Testohet vaksina 100 vjeçare për të luftuar Covid-19/ Cili është rezultati që presin studiuesit?

Një vaksinë që është përdorur për të parandaluar tuberkulozin, është duke u testuar tek punonjësit e kujdesit shëndetësor në Melburn për të parë se si do reagojë trupi për të luftuar koronavirusin. Kjo vaksinë është përdorur masivisht për rreth 100 vjet, si një imunoterapi e zakonshme për të luftuar më mirë infeksionet.

Për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetit thotë se është e rëndësishme të testojmë nëse kjo vaksinë, e quajtur BCG mund të zvogëlojë sëmundjen tek ata të infektuar me koronavirus, dhe po inkurajon grupet ndërkombëtare që të bashkëpunojnë në këtë studim.

“Kjo vaksinë mund të forcojë sistemin imunitar duke u mbrojtur më mirë, kundër një game të tërë infeksionesh dhe bakteresh të ndryshme,” tha Curtis, profesor i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Melbourne.

Stafi i spitalit i cili është bërë vullnetar për të qenë pjesë e këtij testi gjashtëmujor në Australi që përfshin 4000 punonjës të kujdesit shëndetësor, do të ndahen rastësisht për t’u vaksinuar duke filluar nga e hëna kundër gripit sezonal. Studime të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në Hollandë.

Kjo vaksinë, e cila përdoret për imunizimin e rreth 130 milion të porsalindurve në të gjithë botën, potencialisht mund të ofrojë mbrojtje për një grup më të gjerë njerëzish, por përparësia qëndron tek punonjësit e shëndetit të cilët janë në rrezik më të lartë nga infektimi me koronavirus ndërsa kujdesen për pacientët e sëmurë .

Studimet tek foshnjat në Afrikë kanë treguar se vaksina BCG ofron mbrojtje kundër gripit dhe infeksioneve të tjera pediatrike, duke përmirësuar sistemin imunitar të lindur të trupit, posaçërisht qelizat e bardha të gjakut që synojnë patogjenët jo specifik para se të fillojë një përgjigje e antitrupave, zakonisht disa ditë më vonë .

Mostrat e gjakut të marra në fillim dhe në fund të testit do të përcaktojnë se kush ishte i infektuar me koronavirus, ndërsa komiteti i monitorimit të të dhënave të studimit do të rishikojë rezultatet pas tre muajve për të parë nëse kjo vaksinë rezulton efektive apo jo.

“Ne nuk do ta bënim këtë studim nëse nuk do të besonim se kjo vaksinë vërtet funksionon. Por, sigurisht mënyra e vetme për ta zbuluar këtë është nëpërmjet testimit dhe studimit të saj.’’- tha Curtis.

/SCAN

SHKARKO APP