Telefonatat e marketingut – Do të krijohet regjistri “mos më merr në telefon”

Telefonatat e padëshiruara të marketingut janë bërë shqetësuese për shumë qytetarë. Pa marrë asnjë autorizim paraprak, bizneset telefonojnë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka përgatitur një rregullore për mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike, që, veç të tjerash, synon të rregullojë ligjërisht marrjen ose jo të telefonatave të marketingut.

Të gjithë operatorët e shërbimit telefonik duhet të krijojnë një regjistër ku të përfshijnë abonentët të cilët nuk dëshirojnë të marrin thirrje të këtij lloji. Në formularin e regjistrimit të pajtimtarit, do të ketë një pikë ku çdo përdorues do të zgjedhë nëse dëshiron të marrë ose jo telefonata të këtij lloji. Abonentët sidoqoftë do të keni mundësi ta ndryshojnë zgjedhjen e tyre në çdo kohë, pranë pikave të shërbimit të operatorit.

Rregullorja parashikon edhe krijimin e një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbajë numrat e telefonit të pajtimtarëve që dëshirojnë të përfshihen në të. Në formularin e regjistrimit, çdo përdorues do të ketë të drejtë të zgjedhë nëse dëshiron që numri i tij të publikohet në këtë numërator.

Numëratori dhe regjistri “do not call me” do të jenë pjesë e Bazës Kombëtare të të Dhënave të Numrave të Telefonit. Kjo bazë të dhënash do të krijohet nga ofruesit e shërbimit të telefonisë në vend dhe do të drejtohet nga një administrator i emëruar nga AKEP. Kompanitë që aplikojnë thirrje marketingu kanë detyrim të aksesojnë regjistrin “do not call me” dhe të mos kryejnë thirrje drejt numrave të përfshirë në këtë regjistër.

SHKARKO APP