Skandali i paralajmëruar me fluturimet e “Fly Ernest”

Petrit Sulaj
Petrit Sulaj

Nga Petrit Sulaj*

Situata e ditëve të fundit me fluturimet e “Fly Ernst” nuk është diçka e re për opinionin dhe pasagjerët shqiptar.

Që kur kjo kompani i u fut në tregun e fluturimeve në Shqipëri, u ngritën dyshime mbi besueshmërinë e operimeve të kësaj kompanie, prapa së cilës qëndrojnë pronarët e dikurshëm të “Belle Air”, që shpalli falimentin në 2013 duke lënë në mëshirë të fatit mijëra pasagjerë. Në atë kohë Autoriteti i Aviacionit Civil ndërhyri fuqishëm në mbrojtje të pasagjerëve duke ngritur këtë problem deri në nivelet më të larta teknike dhe politike këtu dhe në Itali.

U kontaktua ENAC, Autoriteti Aviacionit Civil Italian, Ambasadori Italian dhe u sigurua mbrojtja e pasagjerëve me anë të një kompanie tjetër po Italiane, “Blu Panorama”. Pasagjerët ose nuk paguan ose paguan një tarifë minimale prej 50 eurosh për ti kthyer në destinacionet e tyre. Në këtë mënyrë pasagjerët u ndihmuan, por u shmang dhe kaosi me operimet nga aeroporti Nënë Tereza në Rinas.

Krejt ndryshe paraqitet tashmë situata. Drejtori i autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar në mënyrë të papërgjegjshme u sugjeron pasagjerëve të aplikojnë për rimbursim pranë kompanisë “Fly Ernst”, kur dihet tashmë zyrtarisht që ata janë në pamundësi absolute për të paguar!!! Një papërgjegjshmëri e tillë është normale për Krislen Kerin që në 2 vjet drejtim në Autoritetin e Aviacionit Civil ja doli të shkatërrojë bërthamën e specialistëve të këtij institucioni duke e mbushur atë me staf të pakualifikuar dhe të paaftë për t’iu përgjigjur situatave të tilla. Mos u habisni që në këtë institucion të gjeni “specialistë” me diploma të “Kristalit”, me degë pa lidhje me aviacionin, mësues fiskulture, apo dhe pa diplomë fare. Për këto shkelje flagrante është shprehur qartë KLSH që ka vënë dukje shkeljet e bëra në vazhdimësi në përzgjedhjen e stafit jashtë kritereve profesionale të cilat janë obligim ndërkombëtar i Shqipërisë. Por kjo situatë sa vjen dhe rëndohet. Duam të tërheqim vëmendjen e autoriteteve qeveritare se ngjarjet e rënda në aviacion kanë impakt financiar shumë të madh, madje më të madh se pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Është përgjegjësi e Autoritetit të Aviacionit Civil që ka lejuar në mënyrë jo transparente operimet e kësaj kompanie duke i dhënë asaj akses në treg dhe orare, kur dihej fare mirë se ajo ishte në tejkalim të aftësive të saj operuese. Pamundësia paguese bëhet shkak për operime jo të sigurta që cënojnë jetët e pasagjerëve, ndaj duket krejt e pavend madje abuzuese inaktiviteti i Autoritetit të Aviacionit Civil shprehur përmes qëndrimeve të tilla nga Zoti Krislen Keri tashmë i njohur për abuzimet e tij.

Nuk mund të sigurohet mbrojtje efikase e pasagjerëve sa kohë strukturat e aviacionit civil dhe Drejtori i saj e kanë mendjen në realizimin e tenderave fiktivë dhe jo në mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e aviacionit.

*Ish-Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Shqiptar

SHKARKO APP