Ushtarakë me uniforma policie, çfarë e shtyn Ministrin të shkeli Kushtetutën?

Nga Flamur Çelaj*

Letër e hapur

I nderuar z. Ministër,

Hapësira mbarëshqiptare pret me padurim datën 14 dhjetor, kur Kuvendi i Kosovës do të votojë një ligj të rëndësishëm me mbështetjen e qeverisë amerikane. Në këtë datë, parlamenti do të votojë ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.
Ngazëllimi im dhe mezipritja për miratimin e këtij akti që çimenton themelet e shtetit më të ri të Europës, u zbeh kur mësova vendimin tuaj për të propozuar ndryshime ligjore të cilat i hapin rrugën ushtarakëve të Shqipërisë të vishen me uniformë policie.

Mendova:
Në momentin që Kosova po ndërmerr hapin historik për ta shndërruar Forcën e Sigurisë në një Ushtri të vërtetë, Shqipëria bën një hap prapa dhe do ta shndërrojë Ushtrinë në force sigurie.

Z. Ministër i Brendshëm,
Në vijim të rekomandimeve tuaja për ndryshime ligjore dhe konkretisht të nenit 40 të Ligjit 108 “Për Policinë e Shtetit”, duke mundësuar në këtë mënyrë rekrutimin në radhët e Policisë së Shtetit të punonjësve nga Forcat e Armatosura si dhe duke ekuivailentuar vjetërsinë e punës dhe të gradave, jam i mendimit se këto propozime bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe një sërë dispozitash të Ligjit 108 “Për Policinë e Shtetit”.

Në radhë të parë, ideja e këtyre propozimeve për ndryshim të ligjit, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë pasi në nenin 173 Kushtetuta shpreh:
1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
Rrethanat që Kushtetuta parashikon për marrjen e drejtimit të sigurisë publike nga ushtria nuk egzistojnë pasi Policia e Shtetit ka kontroll të plotë në të gjithë territorin e vendit dhe kryen detyrat e veta insitucionale me korrektesë. Edhe sikur të egzistonin këto rrethana, tagrin për dhënien e të drejtës të menaxhimit të sigurisë publike ushtrisë nuk e ka Ministri i Brendshëm por Parlamenti me propozim të Këshillit të Ministrave.

Po ashtu, po t`i referohemi ligjit 108 “Për Policinë e Shtetit”, nenit 4 “Statusi i Policisë së Shtetit” thuhet shprehimisht:
1. Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi administrative të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike dhe ne nenin 3 thuhet:
3. Statusi i Policisë së Shtetit nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore.

Gjithashtu propozimet tuaja z. Sandër Lleshaj bien ndesh edhe me dispozitat e një tjetër neni sikurse është neni 37. Ne këtë dispozitë ligjore, parashikohet shumë qartë se cila është rruga që një aplikant mund të rekrutohet në radhët e Policisë së Shtetit. Në nenin 37 “Akademia e Policisë”, pika 1 përcaktohet:
Policia ka institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial.
Kufizime ligji ka gjithashtu edhe ne nenin
53 (#Dhënia_e_gradës),
54 (#Fitimi_i_gradës),
55 (#Kriteret_për_fitimin_e_gradës),
57 (#Fazat_e_testimit_të_kandidatëve)
59 (#Arsimimi_dhe_trajnimi_për_fitimin_e_gradës) e vijues ku përcakton shumë qartë gjithë rrugën e përfitimit të gradës nga grada Nënkomisar në Drejtues i Parë.

Për shkak të pengesave ligjore dhe organizative ideja Juaj për rekrutimin e punonjësve nga Forcat e Armatosura në Policinë e Shtetit nuk mund të realizohet me ndryshimet e propozuara pasi duhet shfuqizuar në radhë të parë një numër i konsiderueshëm i dispozitave të ligjit aktual dhe injektuar dispozita të reja ligjore ide, që Ju Z.Lleshaj me formimin e ushtarak keni në mendje për Policinë Tuaj.

Ligji, në tërësinë e frymën e tij, vendos në thelb të drejtën që kanë të gjithë shtetasit për të aplikuar për të fituar të drejtën për të studjuar në Akademinë e Sigurisë e pas përfundimit të studimeve emërimin në Policinë e Shtetit. Emërimi kryhet pas edukimit policor proces ky i rregulluar me se miri dhe në kurikulat e saj aplikon programe që synojnë përgatitjen teorike e praktike të brezave të ardhshëm në drejtim të:
*Parandalimit të krimit;
*Policimit në komunitet;
*Hetimit të veprave penale;
*Rekrutimit të burimeve të informacionit dhe ngritjes së një rrjeti të fshehtë informativ;
*Njohuri për menaxhimin e qarkullimit rrugor;
*Njohuri për kufirin e migracionin dhe një sërë drejtimesh të tjera.

Përsa i përket idesë Tuaj z. Lleshaj për ndërhyrje ne nenin 40 dhe krijimin e nenit 40/1 “Pranimi në funksione të vecanta”, fryma e ligjit ka qënë për nevojat që Policia e Shtetit ka për rekrutimin në radhet e saj të personave profesionistë në fusha të posacme sikurse mund të jenë financiere apo ekonomistë që për shkak të aftësive të posacme në fusha të vecanta do të ndihmonin në kryerjen e hetimeve te suksesshme financiare, ekspertë të egzaminimeve kompjuterike apo ekspertë të fushave të tjera. N ë këtë drejtim, ishte parashikuar që kjo kategori nuk mund të kalonte 1 % të strukturës përkatëse.
Kursesi, kjo kategori për të cilën Policia e Shtetit ka nevojë (për shkak të aftësive të posacme në fusha të vecanta) nuk mund të zëvendësohet apo të interpretohet si nevojë e policisë për pjestarë apo ish pjestarë të Forcave të Armatosura pasi, për Policinë e Shtetit kjo kategori nuk mund te konsiderohet me aftësi të vecanta apo të posacme pasi cdo lloj shërbimi që ata mund t`i ofrojne Policisë së Shtetit është pjesë e formimit të përgjithshëm dhe bën pjesë në kurikulat e Akademisë së Sigurisë ku kandidatët për t`u rekrutuar në Policinë e Shtetit janë te detyruar të mësojnë dhe testohen për ato dije.

Një tjetër propozim mëkatar i Juaji për ndryshim të ligjit është edhe propozimi për shtesë në nenin 46 (Ndërprerja e marrëdhënieve të punës të punonjësit të policisë) ku në pikën f, propozohet lirimi nga detyra në rast se i refuzohet dhënia e certifikatës së sigurisë #DSIK.

Duke marë shkas nga rrethanat kur institucionet shtetërore të cilat i transmetojnë informacion DSIK-së, me qëllim verifikimin e figurës së punonjësit të policisë për të cilin kërkohet paisja me certifikatë sigurie, në shumë raste janë jo profesionalë dhe të dhënat e ardhura nga burime të ndryshme janë të pa vërtetuara e fiktive apo pse jo në shumë raste tendencioze. Në këto rrethana, ndëshkohen punonjësit e policisë dhe në vecanti ata që kanë qënë më aktivë në kryerjen e detyrës e për shkak të detyrës gjenden përballë shpifjeve dhe letrave apo fabrikimit të të dhënave për implikim në korrupsion, lidhje me individ apo grupe kriminale, shpërdorim detyre në forma të ndryshme etj nga personat që kanë qënë objekt i punës së tyre.
Në rrethanat që me ligjin 70 të vitit 2014 “ Për Shërbimin për cështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, në nenin 5 të tij (Objekti i veprimtarisë) pika a thuhet:
Objekt i veprimtarisë së Shërbimit janë:
a) parandalimi, zbulimi dhe hetimi i veprave penale, si dhe i shkeljeve të ligjit, të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj;
Pra, ky shërbim ka për objekt pune të grumbullojë të dhëna e ankesa për punonjësit e policisë, t’i analizojë, referojë në prokuroritë përkatëse dhe t’i hetojë e të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale. Pra të materializojë cdo të dhënë apo provë të implikimit të punonjësve të policisë.

Në këto rrethana për gjykimin tim, privimi i profesionit dhe lirimi nga policia për shkak të mospaisjes ne certifikatë sigurie, do të cojë në ritjen e rasteve të shpifjeve dërguar institucionit që pajis me këtë dokument apo fabrikimin e të dhënave e dërgimin në forma të ndryshme insitucioneve që shkëmbejnë informacion me DSIK, me qëllim krijimin e kushteve për lirimin nga detyra.
Miratimi i propozimit të këtij paragrafi do të sjellë pasoja negative të pariparueshme, një pasivitet në rritje në organizimin e punës operativo gjurmuese e hetimore.

Në dijeninë time dhe komisionit të sigurisë që Unë përfaqësoj,
● Propozimet e rekomanduara për t’u kryer e përcjellë në Ministrinë e Brendshme nga Policia e Shtetit, janë rrëzuar që në instancën e Këshillit të Politikave i cili është një instrument konsultativ i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit .
● Qëndrime jo formale nuk kanë gjetur mbështetje as te PAMECA (Misioni i Komisionit Europian që asiston Policinë e Shtetit), ICITAP (Misioni Amerikan i Atashuar në Ambasadën Amerikane) por edhe nga OSBE dhe duken të papërshtatshme e konsiderohen si një kthim mbrapa për misionin, aderimin në organizmat ndërkombëtare e detyrimet që ka Policia e Shtetit kundrejt partnereve nderkombetare dhe operacioneve te perbashketa qe ka kryer e po kryen.

Nisur nga të gjitha argumentat e mësipërme ligjore që e ndalojnë iniciativën Tuaj dhe të gjitha kontestimet e Këshillit të Politikave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, kontestimet e PAMECA, ICITAP dhe OSCE, çfarë e shtyn zotërinë Tuaj të ndërmarrë një akt të tillë papërgjegjshmërie që bie ndesh edhe me formatin dhe vlerat humane që ju rrezatoni si njeri me kulturë të gjerë?!

Ju sugjeroj të hiqni dorë nga kjo iniciativë e marrë dhe të marrëve që ju detyrojnë sepse ndryshe do të mbaheni mend si Ministri i Brendshëm që solli Juntën Ushtarake në Shqipëri.

*Kryetar i Komisionit Sigurisë, Lëvizja Socialiste Për Integrim

SHKARKO APP