Tirana, shtëpia jonë
Nga Eduard Dukaj
Në harkun kohor të dy viteve të fundit, në Tiranë është arritur ajo që askush nuk e kishte menduar, kthimi i bashkisë në shtëpinë e të dytë të qytetarëve. Kjo është ndër arritjet më evidente të kryebashkiakut Veliaj. Para dy vitesh ai fitoi kreun e metropolit shqiptar duke premtuar ndër të tjera, shndërrimin e Bashkisë në shërbim të qytetarëve dhe përgjatë dy viteve ai e arriti këtë ne punë dhe dinjitet në shërbim të banorëve të Tiranës.
Falë performancës së mirë dhe vullnetit të mirënjohur tashmë të kryebashkiakut Veliaj për t’i trajtuar të gjithë qytetarët dhe Njësitë administrative ku ato banojnë si të barabartë, në Tiranë, në një vit, u investua për aq sa nuk ishin bërë në 4 vite të marra së bashku. Më të dukshme këto investimë në projektet e mëdha si Bulevardi i Ri i Tiranës, rehabilitimi i lumit Lana në dy anët e tij, por dhe në projektet më pranë qytetarëve siç ishte ndërtimi i 4 shkollave të reja në disa zona që kishin nevojë të ‘shfryheshin’ nga fluksi i madh, si në Kombinat me shkollën “Betim Muço”, në zonën e Pazarit të Ri “Hoxha Tahsin”, në zonën e Bregut të Lumit, “Ardian Klosi” dhe shkolla “Kosova”, tek njësia 2 që është në ndërtim etj.
Ndoshta është rast unikal në historinë e qeverisjes vendore organizimi kaq perfekt strukturor i bashkisë më të madhe të vendit, produkti kryesor i të cilit është ndryshimi tërësor dhe i gjithanshëm.
Ky organizim konsiston parasëgjithash në krijimin e strukturave efikase të 24 Njësive Administrative, të ish bashkisë së kryeqytetit dhe 13 ish-komunave, që me reformën e re territoriale u bënë pjesë e saj. Administratorët dhe stafet e këtyre njësive administrative janë kryesisht në sektorë e zyra shërbimesh për qytetarët, duke ju ofruar atyre shërbime të shpejta e cilësore.
Këtij organizimi perfekt i parapriu krijimi para një vitit i Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile. Drejtori i kësaj drejtorie i cili falë përkushtimit dhe përgatitjes së tij të lartë profesionale po drejton me ide e vizion të qartë mirëfunksionimin e dy drejtorive, tre sektorëve dhe 24 Njësive Administrative të bashkisë, nga qendra deri në skajet më të largëta, si Zall Bastar, Shëngjergj, Krrabë, Ndroq e Zall Herr.
Shembulli më sinjifikativ i këtij mirëfunksionimi janë Njësia Administrative Nr.3, NJA Kashar dhe NJA Farke për lidhjet e ngushta me qytetarët dhe efikasitetin në kryerjen e shërbimeve gëzojnë respektin e masës së gjerë të qytetarëve në njësitë e tyre, të reflektuara këto më së miri në bilancin tejet pozitiv të bashkisë së Tiranës.
Dhe ajo çka është më e rëndësishme ka të bëjë me rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrjen e bashkisë, me synimin për ta shndrruar atë në një shtëpi të madhe të të gjithë qytetarëve.
Në funksion të zbatimit të demokracisë direkte Bashkia e Tiranës ka nisur të zbatojë në disa prej diskutimeve publike të projekteve të saj madhore, të cilat janë duke u realizuar. Kësisoj në vetëm dy vjet të drejtimit të bashkisë nga z.Veliaj janë krijuar disa eksperienca fantastike, të asaj që quhet demokracia me pjesëmarrje.
Kjo u duk fare qartë dhe në dëgjesa publike për buxhetin e bashkisë të vitit 2018 që u organizuan në mënyrë perfekte në 24 Njësitë administrative dhe që u finalizua me miratimin nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e fundit të këtij këshilli.
Nisur nga treguesit e këtij buxheti që është 16 përqind më shumë se ai i vitit që po mbyllim, por dhe nga projektet që parashikon për çdo njësi, mund të themi me bindje se Tirana po shkon drejt një kryeqyteti të standardeve europiane. Madje siç ka deklaruar kryebashkiaku Veliaj: “Me të drejtë buxheti i vitit 2018 mund të quhet buxheti i të gjithë qytetarëve, pasi përfshin të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë nga qendra deri në periferinë më të largët rurale të Bashkisë duke shënuar rritje në të gjithë programet e zhvillimit”.
Por tregues cilësorë për bashkinë e Tiranë janë dhe krijimi i rrjetit të vullnetarëve për realizimin e disa aksioneve të përbashkëta, për pastrimin e qytetit, përkujdesjen për nxënësit e klasave të fillores gjatë kalimit të kryeqëzimit të rrugëve pranë shkollave të tyre dhe më kryesorja në përballimin e rasteve të emergjencave civile, si dhe projekti i bashkëpronësisë në pallatet e banimit.
Me këtë frymë dhe vizion perëndimor të shpalosur nga qytetari i saj i parë, Tirana brenda pak viteve do të jetë ndër kryeqytetet etalon për gjithë rajonin dhe më gjerë.