Turizmi në Shqipëri, duhet ende punë për t’u zhvilluar

Turizmi mund të shërbejë si një nxitës i mirë për industri të veçanta, por mbi të gjitha, ai ka nevojë që të vendoset vetë në baza të qëndrueshme zhvillimi. Prof. dr. Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë (IEKA) shprehet për “Monitor” se turizmi është një nga sektorët kryesorë që duhet të marrë vëmendje për rëndësinë që ka në ekonomi, pasi eksporti ndodh pa u kaluar kufiri “dogana”.

“Sidoqoftë, duke qenë një sektor mjaft sensitiv, turizmi duhet të shihet i ndërlidhur dhe gjithëpërfshirës në zhvillimin e tij. Mendoj se del domosdoshmëri të shkohet përtej turizmit që bazohet te pushimet e verës apo turizmi i detit. Një turizëm i qëndrueshëm do të kërkonte një kombinim më të mirë edhe të atraksioneve të tjera, siç janë ato kulturore, natyrore dhe format e tjera të argëtimit, të cilat nuk i mungojnë vendit. Ky sektor, kërkon të investohet shumë në edukimin e brezit të ri, pasi shërbimi turistik, pa resurset e kualifikuara humane, as që mund të imagjinohet.

Ministria përgjegjëse për Turizmin mendoj se ka nevojë të fuqizohet më tej dhe të bashkërendojë ngushtë me Ministrinë përgjegjëse për Ekonominë dhe atë për Edukimin, me qëllim që puna e nisur për zhvillimin e arsimit profesional, të rishikohet dhe riorganizohet që t’u paraprijë nevojave afatgjata të këtij sektori. Në të kundërt, gjithçka do t’i lihej rastësisë dhe ne shumë shpejt do të ndodhemi në kushtet kur do të “importojmë” edhe fuqinë punëtore, kosto për të cilën nuk është e ulët, çka do të bëjë që avantazhi konkurrues i kësaj industrie të bjerë”, shprehet Çela.

Theksin për vëmendje më të madhe në zhvillimin e industrive mbështetëse dhe diversifikimin e ofertës për turistët e kanë vënë më herët edhe tur-operatorët apo përfaqësues të agjencive të huaja. Sot për sot, alternativat më të zakonshme janë ato të muzeve dhe sajteve arkeologjike, që kanë pësuar rritje të dukshme të numrit të vizitorëve. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se numri i vizitorëve në muze, në tremujorin e parë 2019, është 25.916, duke shënuar rritje me 5,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

“Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve është rritur me 2,5% ndërmjet tremujorit të parë 2019 dhe të njëjtit tremujor në vitin 2018. Numri i vizitorëve në parqe arkeologjike, në tremujorin e parë 2019, është 19.881, me rritje prej 43,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë, të vitit të mëparshëm.

Në tremujorin e parë 2019, numri i vizitorëve të huaj në muze, parqe dhe kala ishte 15.846, duke shënuar rritje me 27,4%, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Përqindja më e lartë e vizitorëve të huaj është në muze, përkatësisht 27,4% të huaj nga totali i vizitorëve në muze” vlerëson INSTAT.

Këshilli Botëror i Turizmit: Kontributi i turizmit pritet të jetë 27.3% e PBB në 2019

Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe dyndja e të huajve në Shqipëri pritet të japë një kontribut gjithnjë e më pozitiv në ekonominë shqiptare, me efekt zinxhir në punësim, konsum, aktivitetet e bareve e restoranteve, bizneset e kohës së lirë etj. Në vitin 2019, vendin pritet ta vizitojnë 5.7 milionë vizitorë dhe deri në 2028, numri i tyre pritet të arrijë në 6.6 milionë, sipas Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (ËTTC).

Kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë pritet që të jetë 27.3% për vitin 2019, me rritje 5.2% nga viti i shkuar. Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (ËTTC) në raportin paraprak për vitin 2019, për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive.

“Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve. Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetura drejtpërdrejt nga turistët”,- citohet në raport. Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB pritet të rritet me 4.7%, duke arritur në 9.3% të PBB-së deri në vitin 2028.

Në vitin 2018, turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune. Kjo pritet të arrijë në mbi 300 mijë vende pune në 2019 dhe rritje me 1.4% në 111.000 vende pune (8.8% të totalit të punësimit) në vitin 2028.

Në vitin 2018, kontributi total i turizmit në punësim, duke përfshirë edhe vende pune të mbështetura në mënyrë indirekte nga industria, ishte 25.2% të totalit të punësimit.

Eksportet e vizitorëve janë një komponent kyç i kontributit të drejtpërdrejtë të ‘Travel & Tourism’. Në vitin 2018, Shqipëria pati 264.8 mld lekë të ardhura nga eksportet e vizitorëve. Në 2019, pritet të rritet dhe vendi pritet të tërheqë 5.7 mln turistë ndërkombëtarë. Deri në vitin 2028, vizitat turistike ndërkombëtare parashikohet të arrijnë në 6,6 mln. Raporti citon se, pjesa e udhëtimit dhe turizmit në investimet e përgjithshme kombëtare do të rritet nga 7.6% në 2018 në 8.2% në vitin 2028. Në karakteristikat e përmendura të sektorit në vitin 2018, përmendet se në totalin e shpenzimeve, 22% ishin nga turistë për arsye biznesi dhe pjesa tjetër, ato për kohë të lirë.

Rriten 11.3% hyrjet e të huajve në janar-qershor

Qershori e ka gjetur Shqipërinë të mbushur me turistë, si asnjë vit më parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Qershor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 630.334. Krahasuar me Qershor 2018, ky numër është rritur me 27,0%.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2019 është 2.136.952, duke u rritur me 11,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në qershor, vendin e parë e mbajnë shtetasit nga Kosova, me një rritje të ndjeshme prej 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më para. Në total kanë hyrë 213.5 mijë shtetas nga Kosova. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit ata janë dyndur në plazhet e Shqipërisë, duke shfrytëzuar sidomos fundjavat. Në vend të dytë janë maqedonasit, me rreth 68 mijë hyrje dhe rritje 14,3. Nga Greqia kanë hyrë 10% shtetas më shumë (rreth 46 mijë).

Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar edhe të italianëve, hyrjet e të cilëve u rritën me rreth 9% (41.5 mijë) në qershor.

Rritje të ndjeshme kishin turistët nga Anglia, me 34% (14.3 mijë) dhe sidomos nga mali i Zi me 35% (rreth 38 mijë hyrje). Të ardhurit nga Zvicra u rritën ndjeshëm me rreth 55%, por gjithsesi ata mbetet shumë të paktët në numër, në rreth 5 mijë persona. Të vetmit që po e “braktisin” Shqipërinë janë polakët, të cilët ishin të parët që e “zbuluan” atë.

Maciej Sokalski, koordinator i Shitjeve për Agjencinë “Rego-Bis” në Poloni dhe rezident në Durrës, ka pohuar më parë për Monitor se arsyeja e kësaj rënieje lidhet me faktin që shprehet se në vitin 2018, paketat turistike të vendit tonë u bënë relativisht të shtrenjta. Ai nënvizon se nga kontaktet që ka me 500 agjentë në Poloni, të cilët marketojnë paketat e vendeve të ndryshme, Shqipëria tashmë nuk konsiderohet si destinacion ekonomik./ Monitor

SHKARKO APP