Shpërblimi 30 mijë lekësh për pensionistët

Nga: Ilir Levonja

Mbrëmë vonë dëgjova në një kanal televiziv për një shpërblim prej 3 mijë lekësh të rinj, kështu tha spikeri. Nuk e di se sa e ndihmon terminologjinë ky model po them kinezo’shqiptar me lekë të rinj a lekë të vjetër për më tepër pensionistët, megjithëse na çoroditë paksa të gjithëve, pasi shkurt e qartë është shkurt e qartë dhe kaq. Mbajta pak vesh dhe u kthjellova se bëhej fjalë për 30 mijë lekë, që domethënë afërsisht 25 euro apo 28 dollarë amerikan. Pra një pensionisti do i jepen 25 euro apo 28 dollarë për kokë si shpërblim për festat e fund vitit etj. Pra një njëzetshe dhe një dhjetëshe dhe aq, kalofshi mirë dhe të na rrojë partia.

Mu duk lajmi më brutal, më i neveritshëm kur mendova shumën që do u jepej si shpërblim afro 650 mijë pensionistëve shqiptarë. Dhe që buxhetit të shtetit do i kushtonte 22 miliardë lekë etj. Megjithëse para pak ditëve mbaj mend që ministrja e financave gjoja debatonte në komisionin e ekonomisë në kuvend për zero investimet e vitit 2020, ku një kaush gjoja ngrinte zërin se si ka mundësi të ishin zero kur qeveria e ka prioritet rrugën Kardhiq-Delvinë etj. Dhe se kjo gjoja justifikohej se investitorët nuk janë në standartet e pritshmërisë, me një fjalë thithin lekë më shumë se sa ndërtojnë etj., kësisoj edhe shpërblimi në fund të vitit për pensionistët vihet në dyshim.

Një farsë teatrale që edhe profesionistët e skenës e kanë zili pasi është loja e shushunjave, i mjeri buxhet nuk di ku të mbahet se shushunjat që të bluajnë nga të gjitha anët. Dhe sa herë që vjen fundi i çdo moti kjo puna e shpërblimit të pensionistëve është bërë një lloj loje jo më me bukën, por me dinjitetin, se 30 mijë lekë nuk vlejnë më për asgjë. Kur i jep tjetrit 30 mijë lekë të thotë kujdes se u këpute në bythë. Megjithëse shumë nga ata e quajnë si gjelin e detit, po na dha ndonjë gjë shteti të blejmë një gjel deti mirë, po nuk na dha prapë mirë etj.

Tani nuk e di se a e blejnë dot këta me 30 mijë lekë gjelin, se nuk e kam idenë se sa vlen një gjel deti aty? Pra çdo fund moti ngrihet pyetja a do e marri pensionisti gjelin e detit apo? Një radhe mund të jetë pension i plotë, një radhe gjysmë pensioni a një radhe hiç fare. Nuk ka asnjë diskutim që pensionistët janë shtresa më e përbuzur, më e fyer, më e pambrojtur e për rrjedhojë më denigruar e shoqërisë shqiptare. Por çuditërisht edhe më e nënshtruara aq sa i ka mundur publikisht rimbursimi, politika me cilëndo qeveri po aq sa edhe ata vetveten. Them ata vetveten pasi janë lëshuar, janë hapur dhe janë dorëzuar totalisht edhe pse kanë punuar me tre turne. Kanë shpuar puse nafte, kanë shtruar rrugë të hekurta, kanë ndërtuar fortifikime, kanë bërë arsimin, mjeksinë etj. Problemi tek është kollajllisht i zgjidhur, mjaft të reduktohen shpenzimet qeveritare… dhe gjeli detit nuk do të jetë gjel deti në fund të vitit, por viç.

Ministri holandez shkon në punë me biçikletë dhe pensionisti i vendit të tij vjen me pushime në tropik, kaq. Kurse makina e ministrit shqiptar është e blinduar, model i fundit, jo për nevoja personale por thjesht për pordhë dhe pensionisti i vendit të tij shikon sy njomur nga ekrani se sa do jetë shpërblimi i fund vitit një gjel apo një pulë? Ju jeni gati të paguani një derdimene, një analfabete me gel e gucci në kuvend dhe vet ankohuni se i keni pensionet e ulta. Kthjellohuni e pyesni se a është në raport normal paga e një deputeti me papion në raport me të ardhurat tuaja? Eshtë të vësh duart në kokë se vetëm pensione nuk mund të quhen ato tuajt, lëmosha po. Jemi shoqëria më bulliste sepse i mbushim faqet në internet me nënat a baballarët si bijtë më të devotshëm. Të shqyejmë me të puthur duart etj., por kur vjen puna për tu dhënë pensione bashkëkohore a një pagë plus, mblidhemi brenda vetes si kërmilli.

Një administrator danez u jep pensionistëve mundësi implantesh dhëmbësh, kurse ai shqiptar edhe pse e di që ata nuk kanë dhëmbë në gojë, u jep gjel a gjysmë gjeli. Dhe ju e pranoni madje duke thënë pse luftë me qeverinë do bëjmë ne. Kaq mjafton dhe ka zënë rrënjë nënshtrimi, por edhe poshtërimi.

SHKARKO APP