Ushqimet që të duhet të konsumoni për një mendje të mprehtë dhe pa stres
Emocionet tona shpesh na nxisin të zgjedhim ushqim jo të shëndetshëm. Siç mund ta keni vënë re, kur jeni të trishtuar, të stresuar apo mërzitur, këmbët ju çojnë vetë drejt ushqimeve të shpejta, sufllaqeve, mishrave apo ëmbëlsirave. Emocionet kanë nevojë për ushqim.
Sa më shumë ushqime të këqija të hani, aq më shumë do të dëshironi, duke u futur pa dashje në një rreth vicioz emocionesh dhe zgjedhjesh të këqija. Një studim i publikuar në revistën Clinical Psycology, të cilës i referohet AgroWeb.org, zbuloi së fundmi një lidhje mes depresionit dhe obezitetit. Kjo lidhje është më e fortë si pasojë e hormoneve dhe ndryshimeve psikologjike që ndodhin tek sistemi imunitar kur godet depresioni. Sipas studimit, njerëzit që janë obezë janë më të prirur të jenë depresivë dhe anasjelltas.
Si mund të prishni lidhjen mes zgjedhjeve të këqija ushqimore dhe depresionit
Hapi i parë që duhet hedhur në këtë drejtim është drejt ushqimeve të duhura. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ushqimet e pasura me sheqer, yndyrë, kripë dhe karbohidrate të ndryshojnë humorin për mirë vetëm për pak minuta. Më pas, ato e përkeqësojnë humorin. Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për ushqimet që duhet të hani që të keni një mendje të mprehtë e ta mbroni trurin.
Lakrat e egra
Lakrat e egra si pazia, laboti etj, janë të pasura me vitaminë K dhe magnez. Mungesa e këtij minerali ul nivelet e serotoninës, një transmetues nervor që përmirëson humorin. Një racion me lakra të egra të gatuara plotëson 35 përqind të nevojës ditore për magnez.
Mishi i gjelit të detit
Ky mish, peshku ton dhe mishi i pulës janë të pasura me amino acide. Këto të fundit ju bëjnë më mendjemprehtë dhe më të përqendruar. Në momentet që duhet të jeni të përqendruar dhe mendjekthjellët, atëherë hani mishin e gjelit të detit.
Arrat
Arrat janë të pasura me amino acide, mungesa e të cilëve shkakton depresion. Këto amino acide gjenden edhe tek peshqit dhe sipas studimeve njerëzit që nuk hanë shumë peshq janë më të rrezikuar nga depresioni.
Kokoshkat pa yndyrë
Kokoshkat konsiderohen një karbohidrat kompleks me një nivel të ulët glicemie dhe që ruan nivelet e serotoninës, hormonit që përmirëson humorin. Në momentin që kokoshkat përzihen me yndyrë, sheqer apo kripë, përfitimet e kokoshkave nuk vlejnë më.
Gjiza
Gjiza përmban triptofan dhe amino acide që përmirësojnë nivelet e serotoninës. Mungesa e serotoninës e vështirëson përballjen e trurit me stresin.
Bananet
Bananet janë të pasura me magnez, kalium dhe vitaminë B6. Kaliumi i bën mirë zemrës, veshkave, muskujve dhe sistemit tretës.
Kosi
Trupi është i mbushur me baktere. Probiotikët janë substanca që gjenden tek kosi i shtëpisë të cilët kultivojnë bakteret e shëndetshme në sistemin tretës. Bakteri lactobacillus në veçanti është shumë i dobishëm për organizmin. Ngrënia e kosit rekomandohet kundër ankthit dhe nervozizmit/Agroweb