Tre dobësi fatale për fatin politik të kryeministrit
Nga Red Varaku –
Edi Rama është një njeri me deformime të njohura në karakter për të gjithë ne, por tre janë ato që lidhen me sjelljen e tij politike, të cilat duket se do jenë fatale për fatin e tij politik në zgjedhjet e ardhshme.
Së pari, është humbja e sensit të realitetit. Ai është sot një njeri që jeton krejtësisht në një realitet krej të ndryshëm nga ai që ne të gjithë jetojmë çdo ditë.
Fjala vjen, në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, ashtu si kokëtulët që e rrethojnë, edhe ai ka filluar edhe vetë të besojë që vulgarizimi i ligjërimit publik, degradimi i normave zyrtare, banalizimi i raporteve politike janë pika e tij më e fortë. Kjo është arsyeja që e shohim të vazhdojë me banalitete dhe batuta të lodhura .
Në fakt e vërteta është që pika e tij më e fortë nuk ka asnjë lidhje me karakterin e tij të deformuar, por ka qenë dhe mbetet aftësia e tij për ta parë politikën thjesht si pazar në favor të pushtetit të tij pavarësisht dëmit të interesit publik.
Të dy ‘fitoret’ e tij në fakt kanë qenë fitore të pabesisë së tij. Në 2013 ai shiti kauzat dhe aleatët e tetë vjetëve opozitë për një marrëveshje me LSI, e cila u firmos me gjakun e Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit.
Ndërsa, në 2017 sipas përgjimeve të publikuara, ai u bë bashkë me vrasës , përdhunues, trafikantë, grabitës dhe hajdutë kundër popullit të tij , në një marrëveshje që rezultoi fatale për vendin, sepse prodhoi një kancer metastazat e të cilit e kanë futur vendin në reanimacion politik.
Ai është sot aq i shkëputur nga realiteti, saqë edhe kur përballet me fakte të vërteta dhe shifra kokëforta, ai jo vetëm refuzon ta pranojë të vërtetën që ato përfaqêsojnë, por është gati të linçojë publikisht këdo, që i zbulon këto të vërteta.
Rasti i refuzimit të pranimit të të vërtetës së ‘fshehjes’ së vdekjeve që Lul Basha plasi si bombë në emisionin Opinion, është një provë e degradimit dhe avancimit të kësaj dobësie.
Së dyti, ai është tërësisht i pandjeshëm ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve dhe kjo reflektohet në sjelljen e tij arrogante me qytetarët.
Qasja e tij ndaj fatkeqësisë së tërmetit që goditi Shqipërinë është një provë që ai e ka humbur raportin njerëzor më qytetarët. Të gjithë jemi dëshmitarë që atë ditë ai më shumë “u gëzua”, sesa u hidhërua. Kjo sepse e konsideroi atë që në fillim një mundësi të artë elektorale për të rikuperuar popullaritetin e tij të rrënuar, për të bërë politikë me fatkeqët dhe për të zhvatur paratë që janë destinuar për ta.
Gjithashtu, një provë tjetër që dëshmon papërgjegjshmërinë dhe pandjeshmërinë e tij totale ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve është dhe qasja e tij ndaj pandemisë. Për shkak të kësaj qasje me mijëra qytetarë janë lënë pa asnjë ndihmë mjekësore dhe në mëshirë të fatit, me mijëra të tjerë janë lënë të braktisur pa asnjë ndihmë qoftë edhe financiare, me mijëra biznese janë drejt falimentit dhe mijëra të tjerë kanë humbur vendet e punës.
Së treti, paaftësia e tij për të bashkëpunuar me njerëz me integritet njerëzor dhe profesional është një tjetër dobësi fatale. Duke qenë se është narciz, ai nuk e duron dot kritikën, ndaj është i rrethuar vetëm nga servilë dhe hipokritë pa shtyllë kurrizore, që pranojnë çdo lloj poshtërimi dhe fyerje, si profesionale ashtu dhe njerëzore. Rastet janë pafund dhe gjithkush i ka parasysh surretërit e këtyre servilëve të rëndomtë, që janë kthyer në zagarë të këtij mjerimi ku ndodhet vendi.
Por rasti i ‘komitetit’ të mjekëve, të cilët ai po i përdor jo vetëm si leckë, por në mënyrë krejtësisht kriminale për nevojat e tij, është rasti më ulëritës i këtij realiteti. Pafytyrësia dhe eksitimi me të cilën ata mbrojnë të pambrojtshmen, dëshmon që me njerëz të tillë në krah degradimi i tij është i sigurtë.
Janë këta servilë që i rrahin krahët edhe kur e shohin të zhytet në fund, është kjo shkëputje nga realiteti, është kjo arrogancë dhe pandjeshmëri ndaj halleve reale të qytetarëve , është preokupimi vetëm për pushtetin, arsyeja që ai vazhdon dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtat gabime dhe arsyeja pse ai shpesh krahason veten me udhëheqës si Macron apo Merkel, ndërsa Shqipërinë me Italinë, Francën deri dhe Gjermaninë.
Janë pikërisht këto dobësi dhe mungesa e trajtimit të qytetarëve me përulësi, respekt dhe dinjitet që do të përcaktojnë dhe fatin e tij politik në zgjedhjet e ardhshme në 25 prill.