Të largojmë me zë e me votë barbarët që shkatërruan Durrësin!

Nga Klevi Elezi

Mjafton të bëjmë një xhiro me biçikletë në Durrës dhe do të vëreni 1001 problemet e këtij qyteti tashmë të kthyer në një katastrofë urbanistike. Ky qytet që dikur ka qënë perla e Adriatikut dhe lakmohej nga të huajt, sot vizitohet gjithnjë e më pak. Çuditem sesi ky qytet mbart mbi supe historinë e një kombi dhe rrënjët e një shteti, por lihet në duart e disa injorantëve të pangopur që e bënë këtë qytet një vend të rrënuar e mjeruar ekonomikisht. Një qytet që tashmë nuk e ka më indentitetin e tij kulturor e historik. Një destinacion i dështuar dhe zhgënjyes për këdo që e shkel.

Pëse i duhej qytetit veliera e 3 fondeve kur ngjitur me të është një port që po falimenton? Ky port ende ka vinxha te epokës së jugosllaveve, kinezve dhe 2 a 3 vinxha gjermanë; ky port ende ka betonin e kohes së regjimit të kaluar. Si ka mundesi që nga ky port vijnë miljona dhe ne nuk kemi arritur të bëjmë një ndryshim sado të vogël në të? Le të ikim pak nga porti për një xhiro në rrugët e ngushta të makinave, pa vend parkimi e pa korsi biçikletash. Tretuare të gjëra thuaj se në Durrës ka miljarda këmbësorë dhe nuk kanë ku të ecin dhe si për hani janë mbjellë palma për hije. Lëmë më pas atë treg që nuk e di se nga cili vend i botës së tretë është mar si model…

Nuk po i futem valles së betonit, ajo është thënë e stërthënë, por dua t’ju sjell realitetin e një syri të një qytetari i cili nuk e duron dot erën e kazanëve të plehrave. Ato mbeten të tejmbushura edhe pse taksat tona merren rregullisht, aq rregullisht sa po na kaloj dita na venë kamat vonesë. Po për plehrat a ka kamatë? Si ja bëjnë Durrsakët kur bie shi? Pjesa më e madhe e njerzve thonë: “E lënë të bjëri.” Jo, jo… ata fillojnë të fryjn gomonet dhe gomardaret pasi vetëm 5 minuta shi e jo më shumë në Durrës mund të bësh një sport ekstrem në rrymat e ujrave të shiut, duke lundruar. Madje kjo ka filluar të tërheqë dhe të apasionuarit pas sërfit.

Është turp i madh të lësh një qytet të cilin pretendon se e ke turistik ama në kushte të botës së tretë apo të katërt më mirë. Nuk dua të iki nga uji. Nuk do shkruaj as për mungesën e ujit të pishëm e as për bordin e kullimit, por ka një lloj uji që ka një ngjyrë dhe një erë karakteristik të saj… ujrat e zeza. Nuk jam komod kur në qytet shpërthejnë këto ujra dhe për shpejtësi pune i derdhim në det. Në këtë det rritet peshku, ka korale, ka fëmijë, ka të rritur, ka pleq dhe turist që lahen në të. Por duke qënë kaq bujar këtyre turistëve, dhe jo vetëm, i japim kancerin e lëkurës dhe peshqve e koraleve zhdukjen. Kjo falë arritjes së madhe shkencore për pastrimin e përpunimit të ujrave të zeza që ky qytet ka.

Këto ujra i gjejmë kryesisht në zonat më të frekuentuara si: Porti Detar i Durrësit, shëtitorja Taulantia, Currila dhe në Golem. Pa përmendur lokalet, restorantet dhe baret që kanë tuba shkarkimi personal në det. Në këtë katrahurë hyri dhe në valle situata e komplikuar e Bashkisë, ku askush nuk do që të jetë Kryetar i saj. Pse tremben? Askush nuk e di se kush e drejton sot Bashkinë e Durrësit. Durrsakët dhe ata që jetojnë e punojnë në këtë qytet, janë të lodhur nga mospasja e: sigurisë, sinjalistikave rrugore vertikale e horizontale, kanalizime, urbanistikë dhe në fund gjelbërim dhe pastërti.

Ky qytet nuk ka të mbaruar, por të ikim pak nga ky vend dhe të shkojm në fshatrat përreth. Në këto fshatra nuk gjen një traktor, një stallë moderne, sera kultivimi moderne apo shtëpi komode. Madje-madje nuk gjen as banorë në to! Kushtet të cilat i bëjnë që të braktisin fshatin e tyre janë shumë banale për shekullin dhe vitin në të cilin jemi. Të mos kesh një rrugë, drita, ujë, kazanë plehrash, spital, shkollë, epo kësaj i thonë të largohesh nga sytë këmbët me sa shpejtësi ke.

Sot një qytetar nuk ja ka fort idenë që nëse ikin fshatarët nga zonat e tyre, ekonomia bie dhe ndjehet më shumë sesa kur mbyllet një dyqan tek lagja. A duhet në mënyrë urgjente që ky qytet të rikthehet në indentitetin e tij të dikurshëm? A është vërtetë e mundur që të rikemi qytetin e 1001 bukurive? Nëse po, ai që e bën këtë ndryshim je ti dhe unë. Nëse jo, atëherë je ti që e shkatërron atë dhe unë. Duhet të bëjmë diçka për qytetin tonë. Nuk mund ta lemë në faliment ekonomik, turistik dhe zhvillimor. Duhet të ngremë zërin e duhet të ndëshkojmë me zë e me votë barbarët e qytetit tonë!

SHKARKO APP