Si “Game of Thrones” është shndërruar në një minerë ari për platformën HBO, aktorët dhe producentët?

Edhe nëse e keni parë, edhe nëse do e shihni në vijim, edhe nëse nuk keni ndërmend ta shihni fare, me siguri keni dëgjuar për bumin që ka bërë seriali “Game of Thrones”. Seriali transmetohet në rrjetin ‘HBO’, dhe këtë të dielë shfaqi episodin final të një seriali 8-sezonësh, mbushur plot me emocione.

Fanatikët e serialit kanë qenë duke shijuar tensionin e pyetjes: “Kush do e marrë “Fronin E Hekurt” dhe pushtetin e gjithë mbretërisë?” Por tani, ndërsa përgjigja e pyetjes është marrë, nuk duhet harruar dhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm: “Game of Thrones” është fitimprurësi më i madh për ‘HBO’-në dhe ish-kompaninë partnere ‘Time Warner’, të blerë nga ‘AT&T’ për 85 miliardë dollarë në 2018. “GoT” është produksioni më i shikuar në historinë e ‘HBO’-së, franshiza i vlen mbi 1 miliard dollarë, me rreth 30 milionë shikues për episod vetëm në SHBA, sipas ‘New York Times’.

Me këto shifra, ekspertet vlerësojnë se seriali sjell rreth 15 milionë dollar fitime për episod. Kjo është një shifër marramendëse, duke patur parasysh se për t’u krijuar, çdo episod kushton 15 milionë dollarë. Pra, “GoT”, për secilin episod këtë sezon të fundit, ka qarkulluar rreth 30 milionë dollarë.

‘HBO’ nuk mbështetet tek reklamat që transmeton në platformën e saj për fitime. Në vend të kësaj, ajo varet nga pagesat 10 apo 15 dollarë që kryejnë njerëzit për të pasur platformën e saj kabllore apo streaming në shtëpi. A funksionon kjo metodë jo dhe aq tradicionale? Duket se po. ‘HBO’ krijoi 6 miliardë dollarë fitime midis 2015-ës dhe 2018-ës, sipas raporteve.

Dhe nëse jeni duke menduar se sa shumë fitojnë yjet e këtij seriali, po, keni të drejtë, ata fitojnë shumë! Yjet kryesorë, Peter Dinklage, Lena Headey, Nikolaj Coster-Waldau, Kit Harington dhe Emilia Clarke fitojnë nga 2 milionë dollar për çdo episod.

Por të gjitha këto kalkulime janë deri më tani, kur seriali sapo ka përfunduar. Duhet të merret parasysh se GoT do të vazhdojë të sjellë fitime të mëdha për producentët, aktorët dhe ‘HBO’-në për shumë vite, madje edhe dekada në vijim, për sa kohë, seriali konsiderohet ndër më të mirët të prodhuar ndonjëherë. /Scan

SHKARKO APP