Si në filma/ Pas 50 vitesh ribashkohen, çifti vishet dhëndër e nuse

Një çift të moshuarish ka treguar në emisionin “E diela shqiptare”, një histori dashurie tepër e rrallë. Ata janë njohur rreth viteve 50-60. Ai një ushtar i sapo liruar që u ngjit në autobus, ajo një 16-vjeçare me flokë të verdhë që s’ia ndante dot sytë.

Kohë kur tesera e partisë të kohës përcaktonte fatin e një dashurie. Sikur të mos mjaftonte, edhe bindja e një babai që ia kishte bërë të qartë të bijës që s’duhej të martohej me një mysliman.

Përballë një dashurie të pamundur ata ndahen. Qamili u martua dhe vazhdoi jetën e tij. Kristina jo. As martesë, as fëmijë, deri kur u bë 46 vjeç dhe një mblesëri e shpejtë e çon në Buenos Aires.

Atje ajo u martua dhe qëndroi për 22 vjet. Pasi i vdes bashkëshorti, një telefonatë vjen nga Tirana, një zë i dashur që s’e njeh. Pas disa kohësh dhe Qamili mbetet i ve dhe i kërkon Kristinës që të kthehet.

E diela shqiptare - Ka nje mesazh per ty - Pjesa 2! (02 qershor 2019)

Pas 22 vitesh në Argjentinë, Kristina vendos të kthehet. Sheh Qamilin, tashmë me flokët e bardhë si dëbora. Ai nuk e njeh.

Por zemra po. Kanë kaluar 50 vjet që kur u ndanë. Prej një viti jetojnë bashkë. Surpriza e produksionit të së Dielës Shqiptare ishte pikërisht cermonia e veshjes si dhëndër e nuse. Kristina dhe Mili s’e dinin që autobusi i jetës do i bënte bashkë, do i zbriste në stacione të ndryshme e do i takonte sërish pas 50 vitesh për të udhëtuar deri në fund me njëri-tjetrin.

SHKARKO APP