Shqiptari i mirë i Serbisë që dëgjon muzikën e Bregoviçit

Nga Enis Sulstarova

Kjo që po ndodh sot është vijim i skenarit të mirënjohur serbomadh për përçarjen e shqiptarëve. Ata me kohë janë përpjekur të bëjnë dallimin midis “shqiptarit të keq” dhe “shqiptarit të mirë”.

“Shqiptari i keq” është ai i Kosovës: i egër, e kryengritës. “Shqiptari i mirë” i Serbisë është ai i Shqipërisë: i butë e i qytetëruar. “Shqiptari i mirë” është ai që vazhdon diplomacinë dhe tregtinë me Serbinë, edhe kur Kosova është në flakë. Është ai që kërcen me muzikën e Bregoviçit edhe pse e ka dëgjuar që me këtë muzikë çetnikët frymëzoheshin për të masakruar njerëz të paarmatosur, gra e fëmijë, në Bosnje dhe Kosovë. “Shqiptari i mirë” madje i dhuron Bregoviçit çelësin e Tiranës.

Në histori, “shqiptarë të mirë” kanë qenë Esat Pasha që i hapi rrugën për në det ushtrisë së shpartalluar serbe, në mënyrë që ajo disa vite më vonë të digjte e të masakronte edhe njëherë Kosovën. “Shqiptar i mirë” ishte edhe Enver Hoxha që i hapi rrugën masakrës së Tivarit dhe e mbuloi me heshtje sa kohë që zgjati sundimi i tij. Pas rënies së komunizmit, “shqiptari i mirë” është diplomati që thotë se “ne nuk do të prishemi me Serbinë për hir të Kosovës”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri Rama po vepron sipas skenarit serbomadh të “shqiptarit të mirë”. Kur Vuçiçi e Thaçi, “shqiptari i mirë” nga Kosova, diskutonin me harta përpara për ndarjen e Kosovës, Rama thoshte se Shqipëria do ta mbështeste çdo marrëveshje që do të arrihej dhe kur plani dështoi tha se nuk kishte qenë asnjëherë dakort me ndarjen e Kosovës. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës i vendos taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia, Rama i thotë që ta heqë. Dhe ai thotë në anglisht që udhëheqësit evropianë të pranishëm ta shohin se ai është “shqiptari i mirë” që nuk do t’i krijojë probleme Serbisë. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës thotë që do të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë, “shqiptari i mirë” Rama turra-vrapin e ndal në Ohër ku dakordohet për mini-shengenin me Vuçiçin e Zaevin dhe paturpësisht thotë se “Kosova u vetë-izolua”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kur “shqiptarët e këqij” të Kosovës heqin bukën nga goja dhe ia japin të pastrehëve të tërmetit në Shqipëri, Rama e thërret Vuçiçin në Durrës që të luajë rolin e bamirësit. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës i thotë shqiptarit të Shqipërisë se “dhimbjen do ta përballojmë bashkë”, Rama ulet në një tryezë me Vuçiçin, i cili sapo ka mohuar masakrën e Reçakut.

Ne, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarë, jemi mbledhur para tyre, për t’u thënë Ramës e Vuçiçit se edhe në Shqipëri jemi “shqiptarët të këqij”, sepse Reçaku është yni, dhimbja e Kosovës është edhe dhimbja e Shqipërisë. Kosova është e jona, është Shqipëri. Ne jemi dhe do të jemi bashkë!

*Marrë nga Facebook i autorit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?