Shqipëria ‘kundër’ botës për agresivitetin e COVID-it
Shumë shkencëtarë në botë po arrijnë në përfundimin se fuqia e koronavirusit ka rënë shumë në krahasim me fillimin e pandemisë. Pozitiviteti i tamponëve, mat tani dhe fuqinë që shfaq virusi. Një procedurë që në Shqipëri asnjë nuk e ndjek. Madje sipas epidemiologëve në vendin tonë, agresiviteti i COVID-it mbetet i njëjtë.
Fuqia e koronavirusit nuk ra me verën! Epidemiologët në Shqipëri thonë se COVID-19 ka të njëjtën ngarkesë si në fillimin e epidemisë, pra është po aq agresiv për organizmin dhe po aq i fuqishëm për t’u transmetuar tek tjetri, dhe temperaturat e larta nuk kanë ndikuar për ta dobësuar.
Por përballë kësaj situate në vendin tonë, shkencëtarët në botë, bazuar në prova klinike të pakundërshtueshme, kanë arritur në përfundimin se të infektuarit kanë një ngarkesë virologjike të ulët. Pra, studiuesit në botë, po mendojnë se nuk mund të flitet më për sëmundje e kjo dëshmohet nga rënia e shtrimeve në spital dhe fakti që shumica e pacientëve të tanishëm janë asimptomatikë.
Në Itali mjekët shkencëtarë, ndër më të njohurit në arenën ndërkombëtare, i bazojnë përfundimet e tyre tek përqindja e pozitivitetit, e cila shfaqet në të njëjtin tampon që identifikon nëse je apo jo i prekur, ku mostrat e marra një apo dy muaj më parë kanë treguar përqindje të ulët.
Por a i ka Shqipëria këto të dhëna?
Rovena Daja, epidemiologe në Institutin e Shëndetit Publik, që ka të vetmin laborator për tamponin COVID, thotë se edhe në vendin tonë matet agresiviteti i COVID-it, por pyetur se sa është përqindja mesatare e virulencës, nuk jep një shifër. Pra epidemiologët nuk e shohin të rëndësishëm përqindjen e pozitivitetit, sa për t’i analizuar të dhënat e për t’ia bërë të ditur popullatës që vijon të jetë nën ethet e pandemisë.
“Po normalisht analiza e COVID bëhet në ISHP dhe i gjithë stafi i virologëve mendojnë se virulenca vazhdon të mbetet njësoj dhe agresiviteti i virusit ngelet i njëjtë. Në fakt ne prisnim që duke filluar në ditët e ngrohta të verës të ulej virulenca e tij por normalisht moti nuk na ka favorizuar shumë dhe virulenca vazhdon të ngelet njësoj. Ne nuk mund të themi një përqindje për virulncën e virusit, por mund të themi që virulenca vazhdon të mbetet e njëjtë, që virusi ekziston dhe mundësia për t’ia u ngjitur personave të tjerë vazhdon të jetë e lartë. E njëjta teknologji që përdoret në të gjithë vendet e botës përdoret edhe në Shqipëri, janë të njëjtat kite, e njëjta metodologji që përdoret në çdo vend të botës përdoret edhe në Shqipëri. Çdo person që testohet normalisht që matet edhe virulenca dhe agresiviteti i këtij virusi”, shprehet në një intervistë për Report Tv, Rovena Daja, epidemiologe në ISHP.
Sipas shkencëtarëve italianë, ajo që mund të thuhet me bindje është se agresiviteti i COVID ka ndryshuar dhe se bashkëveprimi ynë me të nuk jep më sëmundje. Kjo, sipas tyre, nuk duhet përkthyer aspak në heqjen e maskave apo mos respektimin e distancimit fizik. “Të duartrokasim ata që i zbatojnë sepse tregojnë respekt për veten dhe të tjerët”, thonë shkencëtarët.
/Shqiptarja.com