Ka detyrue nënpunësit e aparatit shtetit me shku nëpër lagje dhe shpi në shtëpi me i pyet a keni agjinue dhe na pije nji gotë ujë.
- Ka ndalue ramjen e kambanave jo vetëm për festat fetare, por edhe për ramjen e sahatit që asht injoranca ma e madhe.
(AQSH F 14 / A. / Viti 1965 D. 1014 f.2)
Besimtarët e Elbasanit: “Shoku Enver, na mbro xhamijat, se do vimë në Tiranë”
Shokut Enver Hoxha Tiranë.
Ashtë letra e dytë që po ju dërgojmë juve shoku Enver dhe për një kohë u ndaluan punëtorët për prishjen e xhamisë Ballje, mirë por sot më dt. 27.X.1965 filluan prishjen e xhamisë na Xhemiati dhe besimtarët syni ishin të pikëlluar dhe kërkojnë që xhamija në fjalë të mos prishet dhe të qëndrojë në vënd. Ne e dimë që feja është e lirë dhe gëzojmë të gjitha të drejtat fetare dhe prandaj kërkojmë që xhamija Ballje është historike, por në se nuk e pranojmë historike, ta zbukurojmë dhe të rregullohet por vetëm të rrijë xhamija në vënd dhe të mos prishet. Nga fetarët, nga Xhemiatë dhe besimtarët të qytetit Elbasan. Vetëm urdhëri juej ndalon çdo veprim. Mbesim me shpresë të naltë. 27.X.65
Shokut Enver Hoxha.Tiranë. Asht letra e tretë që ju dërgojmë dhe asnji gja nuk u ba për xhamin Ballje në Elbasan, por vazhdojnë ta prishin. Asht mëkat i madh që të prishet një xhami si kjo, që asht shumë e mirë dhe që asht në mes të qytetit. I shkoj fjala dhe Kryetarit të Komitetit të Qytetit se asht xhami ajo që prishet se po të ishte kishë, nuk do të përfundonte kështu dhe Myftiu i qytetit të Elbasanit bashkë me kryetarin e fesë në Tiranë, shikojnë që të marrin pare dhe nuk pyesnin për xhamiat, por shikojnë që të mbushin xhepat e tyre, dhe për xhamijat nuk kanë galje por një gja asht se xhamiat i ka goditur populli dhe populli të pyet se sa e keqe i vjen që prishen xhamiat sot dhe që i kanë bërë depo shumë prej tyre që bijnë në sy se janë mbrena në qytet. Sa për Myftiun e qytetit ajë e ka bërë si i do qeifi, hoxhallarët e qytetit dhe të fshatit e kanë frikë se ashtu me kobure në brez dhe bajnë si i thotë ajë nga frika se i kërcënon, prandaj e gjithë kjo që ka ardhë krejt me Myftiun e Qytetit ësht bërë, prandaj ne kërkojmë që të mos prishet xhamia sa nuk asht vonë, nëse edhe ne si fetarë i gëzojmë të gjitha të drejtat si ato që nuk besojnë, të na shifet e drejta, ose urdhëroni që të prishen të gjitha xhamiat që kështu ta dimë se ne si besimtar nuk i gëzojmë të drejtat si të gjithë, por të prishen, bashkë me Myftiun e Qytetit që e ka delenisë fenë deri në këtë gjendje. Na kërkojmë që xhamia të mos prishet sa nuk është vonë dhe Myftiu të na hiqet fare nga feja. Nëse nuk ndalohet prishja dhe të rregullohet xhamia, ditën e martë më datë 2 do të vijmë një pjesë e besimtarëve që të takojmë me juve që të sqarohemi. Me nderime Xhemiati dhe besimtarët e qytetit e të fshatrave të Elbasanit. Mesim me shpresë të plotë. 30.X.65 (A.Q.Sh. f.14 / A.P. S.T.R. V.1965 D.1014 fq.76)
Letra nga Gjirokastra
I dashuri dhe i nderuar shoku Enver
Gëzohem t’ini mirë e shëndoshë me gjithë ç’u dëshiron shpirti.
Dy tri dit ma parë keshi dalë nga Teqe e baba Zejnelit në qivurin e Shuqur Çuçit paçë se kur kanë kryer eshtërat e Babajt të Shuqurit, kanë lënë pa marë një gur të shkruar Turqisht, që ky gur duhesh ti vihej atje ku kanë vënë eshtërat e babajt të Shuqurit, ky gur asht shkruar me shkronja Turqisht që tregon emnin datën e tjera d.m.th. asht si kujtim. Po të doni shkruani Komitetit këtu ta marin dhe tja vënë në mezar, përqafime qofshi mirë e shëndoshë.
Nderime, Abidin Çano,
Gjirokastrë 26.2.66
Memorie.al