Turistët “pushtojnë” Përmetin

I ka të gjitha, ajër të pastër, njerëz të mirë, vende çlodhjeje si ujërat e Bënjës, trashëgimi kulturore me kisha e xhami të vjetra, ura historike, ujërat e kristaltë të Vjosë, mundësi për sporte të ndryshëm dhe verë e raki nga më e mira.

Ka atë që  Noli e ka shprehur me pak fjalë: “Do të hash e të bësh qejf/ Sofrën shtruar si për mbret/ pastërtorë e për hyzmet/ të tillë gjen veç në Përmet”.

Qyteti i Përmetit është i pastër, i ndërtuar mire, i vendosur vërtet shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, e cila rrjedh vrullshëm nëpër një hon që e ka çarë vetë.

Buzë lumit në hyrje të qytetit, ngrihet një shkëmb i madh i shkëputur nga mali.

Në majë duken rrënojat e një manastiri, vendbanim i ndonjë shenjtori të degdisur,  kurse rrëzë tij rrjedh një burim me ujë të kristaltë.

Në kodrën aty më lart ngrihen gërmadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës. Këto janë pak gjëra që mund ti gjesh në qytet, por jashtë tij ke Frashërin me  28 fshatrat rreth tij, teqenë e famshme të Bektashinjëve, është për t’u vizituar Parku Kombëtar i Hotovës, Kisha e Leusës e plotë mundësi të tjera.

Ndërsa në pragfillimin e sezonit të ri turistik, nënkryetari i Bashkisë Përmet Llazar Thanasi thotë për ATSH se janë marr të gjitha masat që ky sezon të jetë i suksesshëm.

“Jemi në përfundim të punimeve  për të ndryshuar Përmetin në këtë sezon të ri turistik. Po vazhdojmë me investimet për rikualifikimin urban të segmentit nga qendra deri te Guri i Qytetit, (monument kulture), lulishten dhe urën hyrëse për në qytet”, thotë ai.

“Pas pak ditësh do të bëjmë çeljen e sezonit turistik 2018, megjithëse  aktualisht, fluksi i turistëve është i lartë dhe i përditshëm aq sa hotelet janë të prenotuara sidomos ata që janë brenda në qytet. Së shpejti fillojmë  zbatimin e  projektit për përmirësimin e ndriçimit të qytetit dhe lagjeve periferike. Po kështu do të nisë zbatimi i  projektit 100 fshatrat ku do të zbatohet në Leusë dhe Kosinë”, deklaron Thanasi.

Ndërsa në ujërat termale të Bënjës, shprehet ai për ATSH, kanë filluar të vijnë flukse të larta vizitorësh që i shfrytëzojnë këto ujëra, çdo ditë apo dhe disa të vendosur aty në hotelet rreth ujit apo dhe me kampingje.

“Në zonën termale ka dhe problem që jemi angazhuar t’i zgjidhim së shpejti si ndriçimi, sistemimi i çadrave dhe kamperave, rregulli dhe pastërtia për pushuesit që stacionohen aty për disa ditë. Një vëmendje kryesore bashkia jonë i ka kushtuar mbështetjes në bujqësi nëpërmjet programeve nga qeveria qendrore”, thotë nënkryetari i Bashkisë Përmet./ata/

SHKARKO APP