Tërmeti tronditi vendin gjatë natës, sizmiologu: S’ka asgjë për t’u shqetësuar, janë pasgoditje të tërmetit të 26 nëntorit
Gjatë natës janë shënuar pesë lëkundje tërmeti, ku si epiqendër kanë pasur Detin Adriatik. Lëkundjet kanë pasur magnituda të ndryshme ku lëkundjet më të fuqishme ka qenë me magnitudë 4.0 të shkallës rihter, e shënuar pak pas mesnate.
Lëkundjet e tjera ishin me magnituda: 3.6; 2.6; 2.6; 4.2. Lëkundja më e fuqishme kishte thellësi 10 km dhe u ndje në disa qytete si Durrës, Tiranë, Shkodër, Lezhë dhe Laç.
Sizmiologu Rrapo Ormeni në një intervistë për Fax News tha se nuk ka asgjë për tu shqetësuar duke shtuar se lëkundjet janë pasgoditje të tërmetit të 26 nëntorit.
“Këto janë vazhdimi i serisë së pasgoditjes së tërmetit të fortë të 26 nëntorit. Ishte një tërmet shumë i fortë dhe shoqërohet me pasgoditje që shoqërohet për disa kohë me radhë. Magnituda ka arritur deri në 5, pastaj 4. Magnituda 4 nuk është për tu shqetësuar , pasi nuk krijon asnjë lloj rreziku as për banorët, ndihet pak dhe krijon ndjenjën e frikës por nuk ka rrezik.
Pasgoditjen kanë qenë të shumta pasi një lëkundje pak më e fuqishme, shoqërohet me disa të tjera të vogla. Atje ku ndodh lëkundja prishet ekuilibri dhe pastaj shoqërohet me goditje të tjera derisa të shuhet.
Kjo zonë është më e prekura sepse është në ballë të përplasje dhe është vazhdim i pasgoditjeve. Nuk duhet të frikësoheni, nuk ka asnjë lloj rreziku goditja kryesore ishte ajo. Ato bien derisa në atë zonë të qetësohet aktiviteti sizmik.”- tha Ormeni.