Shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk!

Nga Dr.  Jorgji Kote –

Kjo thënie e urtë popullore më erdhi ndërmend kur dëgjova se Presidenti Trump caktoi ditët e fundit Ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si të të Dërguarin e vet special për dialogun Serbi – Kosovë. Natyrisht pas gëzimit me këtë lajm që rikonfirmon shtimin e predispozicionit  amerikan për Ballkanin dhe posaçërisht dialogun Serbi – Kosovë. Po çlidhje ka ky emërim me “ shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk?” Lidhja fillon me faktin se tre javë më parë u prit me shumë entusiazëm lajmi tjetër nga Departamenti Amerikan i Shtetit se Sekretari Pompeo caktoi zyrtarin e tij të lartë, Mattew Palmer si emisarin e vet për Ballkanin Perendimor, me dialogun Serbi – Kosovë si një ndër tre objektivat e tij kryesore.  Palmer është ekspert i rajonit tonë pasi ka punuar në terren dhe aktualisht është zv.ndihmës i ndihmësit të Sekretarit të Shtetit për rajonin.

Qysh këtu fillojnë hamendësitë se pse duhen caktuar dy emisarë të lartë nga SHBA, një presidencial dhe tjetri diplomatik, hera e parë që ndodh diçka e tillë. Deri tani, kudo dhe në zona shumë më problematike SHBA-të  kanë patur një të dërguar me ekipin e vet ndihmës – në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut, në Ballkanin përpara 20 vitesh me të paharruarin Ambasadorin Holbrook, etj. Kësisoj, krahas vullnetit politik amerikan të përforcuar ky fakt, sidomos kur dihet se si ka funksionuar Administrata dhe diplomacia amerikane vitet e fundit krijon dhe dyshimet e para. Aq më tepër që vitet e fundit, të Dërguarit  amerikanë nuk është se kanë dhënë ndonjë rezultat për shkak se nuk u janë krijuar hapësirat e rastit nga vetë Presidenti Trump; pa shkuar te skandali më i fundit  në Ukrainë, ku janë përfshirë diplomacia dhe i dërguari presidencial amerikan. Veç kësaj, të dy, Palmer dhe Grenell do të vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e tyre, i pari në Washington dhe i dyti në Berlin, pra ata do të jenë part – time; ndryshe nga praktika e mëparshme amerikane ku i dërguari merrej me kohë të plotë, me kompetenca të qarta e të plotfuqishme nisur qysh nga emri i tij.

Sfida në këtë drejtim bëhet dhe më e vështirë sepse dhe Rusia ka tashmë të dërguarin e vet, Ambasadorin e saj të fuqishëm në Beograd për të ndjekur nga afër këtë proces. Kështu, ndryshe nga 20 vite më parë, ajo tashmë përfaqëson dhe në Ballkan një fuqi të madhe me interesa të shumta dhe po tenton jo pa sukses të hyjë dhe në Kosovë. Një demostrim force dhe mesazh i qartë për Perëndimin se pa Rusinë nuk mund të ketë zgjidhje të vërtetë e të qëndrueshme të një problemi pa “ haraç politik” Gjërat mund të komplikohen më tej nëse Rusia do të forcojë këtë prani me një të Dërguar Special me kohë të plotë në Ballkan.

Ndërkohë, “ Gjeografia” politike e emisarëve të lartë në Ballkan  do të vazhdojë të zgjerohet. Më 1 Nëntor, sapo të hyjë në zyrë, Përfaqësuesi i ri i Lartë i BE-së, spanjolli Joseph Borrell pritet të caktojë dhe ai një Ndërmjetësues Special për rajonin dhe posaçërisht për dialogun Serbi – Kosovë. Deri tani këtë funksion e ka patur parardhësja e tij, Mogherini. Por për Borell ka një ndryshim dhe disavantazh të madh – veç ngarkesës me vatrat e tjera të nxehta, ai nuk mund të jetë më ndërmjetës apo facilator i dialogut Serbi – Kosovë për shkak të “ konfliktit të interesit” Dihet se Spanja është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e njeh dhe as nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën. Gjithashtu, ajo është mbështetëse e flaktë e Serbisë ku Borrell  shquhet për zellin e tij anti – Kosovë. Ja pse i dërguari i tij duhet dhe do të jetë nga një vend tjetër dhe kjo do të ketë pasojat e saj; sepse emisari do të raportojë te Borrelli por dhe te vendet e tjera antare e së pari te Gjermania dhe Franca, sponsorët më të mëdhenj evropianë të dialogut Serbi – Kosovë. Madje përflitej deri vonë se të dy këto vende do të caktonin të dërguarit e tyre, por për fat të mirë  kjo është mohuar prej tyre. Tani mbetet të shpresojmë që të mos caktojnë ndërmjetësuesin e vet  OKB-ja, që në fakt i takon, apo dhe  OSBE-ja e ndonjë organizëm tjetër çka do ta bënte të pamundur dhe vetë dialogun Serbi – Kosovë.

Sepse vërtet që fuqia dhe trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë dhe Kosovën për një zgjidhje pëfundimtare do të jetë më e madhe; por çështja shtrohet përse, dmth për cilën alternativë të propozuar? Sepse përpunimi, kolaudimi dhe paraqitja e kësaj alternative kërkon paraprakisht  dialog dhe mirëkuptim “ mes vedi” dmth ndërmjet vetë ndërmjetësuesve të lartpërmendur. Diçka tejet e vështirë për shkak të interesave të ndryshme dhe të kundërta. Veç kësaj, në rastin e Ambasadorit Grell ka dhe një problem besimi me gjermanët. Për shkak të qëndrimeve të tij të forta për një Ambasador në mbështetje  të Presidentit Trump dhe sulmeve ndaj politikës gjermane, ai ka krijuar polarizim në Berlin. Mirëpo ky mund të ndikojë negativisht në ritmin dhe suksesin e dialogut në fjalë për shkak të mosrakordimeve me BE-në në përgjithësi, Gjermaninë dhe vende të tjera. Diçka jo e lehtë, sidomos po të kihet parasysh trysnia e jashtëzakonshme e faktorit kohë, sidomos për SHBA-të; kjo e fundit do të kërkojë rezultatin sa më shpejt, në prag të zgjedhjeve presidenciale 2020, pavarësisht nga kostoja e saj. Mirë shpesh siç thotë populli  “ kush nxiton, vonon”

Këtë ndërmjetësim e ndërlikon më shumë edhe gjendja dhe klima aktuale në rajon në përgjithësi dhe Serbi – Kosovë në veçanti, e cila është shumë më e  disfavorshme për Perëndimin dhe Kosovën se 20 vite më parë. Kur  SHBA dhe BE janë dobësuar në shumë drejtime të njohura, me përçarje dhe kontradikta jo të vogla ndërmjet tyre, sikurse dhe Aleanca transatlantike. Mjafton të rikujtojmë se 20 vite më parë, Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit për Ballkanin,  gjermani  Bodo Hombach kishte mbështetjen unanime dhe pa kushte nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë të botës. Po kështu, gjatë krizës së vitit 1997 në vendin tonë, Vranitzki, si i dërguari i vetëm special i OSBE-së kishte mbështetjen absolute të gjithë komunitetit ndërkombëtar pa përjashtim. Edhe për Kosovën, i vetmi i Dërguar ishte Martti Ahtissari nga OKB-ja. Veç kësaj, 20 vite më parë në Ballkan ishin të “ plotfuqishëm BE-ja dhe amerikanët, kurse sot aty po ngulen dhe më fort rusët, turqit, kinezët, etj. Nga ana tjetër, ndryshe nga 20 vite më parë, Serbia është vend demokratik dhe i parapëqyer nga komuniteti ndërkombëtar, megjithë  kusuret dhe deficitet e saj demokratike. Por edhe “rebuset” politikë në Serbi dhe në Kosovë janë shumë më të vështirë për t’u zgjidhur se 20 vite më parë.

Ja pse në këto kushte, kur nuk ka shumë vend për eufori, urojmë që në vend të shprehjes “shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk” të dalë e vërtetë motoja “ Bashkimi bën fuqinë”.

argumentum.al

SHKARKO APP