Shqipëria portë për emigrantët, 11 mijë klandestinë të ndaluar

Shqipëria është kthyer në portë kryesore për hyrjen e emigrantëve të huaj që duan të kalojnë në BE nga vendet e lindjes. Në 10 muajt e parë të këtij viti janë kapur brenda Shqipërisë rreth 2 mijë emigrantë më shumë se një vit më parë. Në shumicën e rasteve trafikantët e shtetasve të huaj nga vendet e lindjes janë shqiptarë por nuk mungojnë edhe rastet kur transportues kanë qenë edhe shtetasit e huaj.

Tirane- Shqipëria duket se është kthyer në portën kryesore hyrëse të emigrantëve të parregullt nga Lindja e Mesme që synojnë të kalojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në 10 muajt e parë të këtij viti janë kapur më shumë se 11 mijë emigrantë të parregullt, duke shënuar me mbi 2 mijë raste krahasuar me 10 muajt e 2019-ës, ku u kapën 8640 klandestinë.

Më shumë se 2 mijë prej emigrantëve të parregullt kanë kërkuar statusin e azilantit ndërsa pjesa tjetër janë larguar nga kampet e pritjes për tu larguar drejt vendeve të BE-së.

Krahas rritjes së prezencës të emigrantëve të parregullt, sipas autoriteteve vijon të jetë problematike trafikimi i tyre nga shtetas shqiptarë dhe jo vetëm.

Vetëm gjatë këtij viti janë arrestuar 174 persona të cilët janë konstatuar duke transportuar me mjetet e tyre shtetasit e huaj. Policia ka arrestuar edhe 5 shtetas sirianë e marokenë të cilët bashkëpunonin me shqiptarët për të transportuar bashkëkombasit e tyre.

Forcat e rendit kanë proceduar 6 persona si ndihmës ndërsa kanë shpallur në kërkim 16 të tjerë, të cilët luanin rolin e bashkëpunëtorëve.

Rruga e re
Së fundmi Interpoli ka konstatuar një tjetër rrugë e trafikimit të tyre nëpërmjet detit Adriatik. Shumë raste janë konstatuar nga policia të kalimit të klandestinëve me anije të vogla nga deti Adriatik drejt Italisë.

Ndonëse raste të tilla nuk konfirmohen zyrtarisht nga policia shqiptare, klandestinët vijojnë të synojnë doganën e Morinës në Kukës dhe të Hanit të Hotit në Shkodër.

Ora News - Shqipëria portë për emigrantët, 11 mijë klandestinë të ndaluar

SHKARKO APP