Shqipëria që duhet të ishte

NGA ENIO CIVICI

Një territor i vogël, me një popullsi homogjene dhe në numër të vogël, me histori të gjatë përbashkuese me nivel mesatarisht të ngjashëm të varfërisë dhe me burime natyrore mëse të mjaftueshme, teorikisht duhet të jetë i lehtë për t’u administruar me shpejtësi në rrugën e zhvillimit. Kujtoj këtu Estoninë, Zvicrën, Luksemburgun, Uruguain, Sllovakinë apo shumë shembuj të tjerë edhe pranë nesh. Është edhe Irlanda, e cila me ftohtësinë gjeografike që e karakterizon, thotë se nëse je shtet i vogël, atëherë përpiqu të jesh inteligjent. Por Shqipëria nuk është kështu.

Me shumë mundësi, për vetë fajin e saj. Idealisht dhe shpesh normalisht, shtete me karakteristikat e mësipërme sot duhet të ishin duke u dominuar nga diskutime publike të lidhura me forcimin e asetit “tru”, krijimin e forcës punëtore të specializuar në pajisje të teknologjisë së lartë dhe përmirësimin e specifikave ligjore në shërbim të modernizimit të problemeve njerëzore. Në vend të këtyre diskutimeve, gjendemi përballë retorikës së një reforme që largon për shpërdorim detyre vetë ata individë që supozoheshin të ishin më të drejtët. Flasim për një opozitë të dalë me vetëdije jashtë institucioneve kushtetuese dhe për një cinizëm total qeveritar mbi transparencën e kontraktimeve publike.

Flasim për klasa shoqërore të marzhinalizuara, që vërtet çuditen kur interesohen organizatat humanitare për ta, aq shumë zë të padëgjuar kanë ndër vite. Debati publik shqiptar është ende në fazën a duhet të zhvillohen zgjedhjet, ndërkohë që duhet të ishte duke menduar për votimin elektronik individual në bazë të shenjës së gishtërinjve apo programeve e reformave cilësore zhvilluese të kandidatëve.

Jemi ende në paqartësinë e truallit me disa pronarë, ndërkohë që duhet të ishim në fazën e shfrytëzimit financiar të objekteve në disa nivele pronësie. E kështu, shumë pasqyrime paradoksale me vendet shumë fqinje me ne. E kush mund të jetë fajtor për këtë?

Ditën e djeshme u publikua raporti i progresit nga Komisioni Europian si një dokument që i udhërrëfen Këshillit të Europës, organit më të lartë të Bashkimit Europian, cilësinë e mendimit mbi shtetet kandidate për t’u anëtarësuar, fazë në të cilën ndodhemi dhe ne. Duke i konsideruar palë asnjanëse, të paktën për stabilizimin institucional të këtij vendi të Ballkanit, ky dokument duhet të konsiderohet një radiografi e çiltër e problemeve dhe përparimit organik të tij. Çfarë ka ndodhur në një vit? Çfarë ka ndryshuar në dosjen tonë të depozituar pranë Bashkimit Europian?

Për sa u përket kritereve politike, ndërkohë që vjet flisnim për angazhime në drejtim të reformës elektorale, tashmë shkruhet qartë që nuk është bërë asgjë për adresimin e tyre. Nga vjet, ku cilësohej shpresa për implementimin e rekomandimeve të OSBE-së, duket se sot jemi në gjendjen e zgjedhjeve pa opozitën dhe de facto me një parti. Vjet thuhej se Parlamenti, edhe pse nën polarizim të skajshëm, ishte faktor pozitiv në prodhimin e ligjeve pro reformave, ndërkohë që në dokumentin e fundit Parlamenti është një organ kushtetues i paplotë dhe në limbon e mungesës së opozitës. Në lidhje me qeverisjen, pak ka ndryshuar përveç amullisë së ndryshimit të shpeshtë të ministrave në më pak se 12 muaj. Në anën tjetër, raporti i progresit në lidhje me kriteret ekonomike mund të lexohet më qetë. Sipas Komisionit Europian, ne gëzojmë një nivel makroekonomik të pranueshëm me stabilitet fiskal në të dy vitet, me deficit buxhetor në ulje dhe investimeve të huaja mbështetëse të tij. Një përcaktim i dokumentit flet për situatën e inflacionit dhe mbiforcimit të monedhës kombëtare, të cilat detyruan Bankën Qendrore të ndërhynte në treg, ndërkohë që në raportin e vjetshëm stabiliteti ishte i tillë sa nuk kërkoi asnjë ndërhyrje.

Por ama, në të dy vitet vazhdojmë të vuajmë borxhin e lartë publik dhe klimën jo të përshtatshme të biznesit, ndërsa gëzojmë deficit fiskal në rënie dhe politika të duhura makroekonomike. Një element për t’u nënvizuar te kriteret ekonomike ishte kalimi nga partneritet publik-privat në rritje dhe i parë me shqetësim te raporti i freskët, ku thuhet se politika e PPP-ve është kthyer në instrument të qeverisë për të ndërhyrë në treg. Ka dhe 100 faqe të tjera për të përshkruar rrugën e ndryshimit më shumë negativ sesa shpresëdhënës dhe në rastin më optimist të “mbetur në vend” të shtetit tonë. E kush mund të ketë faj për këtë?

Sigurisht që ka klasa politike me tri parti sherranjose dhe pesë personazhe kryesore politike, më shumë konfliktuale se objektive. Për këto parti, mbi të gjitha kemi faj ne sepse jemi ne që i popullojmë, ngatërrojmë dhe pastaj ndjekim në çfarëdo rruge të verbër apo fantashkencore që vazhdimisht marrin. Duket se këtë ende nuk e kemi kuptuar në rastin më të mirë apo thjesht e kemi pranuar në rastin më të keq.

Përpara se mbetja në vend të kthehet në ecje prapa, duhet të zgjohemi dhe të kërkojmë zgjim me zgjedhje që nuk kanë nevojë për zgjidhje. Sepse kjo është Shqipëria që duhet të ishte, një shtet në gjirin e Bashkimit Europian, i cili parapëlqen të konkurrojë për ide dhe cilësi të lartë jetese e jo një shtet që lëviz nga parajsë turistike e pazbuluar, në një vend ku ke frikë për jetën brenda 6 muajsh.

Asnjë nga ne nuk do stabilokracinë, por stabiliteti si mjet për zhvillimin duhet të jetë qëllim përmbi anëtarësimeve në parti. E nëse kjo e sotmja nuk është Shqipëria që duhet të ishte, për këtë faj kemi ne. Në teoritë e politikave të zhvillimit, partitë konsiderohen korporata, të cilat ashtu si të tjera kanë detyra të caktuara publike më të rëndësishme se të tjera për një shtet. Sipas tyre, “mjerë për ato vende që i kanë këto korporata të këqija dhe aspak eficiente.

SHKARKO APP