Shoqëria civile dhe sfidat mjedisore në rajonin e Korçës

Nga Thimaq LAKO*
Qarku i Korçës shquhet për mundësitë që ofron për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit natyror e kulturor. Gjurmët e lashta të trashëgimisë kulturore, që janë të pranishme në të gjitha bashkitë e fshatrat e këtij qarku, përbëjnë një potencial të fuqishëm tërheqjen e vizitorëve të ndryshëm, vendas e të huaj. Traditat, kultura dhe mikpritja e veçantë që karakterizojnë banorët e këtij qarku, gjithashtu janë një atraksion po aq i fuqishëm për vizitorët e ndryshëm. Këtyre vlerave u shtohet dhe pejsazhi i mrekullueshëm që ofron natyra e këtij qarku, me malet, pyjet e kullotat, liqenet, etj., dhe me pejsazhin bujqësor të qëndisur nga duart e fermerëve të këtij qarku.Prania e parqeve kombëtarë, e pejsazheve të mbrojtura, etj., janë vlera shtesë që i shtohen atraksionit turistik të qarkut të Korçës. Për këto arsye zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit është deklaruar si prioritet i ekonomise lokale të qarkut të Korçës.
Një vlerë tjetër e shtuar, që në të ardhmen do të mund të shërbejë edhe si markë e rajonit, është Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë, e para rezervë ndërkufitare biosfere në Ballkan, që ofron modele të konservimit të biodiversitetit, të aktiviteteve ekonomike të bazuara në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të monitorimit, kërkimit dhe edukimit për mjedisin natyror.
Pavarësisht arritjeve, zhvillimi i turizmit dhe i veprimtarive të tjera ekonomike në qarkun e Korçës sfidohet nga rreziqet e ndryshme të lidhura me mjedisin, në veçanti nga keqtrajtimi i pyjeve. Fenomenet negative si prerjet e paligjëshme, djegja e pyjeve e kullotave, gjuetia e pakontrolluar, që aktualisht janë të pranishme në të gjithë territorin e qarkut, po çojnë në humbjen e biodiversitetit dhe në demtime te pakthyeshme te ekosistemeve natyrore të basenit Ohër-Prespë, vecanerisht të ekosistemeve pyjore, me pasoja per jeten e banoreve të sotëm dhe të brezave të ardhëshëm.
Konsumi i druve të zjarrit për ngrohje sjell pasoja edhe në ndotjen e ajrit. Gjate periudhes nentor-mars ndotja e ajrit ne qytetin e Korces arrin vlerat maksimale në shkallë vendi, deri ne 109,63 mikrogram per m3, përsa i takon PM10, grimca të ngurta pezull në ajër, (grimca ndotëse me një diametër më të vogël se 10 mikrometër). Këto grimca konsiderohen si rreziku më i madh shëndetësor për zonat e urbanizuara, pasi depërtojnë në pjesën e poshtme të mushkërisë duke rrezikuar shendetin e banorëve dhe duke kompromentuar zhvillimin e turizmit në periudhën e dimrit.
Me ligjin Nr. 48/2016“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar” pyjet e tokat që pyjore që ndodhen brenda territorit administrativ të bashkisë transferohen në pronësi të saj, me përjashtim të zonave të mbrojtura. Ligji përcakton krijimin e strukturës përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në përbërje të bashkisë, si organ i specializuar i shërbimit pyjor në nivel vendor, me atribute teknike, menaxhuese e këshillimore. Shërbimi e ri i porsakrijuar në bashkitë e vendit ka mangësi në logjistikë si dhe e ka të pamundur të ushtrojë funksionet e veta në zonat e thella pyjore. Në këto kushte prerjet në pyje për prodhimin e druve të zjarrit bëhen në kundërshtim me ligjin e pyjeveNr. 9385, datë 4.5.2005, neni 26 i të cilit përcakton se “Shfrytëzimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera pyjore dhe jopyjore lejohet në fondin pyjor shtetëror, vendor ose privat, për qëllime të përfitimit ekonomik dhe vetëm nëpërmjet kryerjes së punimeve të parashikuara në planet e mbarështimit. Materiali drusor, që shfrytëzohet çdo vit nga fondi pyjor kombëtar, caktohet brenda mundësive vjetore të shfrytëzimit të pyjeve, të përcaktuara në planet e mbarështimit apo të inventarizimit.
Në situatën aktuale strukturat përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki e kenë të gati te pamundur që të plotësojnë detyrat e ngarkuara nga ligji. Strukturat e reja në bashkitë e qarkut të Korçës nuk kanë kapacitete dhe fonde për inventarizimin apo mbarështimin e fondit pyjor për qeverisjen tërësore të pyjeve dhe të tokave pyjore. Për më tepër, informacionet që vijnë nga censusi i popullsisë e banesave, i vitit 2011, nxjerrin në pah se mbi 98% e njësive ekonomike familjare të qarkut të Korçës ngrohen me dru zjarri, të cilat sigurohen kryesisht nëpërmjet prerjeve të paligjëshme. Në këto rrethana mungojne informacionet dhe raportimet nga bashkitë per situatën në pyje, sikurse e kerkon legjislacioni ne fuqi.
Në këtë kuadër, “Miqtë e Korçës” nje organizate jofitimprurese, me mbështetjen e projektit LevizAlbania,ka ndërmarrë nismën për adresimin e problemit të mungesës së transparencës e llogaridhënies per ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e ekosistemeve pyjore të bashkive Devoll, Pogradec e Pustec, që përbëjnë një pjese te rendesishme te trashegimise natyrore të vendit tonë.Kjo nismë synon t’i pergjigjet kesaj situate emergjente, përmes krijimit te modeleve inovative të partneritetit bashki-komunitet për menaxhimin e pyjeve, zhvillimit tëmekanizmave monitorues për transparencën dhe llogaridhënien e bashkive në këtëçështje dhe organizimit të fushatës ndërgjegjësuese për reduktimin e përdorimit të druve të zjarrit dhe nxitjen e përdorimit të burimeve alternative të energjisë per ngrohje në këtë rajon, në menyre qe tëulet niveli i ndotjes se ajrit në qytete dhe në rajon.
Në pamundësi për të siguruar një informacion të përditësuar mbi gjendjen e pyjeve dhe nevojat për dru zjarri për ngrohjen e popullatës për qarkun e Korçës, u përdorën burime zyrtare indirekte si “Censusi i popullsisë dhe banesave 2011” (REPOBA) i INSTAT për qarkun e Korçës dhe “Raporti final i inventarizimit kombëtar të pyjeve” (shtator 2004).
Censusi evidenton se në qarkun e ngrohen me dru zjarri 57,977 njësi ekonomike familjare që përbëjnë 98% të totalit. Duke marrë në konsideratë një vlerësim konservativ të konsumit vjetor të druve të zjarrit për familje (6 mster për familje), që është përdorur para viteve 1990, nevojat vjetore në nivel qarku arrijnë në mbi 347 mijë mster, apo mbi 247 mijë m3 dru zjarri.
Qarku i Korçës ka një sipërfaqe pyjore prej 173,082 ha dhe mund të konsiderohet si një qark i pasur me pyje të varfër. Këta pyje ofrojnë një mundësi vjetore shfrytëzimi prej 130,586 m3, çka do të thotë se pyjet e qarkut të Korçës nuk mund të plotësojnë nevojat për dru zjarri. Plotësimi i nevojave, sidomos në zonat rurale, bëhet në mënyrë të pakontrolluar, tej mundësive që ofron pylli. Prerjet e vazhdueshme (në shumicën e rasteve pa kriter) e kanë përkeqësuar gjendjen e pyjeve dhe kanë dobësuar funksionet e ekosistemit pyjor për shërbime mjedisore.
Ligji Nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë”, që lejon shfrytëzimine lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri dhe shfrytëzimine lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore nuk solli ndonjë përmirësim në gjendjen e pyjeve dhe parandalimin e prerjeve.Aktualisht në qarkun e Korçës pritet një sasi e konsiderueshme lëndë drusore për furnizimin e popullatës me dru zjarri, që është gati dyfishi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit dhe se vazhdimi i prerjeve me këtë intensitet mund të shoqërohet me shkatërrimin e pakthyeshëm të ekosistemit pyjor.
“Miq te Korçës” u ka bere thirrje organizatave te shoqerise civile te rajonit per te ndermarre nismen per ngritjen e nje koalicioni per te perballuar sfidat mjedisore me te cilat po ndeshet rajoni.

*Profesor i asociuar, “Miq të Korçës”

SHKARKO APP