Shqipëria, “boom” eksportesh me Spanjën- Cilat grupmallrat rritën eksportet me 70% ?
70% më shumë eksporte në Spanjë! Duket se 2020 ka nisur mirë për shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Spanjën, të paktën përsa I përket muajit të parë të vitit. Sipas raportit më të fundit të Instat, në janar 2020, Shqipëria ka rritur eksportet me Spanjën me afro 1 miliardë lekë, krahasuar me janarin e vitit paraardhës. Sipas të dhënave të Instat, në janar 2019 Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë 1.46 miliardë lekë në Spanjë, ndërsa në janar 2020, kjo vlerë është rritur në 2.49 miliardë lekë.
Në fakt, duke parë grupmallrat e eksportuar në Spanjë, pjesa më e madhe e tyre kanë ndjerë rënie, edhe pse të lehtë. Grupmallrat që kanë ndikuar në këtë “boom” eksportesh janë “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”. Eksportet e këtyre të fundit, në janar 2019 janë shënuar në vlerën 1.14 miliardë lekë, ndërsa në janar 2020, kanë kapur vlerën 2.16 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, sipas Instat, edhe importet me Spanjën për muajin janar kanë ndjerë rritje. Në janar 2019, vlera e mallrave të importuar nga Spanja ishte 467 milionë lekë, ndërsa në janar 2020, kjo vlerë arriti në 716 milionë lekë, afro 250 milionë lekë më shumë./ SCAN