Takimi i princeshave shqiptare me Eleanor Roosevelt

Më 4 mars 1938 princeshat arritën me tren në Uashington për një takim me Zonjën e Parë Eleanor Roosevelt. Në Union Station, policia për pak sa nuk u përlesh me paparacët të cilët e irrituan pa masë Faikun. Ministri shqiptar foli me fjalë të serta për “kuriozitetin” e amerikanëve dhe për “paturpësinë” e fotoreporterëve, të cilët me dritat e tyre “u prishën sytë” princeshave. Megjithatë, ai lejoi që vajzat të fotografoheshin dhe ato e bënë këtë me një pamje të bezdisur. Motrat i futën me të shpejtë në automobilin e shtrenjtë të marrë me qera nga Faiku për t’i çuar në Mayflower.

Faiku kishte porositur suitën mbretërore të hotelit, që kishte qenë e rezervuar për Dukën e Uindsorit, i cili e kishte shtyrë vizitën.351 Edhe në Uashington, ministrit nuk iu ndanë pyetjet nëse motrat e Mbretit kishin ardhur për të kërkuar burra të pasur. “Ato janë vajza serioze, janë zakonet e vendit që i bëjnë të tilla”, ishte përgjigja. Pasdite, nën shoqërimin e Faikut princeshat arritën në rezidencën presidenciale, që të treja me pallto të zeza. Ngaqë ishin pak me vonesë ato hynë gati duke gulçuar.

Zonja Roosevelt i priti në Dhomën e Gjelbër, një sallë aspak e madhe por ndër më të preferuarat e presidentëve për nga atmosfera e saj intime. Në këtë dhomë historike ku muret qenë lyer në ngjyrë bari, ishin nënshkruar disa nga traktatet më të rëndësishëm të Amerikës. Nuk kaloi shumë dhe në dhomë hyri Presidenti Roosevelt me karrocën e tij të invalidit.

Biseda pranë oxhakut prej mermeri të bardhë ishte e shpenguar, u bë në frëngjisht dhe zgjati 10 minuta. Princeshat vinin në një vend ku, i vëllai i tyre nuk njihej thuajse fare dhe ku, ata që kishin mësuar diçka, dinin vetëm se ai ishte një fenomen i çuditshëm, një mbret i vetëshpallur, i pamartuar dhe qejfli.

Zogu portretizohej herë si Don Zhuan e herë si njeriu i cili, i hidhte ujë të ftohtë çdo dëshire për romancë që mund të shfaqnin të motrat. Ndërkohë, shkrimet më serioze për Zogun në shtypin amerikan merreshin më tepër me historitë e atentateve dhe rebelimeve kundër tij si dhe me sherret e gjakut që të tjerët kishin ndaj Mbretit.

Pasditen e 12 marsit motrat e Zogut arritën në stacionin jugor të Bostonit, ku u pritën nga një turmë prej pesë mijë njerëzish, mes të cilëve dëgjoheshin thirrjet “Rrofshin princeshat”! Policia ishte vënë në gatishmëri, por turma e çmendur nga entusiazmi theu kordonin e policisë. Në rrëmujën e krijuar u përdorën bërrylat dhe pati rroba të grisura. Kulmi i histerisë ishte kur disa njerëz u përkulën para princeshave për t’u puthur rrobat.

Në hotelin Ritz Carlton në zemër të qytetit, motrat patën një bisedë me Nolin, të cilit i sollën të falat e vëllait. Zogu i kishte marrë masat. Pak ditë pas nisjes së trios nga porti i Durrësit, ai dërgoi drejt Amerikës dy përkrahës të dikurshëm të Nolit, Kristo Kirkën, ish-kryetar i Vatrës dhe zëvendës konsull nderi në Boston në vitet 1924-1926 dhe kolonel Aqif Përmetin, ishkomandant i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare në kohën e qeverisë së Nolit. Misioni i tyre ishte të bindnin peshkopin të kthehej në Shqipëri për të kryesuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e cila kishte fituar njohjen e Patriarkanës së Konstandinopojës. E diela, 13 mars, ishte dita më e rëndësishme e vizitës.

Motrat dhe suita e tyre arritën me automobil në kishën e vogël të Shën Gjergjit për meshën që do të jepte Noli. Brenda dhe jashtë ndërtesës turma nuk përmbahej nga emocionet. Kisha e vjetër, e blerë me sakrifica nga komuniteti ortodoks shqiptar në vitin 1922, ndodhej në Emerald Street, një lagje modeste e qytetit. Nuk nxinte më shumë se 100 vetë dhe njerëzit rrinin në këmbë në raste shërbesash.Faiku kishte qenë atje shumë herë për mbledhjet e Vatrës dhe punë të tjera, por asgjë nuk kishte të krahasuar me atë ditë.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet atmosfera solemne e asaj meshe: përballë altarit historik qëndronte Noli me raso të zezë ndërkohë që muzika liturgjike dhe psalmet çanin ajrin. Shumë gjëra ishin surreale në atë skenë: tri princesha muslimane ndiqnin të heshtura një ceremoni të krishterë; një peshkop, ish-kryeministër, lutej për vëllanë e tyre, Zogun, njeriu i cili dikur e kishte dënuar me vdekje peshkopin; anasjelltas, pikërisht ky klerik kur qe bërë kryeministër e kishte dënuar me 10 vjet burgim në mungesë Zogun!

Faiku, mik me të dyja palët, u shpjegoi gazetarëve që kishin ardhur në kishë se paqja ishte arritur. Megjithatë, u tha atyre, ky pajtim nuk kishte ndonjë rëndësi politike pasi peshkopi ishte shkëputur nga politika tre vjet më parë.359 Tani, tha Faiku, rruga ishte e hapur që Noli të kthehej në Shqipëri. Ai do të ishte një president i shkëlqyer i universitetit që mendonte të themelonte Zogu…..

Ilir Ikonomi: ”Faik Konica, jeta në Washington”, botim i UET PRESS

SHKARKO APP