Shqipëria han me dy porta

Nga Sadedin Çeliku
Demokracia, rregulli dhe zbatimi i ligjit janë çelësi i suksesit në një sistem modern demokratik. Kjo, fatkeqësisht nuk ndodh tek ne edhe pse bëhen përpjekje të na mbushin mendjen se diç bëhet. Sigurisht që çdo sektor e shoqëri ka rëndësi, por shoqëria civile merr një rëndësi të veçantë kur ajo funksionon si duhet. Kontributi i shoqërisë civile është esencial e tejet i rëndësishëm në përshpejtimin e reformave, por megjithatë duhet ta pranojmë se vitet e fundit nuk ka patur asnjë rol, sipërmarrje dhe aq më keq vendimmarrje. U realizuan reforma të mëdha si ajo administrative-territoriale, reforma energjetike, reforma arsimore por dhe reforma kryesore e drejtësisë ku Shqipëria vuan prej një çerek shekulli dhe duket se është përcjellë me indiferentizëm të madh.
Papunësia, skamja, varfëria, korrupsioni, orekset për tu pasuruar në një ditë, muaj apo në një vit, bënë që vendi ynë të hapë dyert dhe kësisoj Shqipëria ishte dhe mbeti vënd pa zot ose siç thotë populli han me dy porta e më shumë. Kështu nga të paktat vende në botë, u krijuan mbi 2000 shoqata, OJF apo fondacione të cilat nuk i kanë të gjitha vendet europiane të marra së bashku. Mjafton një vendim gjykate, një akt themelimi dhe një statut dhe mund të bësh çfarë të duash. Askush dhe asnjë strukturë qeveritare nuk di saktësisht se sa shoqata janë( sepse ka shoqata që bëjnë aktivitet pa vendim gjykate, pra janë të paligjshëm)por njëherësh nuk dinë me se merren kaq shumë shoqata, madje ka rrezik nuk di as shërbimi informativ shtetëror.
Ka shoqata që bëjnë sikur na mësojnë italisht e anglisht, ka të tjera madje shumë që veprojnë në emër të bamirësisë, ka qindra të tilla që bëhen jetimore sikur të gjithë shqiptarët të jenë jetimë dhe të tjera që predikojnë jahovain, islamin apo sektet e tjera që na kulturojnë apo bëjnë sikur shkëmbejnë kultura të vendeve respektive. Ka qindra dyqane e aktivitete tregtare “hallall” që dalin me humbje, paguajnë taksa, qera, drita, ujë e sigurime, naftë e benzinë dhe s’dihet se kush i financon dhe ç’qëllime kanë. Ata që shërbejnë janë mjekëroshë të cilët tregtojnë pa asnjë rregull higjenik dhe strukturat e shtetit nuk bëhen merak. Por ka shoqata qe japin një vakt bukë se gjoja ju vjen keq për shqiptarët, ama duhet domosdo të jenë të besimit ortodoks që ta përfitosh atë bark bukë.
E vërteta është që në Shqipëri kanë zbritur shërbimet sekrete që nuk i duan të mirën Shqipërisë, të tjerë kanë ardhur si vend i përshtatshëm që pastrojnë parat e trafiqeve e të paligjshme, por ka dhe shoqata që finacohen nga shtetet e tyre për të krijuar vështirësi e më gjerë në qeverisje.
Disa shoqata jahovai investojnë në para për të ndërruar emrin, fenë dhe japin dhjetëra shfaqje për ti bindur se është feja më e drejtë. Të vjen keq që pre e kësaj nisme mafioze bëhen njerëz publik, artistë e pedagogë vetëm se shëtisin e bëjnë pushime verore me paratë e tyre.Shumë shoqata bëjnë sikur ndihmojnë shtëpitë e pleqëve, shtëpitë e foshnjeve, qendrat e handikapëve mendorë e fizik, përdoruesit e drogës dhe kësisoj ata realizojnë qëllimet e tyre të mbrapshta. Meqenëse këto shoqata shpesh nuk i shërbejnë qëllimit, ka mjaft vënde që nuk i lejojnë të ushtrojnë aktivitetin. Kështu bie fjala, Kroacia i përzuri jashtë vëndit me dekret të presidentit, Rumania 23 milionë banorë ka të regjistruara vetëm 5 shoqata vendase dhe asnjë të huaj, Bullgaria pothuajse nuk ka fare, Maqedonia ka shumë pak etj.
Shqipëria është hipotekuar nga shqiptarët dhe ka zot vetëm shqiptarët dhe nuk është han me dy porta dhe as lejon të tallesh me to, ku disa vende kërkojnë ndërtim vorrezash, disa të tjerë kërkojnë njohje minoritetesh, disa statuse romësh etj. Shqiptarët vërtet janë të varfër, por mendoj se nuk ka njerëz që ngrysen pa bukë. Tashmë ka ardhur koha që strukturat e shoqërisë civile të mbështeten, të organizohen e konfigurohen ne kushtet e rregullave te qarta demokratike. Jeta në liri nuk është e lehtë dhe demokracia duket se nuk është e përsosur. Shoqatat, fondacionet apo organizatat jofitimprurëse, sidomos të huajat duhen rishikuar se çfarë aktiviteti ushtrojnë në vendin tonë dhe ndihma konkrete që ata japin në funksion të nevojave. Në këtë kuptim mendoj se disa nuk duhen te vazhdojnë te ushtrohen këtu sepse nuk i shërbejnë qellimit.Qeveria nuk duhet të tolerojë as të sakrifikojë identitetin e saj për hir të asaj që këto shoqata kanë disa qindra njerëz të punësuar. Identiteti kombëtar dhe ruajtja e tërësisë territoriale të vendit janë mbi të gjitha nevojat.

SHKARKO APP