Ulsi Manja kapet duke gënjyer publikisht 4 herë për të njëjtën gjë

Që politikanët nuk i mbajnë premtimet është bërë traditë dhe tipar politik në Shqipëri.

Që politikanët nuk duhen marrë seriozisht në gjërat që deklarojnë, edhe kjo është bërë traditë e tipar politik në Shqipëri. Që politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për gjërat që thonë gjithashtu është bërë traditë e tipar politik në Shqipëri. Por për shkak se reforma në drejtësi është krye-tema dhe zhvillimi më i rëndësishëm institucional i viteve të fundit, premtimet për jetësimin e saj, sidomos për të formatuar Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë janë e mbeten prioritet absolut. Në monitorimin e ligjërimit politik nuk është vështirë të gjenden deklarata tipike ku politikanët marrin përsipër funksione që nuk janë të tyre, kompetenca që nuk janë të tyre dhe mbi to, premtojnë e premtojnë, duke ndryshuar afatet dhe datat, sipas interesit politik të ditës dhe nevojës për të fituar kohë përballë kritikave perëndimore.

Ja një shembull konkret i evidentuar nga ISP lidhur me titullarin kryesor institucional në parlament për ecurinë e reformës në drejtësi, drejtuesin e Komisionit të Ligjeve: Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend brenda 6 muajsh ka bërë 3 premtime të ndryshme lidhur me vendet vakante për në Gjykatën Kushtetuese. Premtimi i parë, – Gjykata Kushtetuese do të jetë brenda muajit mars 2019 u bë në nëntor 2018. Premtimi i dytë, – Gjykata Kushtetuese do të plotësohet brenda muajit qershor, – u bë në prill 2019 dhe në fjalimin në Kuvend në maj 2019. Premtimi i tretë, i bërë javën e kaluar e shtyn afatin e zgjedhjes së Gjykatës Kushtetuese nga marsi në 20 korrik 2019. Dhe me siguri, as ky nuk është premtimi i tij i fundit.

“Brenda tre mujorit të parë të vitit 2019 ne do kemi Gjykatë kushtetuese. Në mars besoj gjithçka do jetë e zgjidhur” (Ulsi Manja, Debati në Channel One, 6 nëntor 2018).
“Unë duke njohur procesin dhe mekanizmin ligjor jam besimplotë që Gjykata do të plotësohet me numrin e nevojshëm të anëtarëve brenda qershorit”. (Ulsi Manja, “Tempora” në RTV Ora, 23 Prill, 2019).
“Brenda qershorit 2019 ne do të kemi të plotësuara vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë” (Ulsi Manja, fjalim në Kuvend, 8 maj 2019)
“Unë them që jo brenda Korrikut po e po, por unë shpresoj që brenda 20 Korrikut ta kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese” (Ulsi Manja, “Provokacija”, 31 maj 2019)./ ISP

SHKARKO APP