Tregu i Vlorës, kushte mesjetare
Ndonëse është një nga qytetet kryesore për sezonin veror, në Vlorë mungon një treg me kushte normale.
Tregu i madh i fruta-perimeve dhe bulmetit në qytetin e Vlorës, prej 30 vitesh vuan mungesën e investimeve. I pambuluar dhe pa kushtet e nevojshme higjieno-sanitare, ky treg është kthyer në një problem jo vetëm për qytetarët që blejnë, por edhe për tregtarët.
Tregtarët dhe qytetarët shprehen se janë të detyruar të tregtojnë dhe blejnë në kushte mesjetare, madje duke rrezikuar edhe shëndetin për shkak të mungesës së higjienës.
Ata shpresojnë që Viti i Ri t’u sjellë kushte më të mira në treg, pasi apelet ndaj bashkisë kanë rënë në vesh të shurdhër prej më shumë se 30 vitesh.