Si i trajton Shqipëria mjekët? Paguhen 1.7 herë mbi pagën mesatare, ndërsa në Gjermani, 3.5 herë
Mjekët, infermierët por edhe të gjithë operatorët e tjerë sanitarë janë rikthyer si asnjëherë më parë që qendër të vëmendjes së politik-bërjes dhe të publikut, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale, rrjedhojë e virusit Sars-Cov-2. Pagat e mjekëve dhe infermierëve janë gjithmonë në qendër të debateve për politikat publike, në botë, por sidomos në Shqipëri, ku gjatë viteve të fundit ka pasur një “hemorragji” të paprecedentë të mjekëve tanë drejt vendeve të Europës, në masë drejt Gjermanisë.
Por sa paguhet një mjek shqiptar krahasuar me mesataren e vendit, në Shqipëri dhe në Gjermani, apo diku tjetër në Europë? Të dhënat flasin qartë, diferenca është e ndjeshme. Një mjek në Shqipëri merr një pagë bruto në rreth 91 mijë lekë në muaj, ose rreth 73 mijë lekë neto, ndërkohë që paga mesatare në vendin tonë, sipas të dhënave të vitit 2019-të, ishte në 52.400 lekë bruto, ose rreth 43.600 neto. Diferenca mes pagës së mjekut në vendin tonë dhe pagës mesatare të vendit, fiksohet kështu në afro 70%.
Pra, një mjek shqiptar paguhet mesatarisht 1.7 herë më shumë se një shqiptar mesatar. Për infermierët ndërkohë, diferenca është thuajse e papërfillshme, pasi paguhen në kufirin e pagës mesatare, me një diferencë në rreth 5% më shumë. Por si paguhen mjekët në Gjermani dhe Europë krahasuar me mesataren e vendit? Ndërkohë që në Shqipëri mjekët paguhen 1.7 herë më shumë se mesatarja kombëtare, në Gjermani paguhen 3.5 herë më shumë, në Itali 2.5 herë më shumë, Francë 2.2 herë, Spanjë 2.3 herë, apo Britaninë e Madhe rreth 3.4 herë.
Për vendet e Europës për krahasim kemi vlerësuar mjekët specialist, ndërkohë që në Shqipëri pagat variojnë nga mjek spitali në mjek specialist në qendër shëndetësore apo mjek familje. Në rastin e Shqipërisë kemi marrë në vlerësim pagën më të lartë, atë të mjekut në spital, pasi në rastin e mjekut specialist në qendër shëndetësore, paga bie në mënyrë drastike, me thuajse 18 mijë lekë në muaj. / SCAN