Shqipëria, Shqipëtarët dhe fati i saj

Nga RAIMOND TODHE –
Sot 28 vjet nga pseudo ndryshimet e politikës diktatoriale një partiake , vazhdojmë të keqqeverisemi dhe grabitemi nga injoranca dhe primitiviteti , që me babëzinë e tyre po shkatërrojnë çdo ditë bukuritë dhe resurset vëndit tonë të mrekullueshëm dhe të bekuar nga vetë Zoti.
Cdo ditë vendi braktiset nga të rinjtë të pashpresë dhe vdekja vazhdimisht i rri në kokë atyre që për vite me radhë konsumuan djersën dhe dijet e tyre për të ndërtuar një vënd me të ardhme të sigurtë , por që injoranca , fanatizmi i kuq dhe tirania , jo vetëm shkatërruan të mira materiale por , vranë shpresën për një të ardhme më të mire .
Mbjellja çdo ditë e urrejtjes përkundër dashurisë , vesit perkunder virtutit , rrugëtimi në shtigje të pashkelura në errësirë përkundër rrugës së ndriçuar , manipulimi i vlerave të Demokracisë , nëpërmjet demagogjisë së lakejve të pushtetit , vlerësimi i paaftësisë dhe shkatërrimi i vlerave intelektuale , ky është realiteti i zymtë dhe mbytës që po asfiskon shoqërinë dhe të ardhmen e këtij vëndi .
Demokracia e shprehur nëpërmjet Pluralizmit politik , nuk është gjë tjetër përveçse një Tirani e sofistikuar , e kamufluar për , sa kohë ka munguar dhe mungon demokracia në vetë Partitë Politike , fenomen i cili nuk ka lejuar angazhimin e lirë të të gjithë kapaciteteve intelektuale , të kontribojnë për ndërtimin e një Shteti Demokratik ku Liria dhe Ligji të garantohen njëlloj për çdo shtetas.
Lind pyetja e natyrshme se se si ka mundësi që Shqipëtarët , një nga Kombet më të vjetër në Ballkan , një popull me trashëgimi të pasur Kushtetuese , një vënd me resurse të bollshme natyrore , nuk po mundet të vetqeveriset , për të zënë vëndin që i takon jo vetëm ne Europë por dhe në Botë.
Ne më shumë se çdokush tjetçr jemi krijuar nga Zoti si qënie të lira , të vendosur me vullnetin e Zotit në qëndër të rruzullit , me një trashëgimi të pasur që ruhet në venat e gjithsecilit dhe që trasmetojnë në këtë realitet të hidhur , dashuri , krenari , vendosmëri dhe qëndresë ndaj kujdo që kërkon të trasformojë karakterin dhe dhuntitë individuale të këtij kombi të të lirë dhe vital , që është ushqyer dhe mbijetuar në breza nga ajri dhe uji i pastër i maleve tona
Populli Shqiptar më shumë se kushdo tjetër është rritur duke kultivuar në individualitetin e tij Lirinë , paprekshmërinë e dinjitetit të Familjes së tij dhe pronës , pasuri të cilat qarkullojnë në gjakun e gjithsecilit, janë të trashëguara nga të parët tanë .
Vetë Demokracia , nënkupton predominimin dhe udheqeqjen politike të një grupi interesi ndaj pjesës tjetër nëpërmjet , një procesi zgjedhor , transparent të ndershëm të mbrojtur posaçërisht nga Kushtetuta e R.SH dhe ligjeve specifike të miratuara për këtë qëllim .
Në vëndin tonë nocioni Demokraci , u konceptua dhe implementua në mënyrën më të keqe të mundëshme , qëllimisht për të krijuar një ide krejtësisht të gabuar për sistemin e Demokracisë dhe vlerave progresiste të ketij sistemi.
Gjate gjithë historisë post viteve 90 , në Shqipëri asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme , qëllimisht për të mos lejuar qytetarët dhe pjesën intelektuale të përfaqsohen në Institucionet e Shtetit , për të mundësuar lehtësisht realizimin e qëllimeve ogurzeza të shkatërrimit jo vetëm të ekonomisë së vëndit por më kryesorja burgosjen e shpirtit të lirë të qytetarit shqiptar dhe humbjen e besimit , qëllim që e kanë realizuar më së miri nëpërmjet gjithpërfshirjes së injorancës dhe primitivitetit në Institucionet e Shtetit.
Mungesa totalisht e pamvarësisë së tre pushteteve , natyrshëm nuk mund të instalonte veçse një Sistem autokratik , me liri veprimi në kahje të kundërt ku prevalojnë , vjedhja pa kriter , abuzimi me pushtetin , çoroditja dhe anarshia neë çdo skaj të jetës .
Sot lehtësisht e dallueshme , është arritur të cënohen të drejta dhe liri themelore të saksionuara në Kushtetute te drejta natyrore të trashëguara në dejet e ketij populli gjatë gjithë Historisë së ekzistencës së tij .
Në një Shtet të së Drejtës , një Parti Politike mund të fitojë zgjedhjet dhe me mazhorancë absolute , por kjo asnjëherë nuk nënkupton , që kjo mazhorancë ka të drejta të pakufishme , sepse në këtë rast lehtësisht një forcë politike e pa kufizuar në ushtrimin e politikave të saj mund të ç’instalonte Institucionet demokratike dhe të rivendoste një pushtet mbretëror apo diktatorial , dhe Shqiperia i ka në kujtesë veprime të tilla .
Në Shtetin e së Drejtës , të Drejta themelore si ajo e pronës , e lirisë së shprehjes , e Taksës së drejtë, Pluralizmi Politik etj , janë të drejta të panegociueshme , të mbrojtura posaçerisht nga Kushtetuta dhe që asnjë forcë politike apo shumicë parlamentare nuk mund ti cënojë qoftë dhe me Referendum .
Brezi i ri duhet të mësohet dhe të edukohet me konceptin e pacënueshmërisë së të Drejtave dhe lirive themelore , nga asnjë pushtet qoftë ky Parlament mazhoritarë apo Gjykatë Kushtetuese , duke i konsideruar ato si të Drejta Hyjnore të fituara në momentin e ardhjes në jetë .
Që të grantohen këto të Drejta duhet domosdoshmërisht të ketë një pushtet të pamvarur të gjyqsorit , pushtet i cili duhet të burojë drejtpërsëdrejti nga Sovrani Populli , të cilit i takojnë pushtetet dhe që s’mund ti delegohet askujt .
Burrat e Shtetit që kanë marrë përsipër udhëheqjen e këtij vëndi duhet domosdoshmërisht të marrin përgjegjësitë jashtë interesave personale , për të instaluar në këtë vënd institucione të pamvaruara jashtëpartiake , të ndërtuara mbi meritën e gjithsecilit , për të sjellë paqe, dashuri dhe besim ndaj njëri tjetrit , përkundër urrejtjes dhe ndasive që janë mbjellur nëpërmjet propogandës poltike dhe fetare , të cilat i sherbejnë vetëm të Huajve dashakeqës dhe jo zhvillimit dhe progresit të vëndit tonë .
Diskretitimi , nëpërmjet procesit të Vettingut të përfaqsuesve më të lartë të sistemit gjyqsor , qartë dhe pa asnjë dyshim , tregon mungesën plotësisht të Pushtetit të Drejtësisë në vëndin tonë , fenomen që zhvlerëson plotësisht demagogjinë e propogandës politike , për ndërtimin dhe funksionimin e Demokracisë në vëndin tonë .
Megjithë që prona private garantohet nga Kushtetuta e R.SH , e cila është maja piramidale e legjislacionit në Shqipëri , politikanët, parlamentarët mosnjohës të të drejtave dhe lirive themelore te individit , si dhe Gjyqtarë komprometues te Gjykatës Kushtetuese , kanë miratuar dhe implementuar Ligjin 9482 …Për Legalizimin , Urbanizimin dhe Integrimin e ndërtimeve pa leje .., Ligj i cili në mënyrë arbitrare grabit pronën private nën mbrojtjen e Institucioneve të Shtetit të cilat presumohet që mbrojnë interesat e të gjithë shtetasve , duke ja dhënë atë dhunuesit , grabitësit , duke cënuar një nga parimet më të rëndësishme atë të saksionuar në Nenin 41 të Kushtetutes , e drejta e pronës private .
Taksa paguesit Shqiptarë kanë paguar dhe do të vazhdojnë të paguajnë , detyrimet që rrjedhin nga Vendime famëkeqe të gjyqsorit në Shqipëri , të ndryshuara nga Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasbourg . Eshtë e pandershme që keto detyrime të paguhen nga qytetarët shqiptare dhe jo nga ata që i kanë shkaktuar keto dëme qoftë për paaftësi të tyre, apo se kanë konsumuar termin modern , mos justifikimi i pasurise. Në këtë rast mos ç’demtimi për dëmin e shkaktuar , cënon të Drejta themelore të saksionuara në Kodin Civil , duke krijuar pabarazi ndaj Ligjit fenomen që cënon të drejtën Kushtetuese – Parimin themelor të barazisë së shtetasve përpara Ligjit .
Vendosja e taksës ndaj banesës pronë private , për të cilin qytetari ka paguar detyrimet ndaj shtetit, dhe nuk shfytëzohet për bisnes, pra nuk regjeneron fitim, është thjesht vjedhje , dhe zveshje nga e drejta e pronësisë . Pronari duke paguar taksë për banesë , humbet të drejtën e pronarit duke u trasformuar në qeraxhi ndaj pronarit të pa ligjshëm shtet . i cili nuk ka asnjë kontribut dhe asnjë të drejtë legjitime .
Imagjinoni që ndër vite , fëmijet dhe nipërit do të paguajnë qera për banesën që e kanë blerë prindërit e tyre , që do të thotë kjo banesë nuk është më në pronësi private , dhe nëse nuk do të paguhej qera përmberuesi thjesht do ta nxirrte në ankand për të rimbursuar një detyrim antikushtetues. . Kjo takse cenon parime themelore te patjetersuseshme te mbrojtura me Kushtetute Neni 41 i saj .
Kahjet e Politikës Shqiptare rivalizojnë ndërmjet tyre lidhur me përparësitë që ka politika ekonomike e taksës progresive apo taksës së sheshtë .
Unë mendoj që asgjë nuk ndryshon për sa kohë nuk do të respektohen kufiri I taksimit , trasparenca publike e menaxhimit dhe investimit të fondeve publike , heqja e politikave monopoliste për një ekonomi tregu të lirë me shanse të barabarta dhe minimizimi i influencës së politikave partiake në Instuticionet Shtetërore.
Administrata dhe punonjesit e saj nuk duhet të kenë asnjë varësi ndaj Politikës . Ata duhet të jenë të varur vetëm ndaj Ligjit dhe të përzgjedhur me meritokraci. . Kjo do të mundësojë që politika të përfaqsohet nga individë profesionistë dhe intelektualë të shquar që do të punojnë në interes të vendit dhe shoqerisë. Sot pjesmarrja në politikë është thjesht një mundësi pasurimi dhe punësimi , fenomen që ka shkatërruar çdo qelizë të administratës shtetërore .
Sot komunikimi elektronik , mundëson kontaktin drejtpërsëdrejti dhe me Kryeministrin i cili ka zgjidhur problematika të ndryshme të qytetarëve , por kjo është zgjidhja në Shtetin e së Drejtës që duam të ndërtojmë ?
E drejta e mosprekjes së Administratës nga Drejtues Politik në Institucione duhet të jetë e panegociushme , duhet të jetë një e drejtë themelore e garantuar nëpërmjet Kodit të Punës , Ligjit për Shërbimin Civil dhe Kushtetutës së R.SH. .
Praktika e deritanishme për të kontrolluar me çdo kusht , shkollën e Magjistraturës dhe nëpërmjet saj dhe Pushtetin Gjyqsor , ka sjellë përfundimisht mosekzistencën e këtij pushteti , mungesën totale të së drejtes . Politika ka folur dhe flet për shtet ligjor , por Demokracia nuk përfaqsohet nga Shteti Ligjor , por nga Shteti i së Drejtes. Shtet Ligjor të mirfunksionuar kemi pasur dhe në Diktaturë , por ka munguar dhe vazhdon të mungojë e drejta , si e vetmja Garanci e paprekshmerisë së pronës , dinjitetit dhe personalitetit të individit , zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë të mbështetur në kërkesë – ofertë , dhe e mbrojtjes së konkurencës së paligjshme.
Shteti i së Drejtës kërkon detyrimisht arbitrin e pamvarur , Pushtetin e Drejtësise , të zgjedhur jo nga Politika por nga qytetarët e këtij vëndi garant i moscënimit të të drejtave dhe lirive themelore të tyre . Imuniteti fals i dhene Gjyqtarëve nga Politika , është bërë qëllimisht për të mbrojtur interesat e një grupi , të privilegjuar në raport me pjesën tjetër të popullsisë . Kushdo që shkakton një dëm me qëllim apo jo duhet të përgjigjet . Shfuqizimi që Gjyqtarët, me mosjustifikim të pasurisë të Gjykatës Kushteturese, i bën Neneve që ngarkonin me pergjegjesi Gjyqtarët për dhënie të Vendimeve të padrejta , ishte shkelje e hapur e Parimit Kushtetues të Barazisë së shtetasve përpara Ligjit .
Ndërtimi i një shoqërie të re të mbështetur në të Drejtat dhe liritë themelore të individit , duke pasur si garanci SH.B.A dhe Vëndet demokratike të B.E , jashtë çdo dëshire dhe përpjekje te kastës së vjetër , detyrimisht kërkon regjenerim të plotë të Forcave politike duke larguar nga skena politike të gjithë aktorët e saj përgjegjës të gjëndjes ku ndodhet vëndi .
Duhet ti hapet rruga angazhimit dhe shfrytëzimit të gjithanshëm të energjive të pashtershme të rinisë shqiptare pa dallim feje , krahine dhe ideje , mendoj që duhet të fillohet me ndertimin e themeleve të një Shteti të Ri modern , për tu renditur përkrah kombeve , ku në themelet e pushtetit të çimentohen gurët e themelit që garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit , garantojnë barazinë dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar kudo që jeton dhe punon .
AV

SHKARKO APP