Shqipëria drejt plakjes, COVID-19 ul numrin e vdekjeve
Në tre mujorin e parë të këtij viti numri i vdekjeve dhe i lindjeve në Shqipëri ka shënuar rënie. Megjithatë INSTAT pranon se të dhënat mund të jenë të gabuara, pasi për shkak të pandemisë veprimet nuk janë pasqyruar të plota në regjstrat e gjendjes civile.
Situata e pandemisë prej koronavirusit nuk ka ndikuar në shifrat e treguesve demografikë për tremujorin e parë edhe pse përgjatë muajit mars humbën jetën 15 persona.
Madje sipas INSTAT, numri i vdekjeve ka shënuar një rënie me rreth 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përgjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë ndërruar jetë 6 mijë e 115 persona.
Ndërkaq Shqipëria tashmë është futur në listën e vendeve ku plakja e popullsisë është me ritme të larta.
Rezulton se tendenca rënëse është reflektuar edhe në numrin e lindjeve me 2.1%, duke tejkaluar vetëm me 11 numrin e vdekjeve.
Bonusi i bebeve e miratuar nga qeveria si një strategji që do të sillte rritjen e lindshmërisë, duket se nuk ka funksionuar.
Sipas INSTAT 9 qarqe të vendit kanë shënuar rënien më të madhe, ku kryeson Kukësi me 38.7% lindje më pak.
Si rrallë ndonjëherë INSTAT bën të ditur se të dhënat mund të mos jenë të sakta. Kjo pasi për shkak të pandemisë vdekjet ose lindjet mund të mos jenë pasqyruar në regjistrat e gjendjeve civile.
Ndaj dhe pasqyra më e plotë do të paraqitet në tre mujorin e dytë.