Turqia e ka braktisur Amerikën. I qoftë rruga e mbarë!

Bloomberg News/ Bordi Editorial

Përkthimi: Politiko.al

Gjatë viteve të fundit, ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka qenë gjithnjë e më shumë armiqësor kundër SHBA, Europës dhe NATO-s, establishmenti i politikës së jashtme të Uashingtonit ka bërë thirrje për durim. Breshëritë e Erdoganit, të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm, shiheshin si një shqetësim i vogël – sigurisht të pamjaftushme që Perëndimi të braktisë Turqinë.

Mjerisht, ka ardhur koha të pranojmë një shqetësim më të madh: Turqia, cilatdo qofshin qëllimet, e ka braktisur Perëndimin.

Veprimet e Erdoganit tani përputhen me retorikën e tij. Vendimi i tij për të marrë sistemin mbrojtës rus S-400 është një gisht në sy të NATO-s: Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar gjatë kundër blerjes, duke thënë se sistemet mund të komprometojnë rëndë mbrojtjen e NATO-s duke u dhënë teknikëve rusë akses në informata vitale mbi avionët luftarakë amerikanë dhe europianë. Turqia gjithashtu ka përshkallëzuar tensionet me Europën duke dërguar anijet e eksplorimit të gazit natyror në ujërat e Mesdheut lindor të pretenduara nga Qiproja.

Këto janë provokime të qëllimshme. Turqia mund të zgjidhte blerjen e sistemeve raketore të miratuara nga NATO me aftësi të krahasueshme. Ajo mund të lejonte Bashkimin Europian të ndërmjetësonte në çështjen e Mesdheut. Në vend të kësaj, Erdogan duket se ka llogaritur se, me ndikimin amerikan në rënie në rajon, interesave të tij të sigurisë u shërben më mirë një aleancë me Rusinë dhe se Presidenti Donald Trump do të mbyllë një sy kur ai të jetë hedhur në anën tjetër. Ai duket, gjithashtu beson se Perëndimi nuk do të ketë stomak për të imponuar ndëshkime të forta.

Tani duhet të përballet me pasojat. BE është tashmë në procesin e ngrirjes së kontakteve të nivelit të lartë me Turqinë dhe ka filluar të ndërpresë ndihmën financiare. Meqenëse Ankaraja është tallur me masa të tilla, europianët duhet të shkojnë më tej dhe të vendosin sanksione ndaj kompanive turke të përfshira në shpime në det të hapur në Mesdheun lindor. Kjo duhet të dekurajojë aventurizmin e mëtejshëm detar.

SHBA duhet të vazhdojë më tutje. Në një fillim të mirë, Presidenti Trump ka thënë se Turqia nuk do t’i marrë aeroplanët luftarakë F-35 që ka blerë nga Amerika. Administrata e tij po e largon Turqinë nga një program për të prodhuar pjesë për këta avionë. Duke pasë kërcënuar se do ta bënte këtë, Shtëpia e Bardhë nuk mund të ndërrojë dhe të marrë një vijë më të butë pa ndryshuar sjelljen Turqia.

Më pas, administrata ka një menu të pasur sanksionesh për të zgjedhur, duke përfshirë ngrirjen e aseteve të zyrtarëve të lartë, bllokimin e kredive të mëdha për Turqinë, ose shkëputjen e saj tërësisht nga sistemi financiar i ShBA-ve. Qëllimi duhet të jenë kufizimet në fillim, por më pas të kalohet shpejt drejt shtrëngesave nëse Erdogan nuk e rimendon keqlëvizjen dhe dhe ‘fut në sirtar’ sistemin rus anti-raketë.

Nëse kjo dështon, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj europianë do të duhet të ballafaqohen me një pyetje më të madhe: a mund të konsiderohet Turqia një aleat i besueshëm? Megjithëse rregullat e NATO-s nuk lejojnë që një anëtar të përjashtohet, ka çështje të rënda praktike që duhet të merren parasysh, duke përfshirë praninë e personelit ushtarak perëndimor dhe hardëare – jo më pak armë bërthamore – në bazat e NATO-s në Turqi. Në vitet e fundit, disa komandantë të NATO-s kanë parë përreth Lindjes së Mesme për vende alternative për këto baza. Ardhja e sistemeve S-400 duhet të shpejtojë kërkimin e tyre.

Nuk mund të ketë më dyshime se Erdogan ka bërë zgjedhjen e tij në këtë mosmarrëveshje. Perëndimi duhet ta pranojë- dhe të përgatitet për ecur përpara pa të.

SHKARKO APP