Tërmeti shkatërrues në Durrës në 1267, dëshmia e historianit: Si fundi i botës, qyteti u rrafshua

Një kronikë mesjetare tregon se çfarë ndodhi në një tërmet, të cilit ne nuk ia dimë magnitudën, por që tmerri i të cilit bëhet më i kuptueshëm, vetëm nëse ke përjetuar tërmetin e 26 nëntorit.

Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.3 ishte një nga më të fortët që ka goditur Shqipërinë përgjatë historisë së njohur të vendit. Kjo do të thotë, për aq kohë sa tërmetet maten në mënyrë shkencore, ose pak a shumë që nga fillimi i shekullit të njëzetë. Enciklopedia Shqiptare e vitit 1985 përshkruan edhe disa tërmete të tjerë të fortë. Një tërmet i qershorit 1905 në qytetin e Shkodrës vlerësohet se kishte magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë. Ai u shoqërua me mbi 600 pasgoditje që vijuan deri në korrik të vitit 1906.

Për tërmetet më të hershme, ne na duhet të mbështetemi te përshkrimet e dhëna nga kronikanët e kohës për të marrë me mend afërsisht se çfarë ka ndodhur. Një i tillë ishte përshkrimi i kronikanit bizantin George Pachymeres, sjellë për lexuesin shqiptar fillimisht nga studiuesi Robert Elsie në faqen albanianhistory.net

Robert Elsie shkruan:

Historiani dhe studiuesi George Pachymeres (1242-afërsisht 1310) lindi në Nikea dhe mbajti poste të larta në Kostandinopojë. Libri i tij “Historia” mbulon sundimet e Mikailit të VIII Paleologut (1261-1282) dhe Andronikut II (1282-1328) dhe përbën burimin kryesor për këtë periudhë. Në këtë libër gjendet edhe një përshkrim prekës i një tërmeti të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez,Alain Ducellier jep korrikun e vitit 1267 si datë për këtë ngjarje tragjike.

Teksti i Pachymeres

Pas një periudhe kohore, një ngjarje e dhimbshme dhe e vajtueshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, zhurma të pazakonta e bënë tokën të dridhej vazhdimisht, zhurma që ne normalisht i quajmë ofshama. Ato paralajmëruan për diçka rrënqethëse që do të ndodhte. Një ditë, zhurma ishte më e madhe dhe më e gjatë se sa kishte ndodhur më parë. Frika që rrëmbeu disa nga njerëzit i detyroi ata të kërkonin strehë jashtë qytetit, për shkak se kishin frikë se gjërat do të bëheshin edhe më keq. Nata ra mbi ofshamën shurdhuese të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, një tërmet i fortë ndodhi, më i dhunshëm se çdo tërmet tjetër për aq sa mbahej mend. Nuk ishte, siç dikush mund ta përshkruajë atë, një dridhje e tokës që lëviz tërthor, por më shumë një valëzim i stërmadh dhe i përsëritur, i tillë që brenda njëçasti, i gjithë qyteti u kthye përmbys dhe u rrafshua. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta që nuk mbijetuan as edhe një sekondë, u lëshuan dhe rrëzuan, duke varrosur banorët brenda tyre. Sepse nuk kishte ku njerëzit të shpëtonin, për shkak se ndërtesat ishin ngritur njëra ngjitur me tjetrën. Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi i mbijetesës për ata që qëndruan brenda se sa për ata që vrapuan për të dalë nga shtëpitë që kishin shpëtuar pjesërisht. Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën, çdo ndërtesë që ndodhi të kishte shpëtuar nga fati i shkatërrimit, u rrëzua nga kolapsi i të tjerave. Katastrofa ishte tepër e papritur dhe shumë mbytëse për të lejuar ndonjë që të mbijetonte duke ikur. Për shumë njerëz, kjo ishte si një ëndërr; ata nuk e morën vesh kurrë se në çfarë ngjarjeje vdiqën. Fëmijë të vegjël dhe foshnja, duke mos kuptuar çfarë ndodhi, u varrosën në rrënoja. Shamata dhe trazirat ishin të tilla që të mbijetuarit, pasi e gjetën veten nga një dallgë shkumëzuese e detit, e imagjinuan këtë jo vetëm si fillimi i më shumë vuajtjeve, por më tepër, si fundi i botës. Për shkak se qyteti ishte në breg të detit dhe tërmeti i tmerrshëm ndodhi kaq papritur, ata që e gjetën veten jashtë, të cilët praktikisht ishin shurdhuar, përballur me një potere të tillë nga zhurma e shtëpive që binin mbi njëra-tjetrën, nuk menduan gjë tjetër veçse për shkatërrimin e të gjithë universit.

Tërmeti zgjati për ca kohë derisa asgjë nuk mbeti më këmbë. Çdo gjë brenda qytetit ishte rrëzuar dhe kishte zënë banorët brenda, me përjashtim vetëm të Akropolit që qëndroi më këmbë dhe i mbijetoi tërmetit. Kur dita zbardhi, banorët e zonave përreth vrapuan për në qytet menjëherë dhe filluan të gërmojnë, duke përdorur çdo gjë që mund të kapnin: kazma cfurk dhe çdo lloj vegle tjetër që mund të gjenin. Me të katra ata filluan të gërmojnë, duke u përpjekur natyrisht të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por për më shumë, duke u përpjekur për të kapur çfarëdolloj pasurie që ata mund të nxirrnin nga rrënojat. Siç ndodhi, me të vdekurit vdiqën edhe trashëgimtarët dhe nuk kishte kush të kërkonte pronën. Kështu, pasi gërmuan nëpër rrënoja për shumë ditë dhe, me cfurkë dhe drapër, pasi morën një të korrë me ar, shqiptarët dhe të tjerët që jetonin përreth eventualisht e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e vet, një qytet që tashmë vështirë se njihet, numëruar mes qyteteve ekzistuese jo për shkak se ekziston, por vetëm për shkak të emrit, Peshkopi i tij, Nicetas, i cili kishte qenë atje në këtë kohë, mbijetoi, megjithëse ai kishte plagët e katastrofës në të gjithë trupin e tij. Pasi pa një katastrofë të tillë, të cilën askush nuk e kishte menduar kurrë si të mundshme, atë e zuri paniku dhe u arratis, duke e lënë metropolin jo vetëm pa personin e tij por gjithashtu edhe pa banorët, pa shkëlqimin e ndërtesave të saj dhe pa lulëzimin e mëparshëm. BIRN

SHKARKO APP