Tre vitet e Reformës

Nga Koço Kokëdhima –

Tre vjet më parë parlamenti e votoi me shumicën absolute, 140 vota, Reformën në Drejtësi. Padyshim që drejtësia e re do të jetë më profesionale, më e përgjegjshme dhe më e sofistikuar se drejtësia e kaluar. Disa nga institucionet e saj janë krijuar dhe janë vënë në lëvizje. Rezultatet e para janë mbështetur nga shumica e qytetarëve. Por edhe skeptikët e kundërshtarët kanë tani më shumë gurë në duar. Ka qenë trishtuese të shikoje që të futen në një thes të gjithë gjyqtarët e prokurorët, të paragjykohen në grup si kriminelë e të korruptuar apo të vuajnë për gjëra që nuk lidhen as me profesionin e tyre dhe as me kohën e ushtrimit të tij. Opinioni publik është shqetësuar jo pak kur u pa të shkarkoheshin edhe gjyqtarë e prokurorë të ndershëm e të aftë. Po bëhet shumë kohë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Si vakuumi edhe përpjekja për t’i zëvendësuar me trupa të përkohshme të pavetuara kanë ushqyer mosbesim të shtuar. Njerëzit shqetësohen se shumëkush po përpiqet të kontrollojë drejtësinë e re. Nga tre vite më parë, euforia e ndërkombëtarëve është zbehur, ndërsa populli, si mbështetësi më i madh i saj, nuk shpreson më se do t’ia shohë hajrin së shpejti.
Është bërë edhe më e qartë se qeveria e Ramës nuk donte drejtësinë e reformuar. Donte vetëm kapjen e saj. Ishte presioni i ambasadorëve të huaj dhe shantazhi i tyre ndaj kryeministrit që ajo të bëhej. Kjo çoi në ndryshimet e Kushtetutës, që ju dhanë një rol të madh e të pamerituar disa ambasadorëve të huaj edhe pse ata nuk zgjidhen nga shqiptarët dhe nuk japin llogari për mbarëvajtjen e punëve të tyre.
Partia ‘Zgjidhja’ e ka mbështetur si ulëritëse nevojën për një reformë të suksesshme në drejtësi, e vetëdijshme se pa reformimin e institucioneve të tjera kushtetuese, shoqëria dhe sistemi ynë politik nuk mund të dalin nga agonia 28-vjeçare.
Rrënimi i drejtësisë, i sundimit të ligjit, i institucioneve dhe administratës shqiptare nuk duhej t’u shërbente si alibi palëve vendase dhe të huaja të përfshira në përgatitjen, miratimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi, për të bërë secila interesat e veta dhe për t’i imponuar vendit gabime të reja e të rënda. Reforma në drejtësi nuk mund të ecë mirë si produkt i marëveshjeve okulte PS-PD, aq më pak vetëm si vullnet i shumicës aktuale të fryrë me deputetë droge, krimi e korrupsioni.
Shumica e majtë parlamentare e vitit 2016 e çoi fillimisht reformën për drejtësi në Parlament, me idenë se do t’i “kaparoste” dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës. Janë gjithnjë e më shumë njerëzit që mendojnë se ajo duhet të zhvillohet në të gjitha fazat e saj me transparencë, me konsensus kombëtar dhe gjithpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet e kushtetutave të demokracive të konsoliduara parlamentare të BE-së. Vetëm kjo do t’i shërbente forcimit të paqes dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa tentativa për ta bërë reformën vetëm me deputetët e PS-së dhe pa prekur aspak përqëndrimin e të gjitha pushteteve dhe burimeve në duart e tre-katër njerëzve, është rruga e rrezikimit të paqes së vendit, rruga e përçarjes dhe e shkatërrimit të bashkimit kombëtar.
Perëndimi e diktoi reformën në drejtësi për të garantuar interesat e tij gjeopolitike në hapësirën shqiptare dhe mirë bëri. Por ai nuk bëri asnjë përpjekje reale për demokratizimin e qeverisjes, shtetit dhe të zgjedhjeve shqiptare. Përkundrazi, mbylli sytë dhe toleroi në gati tri dekadat e fundit gërryerjen, tkurrjen dhe përkeqësimin deri në absurditet të demokracisë shqiptare.
Reforma në drejtësi manifestoi aspektet e një puçi institucional. Ajo shkeli në mënyrë flagrante sovranitetin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Është e paimagjinueshme që reformën në drejtësi do ta realizojë qeveria përgjegjëse për kanabizimin e vendit, shkatërrimin e lirive politike, ekonomike e njerëzore, korrupsionin endemik dhe kriminalizimin e çdo qelize të shtetit dhe shoqërisë sonë. Është gjithashtu e pabesueshme se reforma në drejtësi do t’i bëjë shqiptarët të barabartë përpara ligjit. Padrejtësia është në sistem e në ligj. Madje ligji këtu bëhet pikërisht për të vjedhur interesat e shumicës dhe për të favorizuar sundimin e një grushti njerëzish. Drejtësia e re do ta mbrojë më mirë regjimin shtypës dhe antidemokratik që sundon Shqipërinë me ligjet dhe kushtetutën që bëjnë kryetarët e partive si tu dojë qejfi përmes deputetëve që vetë i emërojnë. Kjo drejtësi nuk e reformon dot sistemin, nuk e rikthen dot demokracinë dhe sovranitetin e popullit, nuk e kufizon dot pushtetin sulltanor të kryetarëve të partive të vjetra, nuk i ndalon dot ambasadorët e huaj që të mbështesin autokratët e Tiranës që shërbejnë me servilizëm haptazi dhe fshehtazi planet dhe veprimet që janë kundër interesave të larta të shtetit dhe të kombit shqiptar, nuk i ndalon ambasadorët e huaj as të sillen si guvernatorë apo sikur Shqipëria të ishte protektorat dhe jo shtet sovran dhe i pavarur.
Kriza e thellë politike, ekonomike, demografike dhe institucionale vazhdon. A ka rol reforma në fjalë në këtë situatë? Palët në konflikt e paraqesin Reformën në Drejtësi si kalin e betejës në rreshtimin e tyre në përpjasjen më irracionale të tranzicionit që po zhvillohet gjatë këtij viti me krizën që kulmoi në 30 qershor. Padyshim që ato duan imunitet penal dhe përjetësim të pushtetit të liderëve të tyre. Në momentin kur këta do të marrin garancinë se nuk do të jenë subjekte të drejtësisë së reformuar, atëherë do të ketë edhe marrëveshje të reja mes tyre për ti shkaktuar plagë të reja pavarësisë së drejtësisë.
‘Zgjidhja’ në qeverisje nuk do të lejojë që reformat kushtetuese të bëhen në kurriz e në dëm të sovranitetit kombëtar, të rolit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në demokraci. Ne jemi falenderues e mirënjohës për mbështetjen e vendeve mike, por për interesa personale e partiake nuk do të pranonim në asnjë rast të përkrahim apo të përkrahemi në qëndrime e projekte që janë kundër interesave tona kombëtare edhe nëse plane të tilla fitojnë mbështetjen e hapur ose të heshtur të vendeve në fjalë.
Partia ‘Zgjidhja’ është kundër pazareve të mëkatarëve të mëdhenj të tranzicionit, kërkon mbështetjen dhe çuarjen deri në fund me paanshmëri dhe me shpejtësi të Reformës në Drejtësi, plotësimin e trupave të kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë me persona që kanë kaluar vettingun dhe me mandat të plotë kushtetues, thellimin dhe konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit.
#ZgjidhjaPerShqipërinë

SHKARKO APP