“Të vdesësh nga puna”, ekspertët: Stresi dhe ngarkesa shkak për sëmundje të ndryshme
Raporti i OBSH-së e ka renditur Shqipërinë ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë në Europë nga orët e gjata të punës. Abdullah Veliu,konsulent dhe trajnues mbi inteligjencën emocionale thotë se stresi dhe e gjithë ngarkesa emocionale në punë vjen më shumë si pasojë e presionit në ambientet e punës dhe jo nga tejzgjatja e orarit të punës.
Të dhënat e publikuara nga OBSH dhe organizatat ndërkombëtare të punës e kanë renditur Shqipërinë si një ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë në Europë për shkak të orëve të zgjatura të punës.
Në raport thuhet se Shqipëria kishte 6.6-7.7 vdekje për 100 mijë banorë, një shifër që në kontekstin studimor paraqitet relativisht e lartë.
Por si ndikon orari i zgjatur në punë tek qytetarët shqiptarë?
“Ndikon te të gjithë. Jam shofer taksie, jo vetëm unë por të gjithë kompanitë e taksive punojnë nga 12 orë.”
“Më shumë të lodh stresi sesa puna.”
“Të punosh me orar të tejzgjatur lodhet truri.”
Abdullah Veliu, konsulent dhe trajnues mbi inteligjencën emocionale thotë se stresi dhe ngarkesa në punë vjen më shumë si pasojë e presionit dhe mungesës së frymës së bashkëpunimit mes kolegëve dhe jo nga tejzgjatja e orarit të punës.
“Puna dhe jeta nuk duhen ndarë në mënyrë radikale. Puna është jetë në njëfarë mënyre.Në disa raste ku njerëzit punojnë jashtë orarit por janë të motivuar ajo mund ti energjizojë dhe të jenë edhe më produktiv. Kurse në rastet kur ti punon edhe brenda orarit por je i demotivuar, ke menaxher që të bën presion për orare, pika të paarrira të punës, shkaktohet edhe brenda orarit të punës stresi i akumuluar. Të mos harrojmë, emocionet janë ngjitëse, ne jemi përgjegjës për atë që transmetojmë.”
Veliu shprehet se menaxhimi i emocioneve është shumi i rëndësishëm pasi pason një sërë sëmundjesh shëndetësore.
“Me pasoja fatale ku njerëzit humbin jetën. Stresi ndikon direkt në sistemin kardiovaskular tonin. Të mos harrojmë që ne emocionet e punës i bartim dhe në shtëpi dhe automatikisht ne ndikojmë dhe në klimën familjare.”
Edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë vdekshmëri të lartë për shkak të barrës së sëmundjeve që vijnë nga orët e gjata të punës dhe profesionet. /Ora News