Turizmi i “brishtë” shqiptar – Dobësitë që e bëjnë jo konkurrent, ku do të ndërhyhet

Turizmi në Shqipëri ka dobësi të shumta, që e bëjnë vendin tonë të jetë jo konkurrues me shtetet e tjera të pellgut mesdhetar dhe larg potencialit që përfaqësojnë pasuritë natyrore, historike e kulturore. Infrastruktura, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik janë faktorët që kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik. Për këtë arsye, qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori 2019-2023 e cila ka një kosto në total në rreth 1.8 miliardë lekë, por që parashikon ndërhyrje në disa shtylla, për ta kthyer turizmin në industri punësimi dhe me kontribut kryesor në ekonomi.

Strategjia parashikon krijimin e 6 poleve të integruara me potencial turistik, që do të fokusojnë ndërhyrjet e investimeve publike, do të shtrijnë përhapjen gjeografike të destinacioneve, si dhe do të rrisin kohën e qëndrimit jo vetëm përgjatë sezonit veror, por gjatë gjithë vitit. Parashikohet gjithashtu mbështetje e mëtejshme e hoteleve me 4-5 yje, si dhe kombinim të aktivitetet turistike duke lëvizur drejt një oferte të konsoliduar dhe shtim të produktet e reja turistike. Qëllim tjetër është tërheqja e investitorëve strategjikë, operatorëve të njohur ndërkombëtarë, dhe orientimin e investimeve publike e private drejt zonave me përparësi zhvillimin e turizmit.  Një pikë e dobët e turizmit është edhe infrastruktura lidhëse,  ku parashikohet të ndërhyhet si dhe rrjeti i transportit në vend.

Duke evidentuar se rritja e cilësisë së shërbimeve turistike është ngushtësisht e lidhur me standardizimin e këtyre shërbimeve dhe certifikimin e ofertuesve të tyre, Ministria e Turizmit parashikon që  deri në vitin 2023, do të konsolidohen standardet, do të klasifikohen strukturat akomoduese dhe do të ngrihet një regjistër i tyre, i cili do të përditësohet vazhdimisht. Nëse kjo strategji zbatohet, dhe nuk mbetet vetëm një dokument, ashtu sikurse  ka ndodhur me dokumente të tjera, qeveria parashikon që të ardhurat në turizëm të rriten nga  1,7 miliardë euro në 2017 në 2 miliardë euro në 2023,  tërheqja e 2,5 milionë euro investime të huaja direkte në turizëm, 25 mijë të punësuar më shumë për 4 vjet, si dhe krijimin e 6 mijë bizneseve të reja në këtë sektor deri në vitin 2023.

/ SCAN

SHKARKO APP