Shtohen “milionerët”/ 96 mijë shqiptarë kanë depozita mbi 2.5 mln lekë

Numri i shqiptarëve që zotërojnë mbi 2.5 milionë lekë depozita bankare u rrit gjatë vitit 2019. Mbështetur në të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ky numër arriti në 96 mijë, rreth 5 mijë më shumë krahasuar me vitin 2018.

Të marrë së bashku, këta individë, që përbëjnë rreth 3.3% të shqiptarëve, zotërojnë rreth 551 miliardë lekë depozita bankare. Krahasuar me vitin 2018, vlera e depozitave të këtyre individëve është rritur me rreth 35 miliardë lekë.

Pjesa tjetër prej 97% e individëve, e marrë së bashku, zotëron rreth 425 miliardë lekë.

Mbështetur në shifrat e vitit të kaluar, detyrimi total i ASD përfshin depozita totale në vlerën e 709 miliardë lekëve. Nga këto, 665 miliardë lekë ose pothuajse 94% depozita bankare të individëve dhe rreth 38 miliardë lekë janë depozita të shoqërive tregtare. Pjesa e mbetur, prej rreth 6 miliardë lekësh, janë detyrime eventuale për kompensim të depozitave të shoqërive të kursim-kreditit.

Fondi i ASD për sigurimin e depozitave vitin e kaluar arriti në 43 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me vitin 2018. Kjo shumë mbulon 6.15% të vlerës së siguruar të depozitave, çka përfaqëson edhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Ligji për sigurimin e depozitave parashikon që ky raport të jetë të paktën 5% dhe prej katër vjetësh fondi i sigurimit të depozitave qëndron sipër nivelit ligjor të kërkuar.

Sipas ligjit, ASD siguron depozitat bankare të individëve dhe shoqërive tregtare deri në 2.5 milionë lekë, si edhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në 2 milionë lekë. /Scan

SHKARKO APP