Shuplaka e ‘befasishme’ e Freedom House për kryeministrin

Nga Red Varaku –

Kësaj radhe as organizata dhe think tanku liberal Freedom House, që është i njohur për përkrahjen, që i jep autokratëve majtistë të sojit të Ramës, nuk e fshehu dot realitetin e zymtë të demokracisë në Shqipëri, të cilën e renditi tek demokracitë hibride dhe të rrezikuara, vetëm një pikë më lart se Serbia .

Ndryshe nga herët e tjera, kur në lidhje me qeverisjen e Ramës, raporti shprehej me nota të përgjithshme, kësaj here ai ishte kthjelltësisht i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me gjendjen e mjerueshme të demokracisë në Shqipëri.

Jo rastësisht, menjëherë pas publikimit të raportit për Shqipërinë, çeta mediatike e kryeministrit nisi fushatën për ta neutralizuar dhe delegjitimuar mesazhin kryesor, që buronte prej tij, duke e devijuar debatin në lidhje me përfundimet e këtij raporti, në një debat të rëndomtë midis qeverisë dhe opozitës, ku si gjithmonë në vend që t’i kërkohet llogari qeverisë, gjendet një pretekst për të sulmuar dhe fajësuar opozitën.

Kjo jo dhe aq për neutralizimin e problematikave të ngritura prej këtij raporti, se sa për të fshehur thelbin e mesazhit që buron prej tij, i cili është një mesazh tejet shqetësues për qeverinë, sepse i bën një radiografi të ashpër realitetit të demokracisë në Shqipëri .

Sigurisht, problematikat që ngre ky raport janë serioze, sepse për herë të parë ato rrëzojnë legjitimitetin e parlamentit dhe e konsiderojnë të drejtë vendimin e opozitës për ta braktisur atë.

Gjithashtu, për herë të parë i tërheq vëmendjen “ndërkombëtarëve” për neglizhencën dhe mosraportimin ‘me qëllim’, të përpjekjeve të kryeministrit për të asgjësuar demokracinë dhe për të konsoliduar pushtetin personal.

Por, mesazhi që buron prej tij të cilin çeta po përpiqet të neutralizojë është tjetër gjë. Së pari, sepse të gjitha shqetësimet që ngre ky raport, siç janë dështimi i reformave demokratike, manipulimi i zgjedhjeve, asgjësimi i parlamentit, manovrat për të instaluar ‘besnikët’ në sistemin e drejtësisë, përputhen dhe i japin të drejtë të gjitha shqetësimeve të ngritura nga opozita në lidhje me përpjekjet e kryeministrit për të kapur të gjitha pushtetet dhe përkeqësimin e demokracisë.

Së dyti, sepse ky raport Shqipërinë e fut në të njējtin grup me vendet me demokraci të rrezikuara nga autoritarizmi bashkë me Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, përjashto Kosovën dhe Maqedoninë, të cilat i konsideron si vende që kanë bërë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë .

Së treti, ky raport ka shumë rëndësi, sepse është një mesazh që vjen nga një organizatë si Freedom House, një organizatë me bazë në Washington, një think tank liberal me të cilin kryeministri ynë ndan shumë miq dhe ide të përbashkëta, që do të thotë se tashmë ai është aq i braktisur sa dhe as ‘miqtë’ nuk po arrijnë t’ia mbulojnë dot më shkatërrimin që i ka bërë demokracisë.

Së katërti, dihet që raporte me nuanca të tilla janë pararendëse të ndryshimeve të pushtetit, mjafton të hedhim sytë pas në historinë tonë të ndryshimit të pushtetit, do të gjejmë që raporte të tilla i paraprijnë rotacionit .

Pra, si përfundim , ky raport, i cili reflekton të njëjtën problematikë, që reflektojnë si 15 kushtet e Bundestagut ashtu edhe Rezoluta për Shqipërinë e Partive Popullore Evropiane, është një tjetër indicie e qartë, që tashmë ndërkombëtarët mbështesin një qëndrim të unifikuar në lidhje me rotacionin e pushtetit.

Ky raport nuk është vetëm një provë më shumë, që qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ndaj kryeministrit të korruptuar shqiptar, pas djegjes së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, mbetet i pandryshuar, por është edhe një mbështetje dhe sinjal i qartë për flukset opozitare, se dita kur ky njeri do të largohet është shumë afër.

SHKARKO APP