Të gjitha gafat e Rudina Hajdarit (VIDEO)
Rudina Hajdari njihet për lapsuset, rrëshkitjet, marrjet e gojës, gafat. Si politikane prej dy vitesh, si e diplomuar në Shkenca Politike, mund të hamendësoni me të drejtë se oratoria duhet të jetë në mos pika e saj e fortë, të paktën një aset që di ta përdorë. Hajdari e ka të vështirë të lidhë dy fjali bashkë pa gabuar diku. Së pari, rasti i tre ushtarakëve që humbën jetën në Letoni. Çfarë? Vetëm një dhe jo tre? E dimë. Fatkeqësisht, Zarife Hasanaj dha jetën në detyrë por diçka në mendjen e Hajdarit insistonte se në fakt ishin tre që patën këtë fat. Deputetë të tjerë në Kuvend tentuan ta korrigjonin, por ajo këmbëngulte te e vetja. Madje, insistoi t’u thoshte dhe emrat, por në fund u detyrua të pranonte se në fakt, dy prej tyre ishin plagosur. Në mars, Koha Jonë botoi një artikull me titullin “Rudina Hajdari, 5 gafa në një fjalim më pak se një minutë” dhe fitoi çmimin “Titulli më ikonik shkruar ndonjëherë”. Në këto pesë gafa, Hajdari premton rritje të papunësisë, nuk di të shqiptojë “demokratike,” thotë se arsimi duhet ndaluar etj. Në vijim, gafat ashtu siç ndodhën, në trajtën e tyre të pastër:
Gafa 1: Arsimi është një nga gjërat kryesore që duhet të ndalojmë, të rinjtë shqiptarë duhet t’i japim mundësinë që ata të…
Gafa 2: Plani demok…plani i Partisë Demokratike, plani ekonomik i demokraci…pal…politi…demokracisë demokratike është plani më i fortë për sa i përket…
Gafa 3: Do rigjenerojë biznesin, do ngrejë papunësinë sepse bizneset do të kenë më shumë frymë dhe do jenë në gjendje të kemi një ngritje të punësisë…
Gafa 4: Ne do luftojmë fort të kemi një zero tolerancë për sa i përket shëndetësisë…
Gafa 5: Kanë frikë të shkojnë nëpër spitale sepse ato duan të paguajnë dikë për të dalë dhe sidomos për gra, gratë janë të parat që ndeshen me këto probleme sepse duke qenë shtatzënë dhe sjellin dikë në jetë…
Pak javë më parë, Rudina Hajdari tha me vetëbesim se “ne do të vijojmë të përçajmë të gjithë Shqipërinë” në një fjalim që supozohej të ishte frymëzues, në një fjalim që supozohej të ishte një listë tipike premtimesh prej politikani. Tani, e gjithë esenca e politikanit qëndron te aftësia për të premtuar gjëra që s’ka ndërmend t’i realizojë ndonjëherë. Sa e vështirë është të gënjesh? Një opinionist për ShkodraWeb e quajti lapsusin e mësipërm frojdian, pra që shpreh synimet e saj të vërteta, por ju gjykojeni vetë.
Për më tepër që s’kuptohet në është lapsus, siç janë gjasat, apo vërtet beson se deputeti quhet Taulant Palla.
Burimi: /Anabel.com/