Top Channel merr masa/ Ja ç’do të ndodhë me “Portokalli-në”, “E diell”, “Shqipëria Live”, etj

Programet e Top Channel që kërkojnë numër të lartë personash në studio do të përballen me ndryshime të përkohshme ose do të ndalojnë transmetimin përgjatë kësaj periudhe të vështirë. “Për shkak të një vendimi të qeverisë që edhe mediat duhet të kufizojnë praninë e personave nëpër studio Top Channel do rishikojë disa nga programet e tij të mbrëmjes dhe veçanërisht të fundjavës në pamundësi për të punuar për shkak se këto programe kërkojnë prani të konsiderueshme të stafit realizues nëpër studio”,-shkruhet në një artikull të Top Channel.

Televizioni shton se do ta respektojë vendimin e qeverisë, edhe pse s’bien dakord. “Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë dhe të shikojnë,” thuhet në artikull. Departamenti i informacionit nuk do të ndalojë punën në asnjë moment, por për sa i përket programeve si “E diell,” “Portokalli,” “Soiree” “Shqipëria Live” që kërkojnë më shumë se dy njerëz në studio/skenë, produksioni do të marrë masat e nevojshme.

Katër ditë më parë, Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkoi “evitimin e rrethanave me studio televizive që aplikojnë formatet programore me prezencë të përqëndruar të publikut” për të pakësuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit nga persona që mund të jenë të infektuar.

SHKARKO APP