Thahet “Pema e Miqësisë” Trump-Macron

Mediat franceze po raportojnë se pema e mbjellë nga presidentët Donald Trump dhe Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë si një simbol i lidhjes mes dy vendeve “ka vdekur”. Lisi u dha si një dhuratë për presidentin amerikan gjatë vizitës së Macron në vitin 2018.

Marrëdhëniet midis dy liderëve nuk kanë qenë kaq të ngrohta që nga ajo kohë, duke shprehur haptazi bindjet e tyre të ndryshme për çështje të shumta. Dhe tani me sa duket kjo pemë mund të mos ketë kaluar një periudhë shumë të mirë. Disa gazeta franceze, duke përfshirë Le Monde dhe Le Figaro, kanë raportuar zhdukjen e pemës, duke cituar burime diplomatike.

Bota pa se si pema u mboll në prani të dy presidentëve dhe bashkëshorteve të tyre në vitin 2018 duke e kthyer atë moment në një çast simbolik për të dy kombet. Pema ishte me origjinë nga Belleau Wood, afër Parisit, ku pothuajse 2,000 amerikanë vdiqën në një betejë në qershor 1918 gjatë Luftës së Parë Botërore. Por pak ditë më vonë, pema u hoq dhe u vendos në karantinë sipas procedurës së detyrueshme për importimin e organizmave të gjallë në Shtetet e Bashkuara.
Pema nuk u rishfaq më kurrë. Një burim diplomatik i tha agjencisë së lajmeve Agence France Presse se ajo kishte “vdekur” gjatë qëndrimit në karantinë.

Burimi: Euronews

SHKARKO APP